
Ku ta shtroj sofrën e skraparllinjve!?…
Zylyftar Hoxha
Janë hapur shumë sofra të tjera në të gjithë Shqipërinë. Jo sofra “pe vërteti”, reale, burrash, grash, fëmijësh, por sofra virtuale, sofra gjasma, siç janë bërë shumë gjëra tani “gjasma”.
Por kjo që po u them unë, si skraparlli i thekur, në mos “i djegur”, është një sofër e vërtetë, një “sofër tabani, ku plumbi shkon nga tavani”.
Janë të gjithë të mirëpritur të kuvendojnë në këtë sofër.
Desha që këtë sofër ta shtroja në vendin më të bukur, fjala vjen, në Tomorr, por më duket se Tomorri “është shumë i zënë” me adhurues, me besimtarë të përulur dhe të përbetuar, por, fatkeqësisht, edhe me shumë qejfëllinj, batakçinj që përfitojnë nga shenjtëria dhe emri i këtij mali, me biznesmenë dhe tregtarë që “ta krruajnë” mirë xhepin.
Meqenë se Tomorri dhe Kulmaku përjashtohen, ku ta shtroj gjetkë?
Një mendje më thotë në Lirëz, në atë vend aq të bukur, më i bukuri në Skrapar, sa nuk rrëfehet me fjalë, as me foto, as me filma, vetëm po ta panë sytë e tu dhe sy artisti, që e njeh dhe e do natyrën, jo syqeni.
Po me çfarë të shkoj? S’ka as rrugë dhe as makinë të ngjitet deri atje!
Po në mos në Lirëz, atëhere, pak më poshtë, në Helmës, një fshat dikur me dhjetë shtëpi, sa gishtat e dorës, por, që, për gjashtë muaj rresht mbajti një “taborr të tërë” me 100 e ca veta, Shtabin e Përgjithshëm të Luftës, me Enver Hoxhën në krye, misionet e huaja anglo – amerikane, sovjetike, robër lufte, korrierë etj.
Por as këtu nuk e shtroj dot, shtëpitë dykatëshe të Mehmet Myslimit, që ishin kthyer në seli pune, janë kthyer në gërmadha!
Të hidhem për atë sofrën këtej nga Backa, Qafa e Martës, Ostrovica, Çuka e Frëngut, Uji Mbret, s’ka ku vete më mirë, por të tremb heshtja: këmbë njeriu, këmbë bariu, këmbë deleje nuk gjen. Dhe kur? Në këtë kohë që ishte vakti i tyre, dhe nuk u dihej numri!
Ta lë për këtej nga ana e lumit, nga Kanionet, si, fjala, vjen nga Mulliri Babait? Mirë është, se është afër?! Por gjëja më ngatërrohet me atë bujshmërinë e të huajve që vijnë, lozin dhe kënaqen nëpër thellina, por që më pas hipin nëpër makina, duke mos i lënë të kthejnë as kokën nga Çorovoda, por drejt e në Spatharë, jo në Sptharën e Vëndreshës, por në “Spatharin” e Goricës së Beratit!!!
Po kërkoj ndihmë, më thoni atëherë, ku ta shtroj atë sofrën që thashë!?…
Në Qafë të Gjarpërit?
Do të doja shumë, një vend i bukur dhe me histori, por, fatkeqësisht , një histori e zbehur dhe e harruar në këto 30 vjetët e fundit, kam frikë se nuk më ndjek njeri!…
Në malin e Leshnjes (Vlushës apo Gradecit), që, edhe pse u bëra kaq, nuk e mora vesh se i kujt është nga këta tre fshatra?
Do të doja shumë, se kur ngrihesha nga gjumi në mëngjes, kur isha në Qafë, në shtëpinë time, e para gjë që më dilte përpara, ishte ky mal. Dhe të rritesh me një mal në sy, e di çfarë është!
Por, për moshën që kam unë, ëshë një “mision i pamundur”.
Atëherë, çfarë mbetet?
Një mendje më tha: “A di ç’ke ti? Lëre në të ikur, bëje atë që ke për të bërë në Bogovë, vend Zoti. Mos! – ia ktheva mendjes, – mua tani më duket si vend djalli, si i thurur me tela me gjemba”!
Po në Poliçan? Gjë që s’bëhet, jo nga njerëzit, se shumica e tyre janë skraparllinj, bij skraparllinjsh, janë si rakia e pjekur dy herë dhe të mbajnë në pëllëmbë të dorës, por i mungon një gjë shumë thelbësore, Poliçani s’ka koloritin e Skraparit!
Po pse prap do të vete unë në Tiranë pa sofër!?
Sofra e Tiranës ka 12 vjet që nuk shtrohet, një shoqatë që kishte Tirana dhe që mblidhej një herë në 15 ditë apo një herë në muaj, është bërë kashtë e koqe. Mezi mbledh pesë a gjashtë sa për ndonjë kafe e ndonjë foto, pa për sofër “Harro mushkë Valarenë, se Ali Pashën e prenë…”!
Në Durrës atëhere, aty e ke, siç thoshte Noli: “Do të rrish me qejf si mbret! Hajde rri këtu, në Përmet”.
Dhe vërtet Durrësi i vë flakën, e ndez Sofrën e Skraparllinjve. Por një Durrës është. Dhe behari nuk vjen me një lule.
Dhe një gjë tjetër, Durrësi ka një “derë të madhe të hapur kat më kat për skraparllinjtë”, që është FAFA e Fatos Çerenishtit, teqe e tyrbe. Por, sikur është tepëruar cazë si shumë. Ai nuk e ka bërë asnjë herë veten, por krahëhapur e buzëqëshur thotë atë shprehjen e famshme, por në kontekst krahinor: “Çelsin e kini me vete, shtëpia e skraparilliut është e mikut dhe e udhëtarit”!…
Jo, jo, as te Fatosi, jo! Mjekra ka lezet deri në brez!
Duke kaluar mendërisht këto që thashë më sipër, makina ndalet te rrapi i prerë i Verorit, në Çorovodë.
Jam që jam kështu i nxehtë dhe i dalldisur, do t’i lutem Ladi Strenecit (Nanushit) të më lëshojë për dy-tri orë “Verorin” dhe të bëj një muhabet siç di unë vetë. S’besoj të ma prishë, se është flori djalë.
U tha, u bë, Ladi s’ma prishi.
Sa filluam të uleshim erdhi një i huaj, i huaj shqiptar, si nga veriu dukej.
Pyeti: A ka raki?
Unë, si sebepçiu i sofrës, shpejtova dhe iu përgjigja:
-Dëgjo, or mik,të kërkosh raki në Skarpar, siç kërkon ti, është njësoj sikur të thuash “a ka deti ujë”?
-Roftë Skrapari, rroftë rakia, – tha ai – por pa sheqer, ama?
-Edhe kjo na duhej, – thashë! Dhe vazhdova me një “cëke” nga inati -me filxhan apo me kazan, e do?
Miku që qëlloi, o me përvojë politike(!), o i mençur, dhe me gotë në dorë, u drejtua me solemnitet nga të gjithë të pranishmit e sofrës:
“Përshëndetje patriota, përshëndetje Sofra! Si ia çoni, i bëtë zahiretë e dimrit, tërhananë, petët, roshnicat, pastërmanë, oshafet, turshitë, pekmezin, rehaninë, nardenin?
Kaçkë synë unë, ku i ditka ky këto, me siguri ia ka mësuar Partia.
Plot e kemi qilarin, – i thashë, vetëm hajde!
Dhe filluam një muhabet, hajde muhabet; dhe filluam një lezet, hajde lezet, duke e gdhirë tërë natën!…