Xhemal Ujaniku, luftëtari që lindi nën një lis dhe prehet nën një ulli…

Xhemal Ujaniku, luftëtari që lindi nën një lis dhe prehet nën një ulli…

 

 Zylyftar Hoxha

 

Xhemal Ujaniku, vullnetar me armë i shkrepëtimave të para të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, djali i madh dhe më shumë se djalë, për të mos ndenjur nën hije, u bë shok i armëve të të atit, Mestan Ujanikut, “Legjendës së maleve të Skraparit”.

 

 

Xhemali u lind nën një lis, në oborr të shtëpisë, në Ujanik të Skraparit, që është edhe sot në këmbë dhe, pas një jete të vështirë, me ulje dhe ngritje, me zik-zake dhe situata here-herë të pakuptimta, vdiq në moshën 82 – vjeçare qytetin e Elbasanit.

 

 

Fëmijët e tij, për t’u prehur i qetë dhe për t’i siguruar përjetësi pas asaj jete skëterrë të të atit të tyre, zgjodhën ta varrosnin nën paqen e një ulliri gjenetik Kraste.

 

 

Siç thamë më lartë, Xhemali ishte i biri i Mestan Ujanikut, një luftëtari me emër, por që nuk mori nga emri i të atit asnjë “gërmë”, duke krijuar kështu një profil të tij luftëtari të paepur dhe të sprovuar në sa e sa beteja.

 

 

Më 1939 ai merr pjesë në aksionin e parë luftarak, në krah të të atit në Berat, ku u kërkuan autoriteteve armë për të luftuar kundër ushtrisë fashiste italiane, aty dhe arrestohet.

 

 

Para se të krijohej çeta e parë e Skraparit në Kulmak më 14 mars 1942, ishte formuar një çetë tjetër, “çetë familjare”, jo zyrtare, ku Mestani kishte rreshtuar tre djemtë e tij, Xhemalin, Vehipin dhe Hatemin.

 

 

I mbetur në qiell të hapur, pasi shtëpinë ia dogjën fashistët italianë, ai iu ngjit familjarisht malit. Veç tre djemve me armë në sup, ai mori me vete edhe të shoqen Pemen me djalin e vogël, Nuriun që ishte vetëm 8 vjeç dhe s’ishte për pushkë. Pemja me Nuriun e vogël kanë jetuar bashkë me çetën. Sa mbaronin luftimet në një zonëai i çonte te miqtë e tij në një zonë tjetër, ku i dilte një tjetër hesap lufte.

 

 

Kjo “çetë familjare” u inkuadrua e tëra në çetën e madhe, që u quajt Çeta Plakë e Skraparit, një ndër formacionet e para partizane në Shqipëri, krahas asaj të Pezës.

 

Ata muarën pjesë në të gjitha luftimet dhe në të gjitha inkursionet e çetës, derisa ajo u shpërbë, duke u shpërnda në formacione të tjera partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

 

 

Xhemal Ujaniku nuk u nda asnjë ditë nga luftimet derisa i ati i tij, Mestani shkoi komandanti i Qarkut të Beratit dhe çeta e tij u nda në tri çeta të tjera. Një luftëtar i sprovuar si Xhemal Ujaniku nuk mund të qëndronte në vend, ai mori nën komandë një nga këto çeta.

 

Veproi kryesisht në zonën e Tomorricës së Gramshit dhe të Gorës.

 

 

Mestani me djemtë, Xhemalin, Vehepin dhe Hetemin

 

Me organizimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ai emërohet komandant kompanie në Brigadën e 10-të Sulmuese dhe, më  pas, në atë të 12 Sulmuese, ku e zuri edhe çlirimi i Shqipërisë.

 

 

Pas çlirimit Xhemali emërohet oficer në Shkodër, Tiranë e Kavajë, ku la gjurmë të një njeriu të drejtë e korrekt, por edhe të aftë për detyrat që i ngarkoheshin.

 

 

Pas arrestimit të të atit, Mestanit, në Shkodër, me të ashtuquajturin “Grupi i Deputetëve”, që më pas edhe vdiq në burg, kuptohet, për Xhemalin nuk do të vinin ditë të mira. Ai do të vuante kusuret e të atit, ato kusure që i ati nuk i kishte bërë kurrë.

 

Zenel Bakiasi, Xhemal Ujaniku, Bajram Ujaniku

 

Në vitin 1947 arrestohet me akuzën absurde “për rrëzimin e pushtetit popullor”, e atij pushteti për të cilin luftoi dhe dhanë jetën disa nga shokët e tij më të mirë. Ishte e njëjta akuzë që ishte ngritur edhe për të atin.

 

 

 

Pas kalvarit të burgut ai kaloi kalvare të tjerë internimi e pune të detyruar në Tiranë e, më pas, në Elbasan, ku dhe bëri jetën deri në fund sa vdiq.

 

 

Por fisi është fis e karakteri karakter. Ai s’e uli kurrë kokën. U bashkua atje ku i ra të punonte me shokët e kolegët e punës, punëtorë të thjeshtë, duke lënë te ta gjurmë të pashlyera, si dikur në luftë, të një njeriu të mirë, të aftë, me kulturë dhe inteligjent.

 

 

Është kjo arsyeja që atë e donte dhe e respektonte gjithë Elbasani dhe që e përcolli për në banesën e fundit me dhimbje, por edhe me një respekt të veçantë.

 

 

Në telegramin e ngushëllimit që i dërgoi Presidenti i Republikës Alfred Moisiu familjes së Xhemalit, e cilëson atë si një Familje Martire, që i dha Luftës dhe Atdheut, megjithëse mbi ta ra padrejësisht dhuna dhe persekutimi.

 

Fotoja e kopertinës:

 Xhemali me bashkëshorten, Liri Dingon (Rogu)