
“Nëse për të mundur fashizmin në Skrapar u deshën tre vjet, për të mundur veten tonë na u deshën më shumë se 30 vjet dhe akoma s’po e mundim”…
Ajo që duhej dhe që pritej nga kjo veprimtari, ishte bashkimi i shoqatave dhe i skraparllinjve në një shoqatë të vetme!…Por, fatkqësisht, këtij bashkimi nuk i a doli as Mestani!…
Zylyftar Hoxha
Në ligjëratën time të shkurtër do të ndalem në dy histori të personazhit për të cilin jemi mbledhur, luftëtarit të shquar, Mestan Ujaniku.
Mestan Ujaniku ka dy histori, një në gjallje deri në vdekje dhe tjetrën pas vdekjes. Të dyja të dhimbshme, të dyja mes kalvaresh të vërteta vuajtjesh dhe mundimesh, të dyja në një shkallë të tejskajshme çnjerëzore, sa një njeri normal, i çfarëdo kulture dhe niveli që të jetë, nuk e koncepton dot se çfarë fati të zi pati ky njeri!
Më poshtë po ndalem te kjo pjesa e dytë e historisë së tij, te lufta dhe përpjekjet që janë bërë këto 35 vjet nga shoqata “Tomorri” për rehabilimin e tij, për të vënë në vend nderin, dinjitetin, personalitetin e tij si një udhëheqës dhe luftëtar popullor, si një patriot i madh.
Më vjen mirë të përmend këtu një kolegun dhe mikun tim, Naim Zoto, që po merret me një tjetër figurë interesante të Luftës të Skraparit, Xhelal Staraveckën, që thotë:
“Nëse për të mundur fashizmin në Skrapar u deshën tre vjet, për të mundur veten tonë na u deshën më shumë se 30 vjet”.
Kishte 50 vjet, që në Skrapar, për shkaqe që dihen, politike dhe ideologjike, emri i Mestan Ujanikut për keq zihej, por për mirë nuk ishte përmendur anjëherë. Madje ishte harruar fare! Në muzeun historik të qytetit, një nga më të mirët muze lokalë të asaj kohe, ishin fotografitë, armët, bustet e ushtatëve të tij, por që mungonte komandanti!… Asnjë shënjë për të!
Pas viteve ’90, si kudo edhe këtu, në Tiranë e Skrapar filluan të gërmohej nëpër arkiva, nëpër dokumente të ndriçohej fati i këtyre njerëzve dhe të vendosëshin në vendin që u takonte në altarin e historisë.
Natyrisht, Mestani ishte më fatkeqi.
Në vitet 1992 – 1993 u botuan në shtypin e kohës dy shkrime nga bashkëvuajtës të Mestanit, që më shumë ishin kujtime, ku tregoheshin tmerret dhe tortuarat që i bëheshin atij në burgun famkeq të Shkodrës, deri sa një ditë korriku të vitit 1948, iu ngeli gardianëve në duar.
Në mars të vitit 2000 rikrijohet shoqata “Tomorri” Tiranë, me kryetar Nuri Çunin dhe president Xhevahir Spahiun. Gjëja e parë që u vendos në objektivat e Shoqatës ishte të rishikohej historia e Skraparit, e cila ishte deformuar nga ideologjia. Dhe rishikimi, do të nisej me Çetën e Skraparit dhe komandantin e saj, Mestan Ujaniku.
Këtë punë e mori vetë në dorë Xhevahir Spahiu, i cili ngriti grup pune me historianë, veteranë, gazetarë dhe shkrimtarë, të cilët, pas disa muajsh nxorën një botim modest të çetës së Skraparit me të dhëna më të plota, ku dilte në pah edhe roli i komandantit të saj Mestan Ujaniku.
Ky qe hap i parë i një pune vërtetë seroze. Ndërkohë, Nuri Çuni u dërgua me mision të gërmonte nëpër arkiva.
Dhe një ditë prej ditësh Nuriu erdhi i ngarkuar si bleta nga Arkivi i Ministrisë së Brendëshme. Kishte shfletuar dhe kopjuar dosjen e Mestan Ujanikut.
Mbi bazën e dokumenteve kemi bërë një shkrim, i parë me lupë edhe nga Xhevahir Spahiu, të cilin e botuam në “Dielli i Tomorrit”, nën titullin “Mestan Ujaniku, sa borxhe i ka këtij njeriu historia”?!…
Ky shkrim ngeli si bazë edhe për shkrime të tjerë më pas, pasi kishte shumë referenca dokumentesh.
Ishte përsëri Xhevahir Spahiu, tashmë në rolin e këshillarit të Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, i cili, jo se i pëshpëriti në vesh Presidentit, por e mbushi dhe e bindi atë me fakte dhe me dokumente se çfarë figure ishte Mestan Ujaniku.
Dhe Presidenti gjeti rastin më të afërt, dhe në daljen e parë jashtë Tirane, në Festën e 5 Shtatorit të vitit 2000, u dorëzoi familjarëve dhe autoriteteve vendore nderimin më të lartë të kohës, “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.
Një akt i lartë që gëzoi zemrat e shumë ish luftëtarëve dhe njerëzve të thjeshtë të Skraparit që kishin njohur në ditë të vështira luftëtarin Mestan Ujaniku, por njëkohësisht, la me gisht në gojë fanatikët e sistemit, të cilët nuk pushuan, deri edhe tek këto ditët e fundit të mbanin qëndrime ekstreme neveritëse dhe të palogjikshme, duke u bërë pengesë serioze për reabilitimin e Mestanit në Skrapar për një kohë relativisht të gjatë.
Para 10 vjetësh, me nxitjen edhe të nipit të Mestan Ujanikut, Kujtim Musabelliun, me banim në Amerikë, një grup nismëtarësh të shoqatës “Tomorri”, dega Durrës, me kryetar Hajri Nuhun, realizuan një bust në bronz për në Muzeun e Historik të Skraparit, një dokumentar, skenarin dhe regjinë e të cilit e bëra unë dhe botimin e një monografie historike me autor Dule Kalemin, një veteran, mik i familjes së Mestanit.
Organizuam veprimtari me bustin në sfond dhe shfaqëm dokumentarin në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Berat.
Por, fatkeqësisht, busti nuk shkoi në Skrapar dhe nuk u fut dot në Muze, sepse partia politike që kishte pushtetin lokal në atë kohë, ishte në prag zgjedhjesh dhe pati frikë se rehabilitimi i Mestan Ujanikut do t’i prishte balancat numerike të zgjedhjeve dhe arsyea e dytë, ishte se autoritetet zyrtare të mbrojtjes së vlerave të Luftës në Skrapar, siç ishte Komiteti i Veteranëve të Luftës, mbajtën një qëndrim të çuditshëm, kundër, qëndrim që e kanë edhe sot e kësaj dite.
Kështu që busti ngeli për dhjetë vjet me radhë në një garazh makinash.
Ka qenë përpjekja e shoqatës “Tomorri” Durrës, si dhe mirëkuptimi dhe gatishmëria e Kryetarit të Bashkisë, Adriatik Mema, që busti në ditën e 5 shtatorit të vitit të kaluar, është nisur si “I teti në broz” nga Durrësi në Skrapar për t’u vendosur, pranë shokëve të Luftës në Muzeun e Çorovodës.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, kryetari Bashkisë, Adriatik Mema premtoi se do të luftonte për një përmendore në mes të qytetit për Mestanin, premtim që, me vendimin e fundit të Këshillit Bashkiak, u realizua dhe beteja e rehabilitimit të figurës së Mestan Ujanikut quhet e fituar plotësisht.
(Këtu do të desha një duatrokitje të fortë mirënjohëse për kryetarin e Bashkisë, Adriatik Memën për këtë akt të shumëpritur patriotik, por nuk po shoh asnjë përfaqësues të bashkisë)
A është veprimtaria e sotme kurorëzimi i kësaj fitoreje, apo do të jetë një tjetër, këtë nuk mund ta them se nuk e di dhe nuk kam ndonjë tagër përfaqësues! Por, siç thotë populli, kjo veprimtari duket si një “kulaç mbi bukën”, më shumë për të zgjidhur hallet e organizatorëve se sa të Mestanit, për të cilin u fol fare pak dhe fare përciptazi.
Ajo që duhej dhe që pritej nga kjo veprimtari, ishte bashkimi i shoqatave dhe i skraparllinjve në një shoqatë të vetme!…
Por, fatkqësisht, këtij bashkimi nuk i a doli as Mestani!…
…sepse nuk kishte ardhur pjesa tjetër!…
Faleminderit!
Tiranë 11. 07. 2025