Njerëz si Xhaferr Ibro nuk vdesin kurrë!…

Njerëz si Xhaferr Ibro nuk vdesin kurrë!…

 

Zylyftar Hoxha

 

Xhaferr Ibro ka qenë dhe mbetet për vitet ’70 – ’80 të shekullit të kaluar, një nga personalitetet dhe figurat më të shquara, më të njohura dhe më të spiktura intelektuale të historisë së arsimit dhe kulturës së Skraparit.

 

 

Me një shkollim të kompletuar, por edhe me një ambicie përsonale për horizonte të reja dijeje, ai kishte arritur të mësonte në mënyrë autodidakte, por edhe të merrte certifikatën zyrtare të njohjes të pesë gjuhëve më bazike botërore, Italishtes, Frëngjishtes, Spanjishtes, Anglishtes dhe Rusishtes, si dhe, si një poliglot i padiskutueshëm, të komunikonte natyrshëm dhe lirshëm, kur e donet puna, edhe në më shumë se dhjetë gjuhë të të tjera, bijëza të gjuhëve bazë që thamë pak më përpara, në gjermanisht, holandisht, sllavisht, sërbo – kroatisht etj.

 

 

Xhaferr Ibro lindi më 24 janar 1947 në Backë të Skraparit, në një familje të madhe, të njohur dhe me traditat më të mira patriotike dhe historike që ka ky fshat, por edhe me lidhje të shumta miqësore me familje me emër të zonës së Skraparit dhe të Korçës.

 

 

Ishte fëmija i parë i dhjetë fëmijëve të të tjerë të çiftit Arshi dhe Veno Ibros.

 

Pas shkollës fillore dhe 7 – vjeçare në Backë, të mesmen, e bëri në gjimnazin e Çorovodës.

 

 

Duke përfituar nga rezultatet e shkëlqyera, mori  burs shteti për në shkollën e lartë, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në fakultetin e Matematikës.

 

 

Në vitin 1972 fillon punë në Çorovodë, në gjimnazin “Ramiz Aranitasi”, aty ku pesë vjet më parë kishte qenë vetë nxënës.

 

 

Ishin vitet ’70 të shekullit të kaluar kur arsimi në Shqipërinë e asaj kohe mori një hov dhe zhvillim të ri nëpërmjet reformave për masivizimin, shtrirjen në gjerësi, por edhe përmirësimit  cilësor të mësimdhënies, duke e lidhur atë me jetën, praktikën dhe prodhimin

 

 

Xhaferri, edhe pse një mësues i ri, e kapi thelbin e problemeve që dilnin para arsimit në atë kohë. Ai bëri emër dhe shkëlqeu në mësimdhënie me njohurit e gjera që kishte në fushën e matematikës, por shqua edhe si metodist, duke ngritur dy kabinete moderne, të Matematikës, ndoshta i vetmi në Shqipëri në atë kohë, dhe të Fizikës.

 

 

Puna dhe përvoja e tij u pasqyrua në librin e tij me titull “Në ndihmë të mësuesve të Matematikës”, një libër pedagogjiko –  shkencor që u shpërnda dhe u punua me stafet pedagogjike në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë.

 

 

Për këtë krijim të spikatur u dekorua me Medalien Naim Frashëri nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë të atëhershme.

 

 

Siç thamë edhe më sipër, Xhafa, veç si mësimdhënës kishte e edhe një pasion tjetër, gjuhët e huaja, duke qenë i pari dhe i vetmi në Skrapar zotërues i shkëlqyer i këtyre gjuhëve. Si i tillë, i rrallë dhe i kërkuar, ra në sy të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila e kërkoi në organet e pushtetit vendor t’i jepnin të drejtën e transferimit për në këtë dikaster.

 

Megjithëse me kërkesa të herë pas hershme, transferimi nuk ndodhi asnjë herë me “arsyen” banale “na duhet për nevojat tona”. Por arsyeja e vërtetë ishte zilia, inatet, thashethemet, mediokriteti dhe injoranca, që nuk e lejuan të hidhte atë hap të rëndësishëm në jetën e tij.

 

 

Edhe pse e dinte mirë këtë, ai me atë natyrën e tij të butë dhe të brishtë, nuk e bëri veten, por edhe nuk u thye, vazhdoi në të tijën, gjeti rastin të lidhej me botën e jashtme, duke shoqëruar turistë nga gjitha kontinentet e botës, ku u lidh me shumë miq dhe dashamirës, duke fituar dashurinë dhe simpatinë e tyre.

 

 

E bënte këtë punë të dytë në pushimet verore apo kur e thërrisnin “forca madhore” nga Komiteti Qendror i Partisë për të shoqëruar delegacione të rëndësishme qeveritare, grupe turistësh, studiuesish, gazetarësh të huaj etj., të cilët, kur largoheshin, u jepnin autoriteve tona konsiderata të shkëlqyera për shoqëruesin e tyre të dashur dhe simpatik, Xhaferr Ibro, si “një njeri me horizont të gjerë kulturor, me një pasuri mahnitëse leksiko –  linguistike, që e bën të artikulohet qartë dhe bukur në çdo gjuhë të botës”.

 

 

E kundërta ndodhte në Skrapar ku, për shkak të aktivitetit delikat me të huaj, Sigurimi e ndiqte këmba këmbës. Ishin shumë raste dhe histori banale, që Xhafa i tregonte me shaka më vonë, për të cilat i tundnin para syve “çelsat e burgut”, por ai, i kujdesshëm dhe i vëmendshëm, nuk gaboi asnjëherë. Natyrisht qw, edhe punën nuk e bëri  i pashqetësuar.

 

 

Me përmbysjen e sistemit, Xhaferrit iu hapën mundësi dhe perspektiva që njohuritë dhe kultura e tij të zinte vëndin e vetë. Nuk zgjati shumë dhe u thirr nga titullarët e Ministrisë së Mbrojtjes për të drejtuar Sektorin e Jashtëm pranë kësaj  ministrie. Në këtë kohë ai pati mundësinë të vizitojë shumë shtete të botës që kishte ëndërruar dhe që gjuhën e tyre e kishte mësuar që herët, pa i njohur dhe prekur ata.

 

 

Më pas punoi në Institutin e Kuturës Italiane në Shqipëri, si dhe në kompaninë “Coca Cola” deri sa doli në pension.

 

 

26 korrik 2014, ndërsa ishte duke pushuar në bregdetin e Hamallajt të Durrësit, u fut në ujë dhe nuk doli më. Një fund tragjik që ai njeri nuk e meritonte në atë mënyrë, duke lënë pas në pikëllim të thellë, bashkëshorten e vetë, Bejazen, dy vajzat, Milenën dhe Glorian, motrat dhe vëllëzërit si dhe miq e shokë të shumtë brenda dhe jashtë vendit.

 

 

Veç epitafit të përjetësimit në pllakën e varrit, Bejazja ka zgëdhendur në zemrën e lënduar një epitaf tjetër me vargjet e mëposhtme:

 

 

Kam frikë të fle,

 

           se të ëndërroj

 

 

Kam frikë të zgjohem,

 

           se për ty mendoj

 

 

Kam frikë të vdes,

 

           që të të takoj,

 

 

Kam fikë të jetoj,

 

           Se ty nuk të shikoj…

 

 

Për kontribute të shquara shetërore dhe shoqërore si dhe për cilësitë e larta intelektuale dhe qytetare, në vitin 2021 i jepet titulli Qytetar Nderi i Skraparit (pas vdekjes)

 

 

I përjetshëm kujtimi i Xhafës, njerëzit si ai nuk vdesin kurrë!