Çeta e Mestan Ujanikut është krijuar disa muaj përpara datës së inaugurimit të saj zyrtar, më 14 mars 1942

Çeta e Mestan Ujanikut është krijuar disa muaj përpara datës së inaugurimit të saj zyrtar, më 14 mars 1942

 

 

-Letër e Mestan Ujanikut, drejtuar komandantit të çestës partizane të Potomit, Sulo Lile Dyrmishi (Koprëncka)-

 

 

Çeta Plakë e Skraparit mban si datë të themelimit 14 marsin e vitit 1942.

 

Në shumë dokumente historike si dhe në dëshmitë e disa ish – luftëtarëve të saj, thuhet se ajo ishte krijuar më përpara kësaj date, por se sa përpara nuk dihej.

 

Këto kohët e fundit në Arkivin e Shtetit është gjetur një letër e komandantit të çetës, Mestan Ujaniku, dërguar një komandanti të një prej çetave zonale, që është Sulo Lile Koprëncka*), ku Mestani i kërkon që të ketë në gatishmëri luftëtatrët për një urdhër të dytë.

 

Ja letra:

 

 Sulo Koprënckës,

Koprënckë

 

Të vejsh në dijeni krejt Forcat t’uaja për me qenë gati në thirrje të ndonjë urdhri të dytë.

 

Vdekje Fashizmit

Liri Popullit

 

Shqipëri e Lirë

6 – I – 1942

 

Komandant i Fuqive t’armatosura  për shlirimin e Atdheut

Mestan Ujaniku

(Firma)

 

 

Por ajo që është më e rëndësishme në këtë dokument, është data që mban, 6/ I/ 1942, kur Çeta e Skraparit është themeluar tre muaj më vonë, më 14 mars 1942.

 

Pra çeta de fakto është formuar që në vjeshtë ose dhjetor të vitit 1941, ndërsa de jure në mars të vitit 1942.

 

 

Dokumenti  vërteton “përfoljet”, që ajo është krijuar të paktën katër – 5 muaj para më përpara kësaj date.

 

 

 

*) Sulo Lile (Dyrmishi) Koprëncka

 

Luftëtar i vjetër i disa periudhave historike. Lindi në Koprënckë në vitin 1890 dhe vdiq në viti 1960.

 

Pas Revolucionit të Nolit në vitin 1924, u arratis në Katerina të Greqisë, pasi ishte dënuar nga qeveria e Zogut me 101 vite burgim. Aty qëndroi  8 vjet. U kthye pas amnistisë që bëri mbreti Zog, por lajmi për të qe i gënjshtërt, u mbajt në burgun e Gjirokastrës deri  në vitin 1939, kur, me pushtimin fashist të Shqipërisë, u hapën burgjet.

 

Angazhohet në lëvizjen Antifashiste Nacional-çlirimtare me çetën territoriale të zonës së Potomit, ku bëhet komandant i saj.

 

Mori pjesë në shumë luftime që u zhvilluan në Skrapar. Në vitin 1944 angazhohet në Komandën e Vendit, komandant i zonës, një strukturë për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë në krahinë.

Fatkeqësisht, pas çlirimit të vendit nuk iu njohën dhe nuk iu vlerësuan meritat.

 

U vesh polic i thjesht. Jetoi në Çorovodë dhe më pas në Kuçovë.