Nuri Vlusha (Mançe), rruga me shumë të panjohura e një atdhetari të flaktë

Nuri Vlusha (Mançe), rruga me shumë të panjohura e një atdhetari të flaktë

 

Tomorr Vlusha

 

Lindi në Vlushë të Skraparit në vitin 1888.

Si mjaftë burra e djem të zonës, edhe Nuriu, ende pa mbushur 17 vjeç shkoi emigrant në Turqi. Me ndihmën e bashkëatdhetarëve të tij, Nuri Vlusha kishte filluar të mësonte shkrim e këndim.

 

 

Ishte fat për të njohja me burra si baba Meleq Staravecka, Dule e Hasan Koprëncka, me bashkëfshatarin e tij Maliq Skrapari e mjaft atdhetarë të tjerë, me të cilët do të niste rruga e tij me shumë të panjohura për moshën dhe formimin e tij si atdhetar.

 

Lartë, në këmbë: Baki Qafa, (I paidentifikuar), Tahir Vëseshta. Poshtë, ulur:Riza Meçani, Nuri Vlusha, Riza Cerova, Muço Kapinova (Bakiasi), Riza Hasa (Kapinova), Qamil Bubësi.

 

 

Në këtë mjedis për Nuriun e ri do të kultivohej besnikëria dhe vetmohimi për çështje të mëdha të kombit ku ai arriti të kuptonte se nuk duhet të kishte frikë për të guxuar, pavarësisht rreziqeve dhe pengesave që do t’i dilnin përpara.

 

 

Në vitin 1905 ai po shquhej si një veprimtar me zë i çështjes kombëtare duke bërë pjesë  Shoqërinë e Stambollit. Nuri Vlusha udhëhiqej dhe frymëzohej nga kleriku bektashi baba Meleq Staravecka me të cilin kishte lidhje shumë të forta.

 

 

Në vitin 1911, kur në rrethet patriotike të Selanikut, Stambollit dhe Amerikës çështja shqiptare po bëhej imediate, ai mori rrugën drejtë Amerikës duke e vazhduar atje luftën për çështjen shqiptare. Në Amerikë u vendos në qytetin Sallbric, qytet ku iu mundësua të punonte në një uzinë metalurgjije në të cilën gjendeshin edhe shumë emigrantë të tjerë shqiptarë. Atje u bë antar i shoqërisë “Vatra” të cilën jo shumë kohë më vonë e mori përsipër ta drejtonte vetë.

 

 

Falë aftësive të tij si organizator dhe njeri me influencë në komunitet, u arrit për një periudhë relativisht të shkurtër që shoqata “Vatra” në qytetin e Sallbricit të kishte në radhët e saj 600 antarë dhe që të konsiderohej dega më e fuqishme në të gjithë Amerikën.

 

 

Synimi kryesor i shoqërisë “Vatra”ishte të ndihmonin për shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë e cila po përgatitej nga plaku i Vlorës, Ismail Qemali.

 

 

Nuri Vlusha u khye në Atdhe në vitin 1919. Edhe pse tashmë vendi ynë kishtë fituar pavarësinë, çështja e kufijve ishte ende në diskutim dhe shtetet fqinje edhe pse Lufta e parë botërore kishte përfunduar, ata kërkonin të aneksonin territoret shqiptare.

 

 

Nuriu mori kontakte me forcat patriotike të Komitetit për Shpëtimin Kombëtar të Korçës të cilët po luftonin si ndaj synimeve franceze, edhe kundër trupave greke që donin të aneksonin Korçën me rrethinat e saj. Nuriu u bashkua në zonën e Skraparit me Hysen Zaloshnjën e Ali Koprënckën, duke punuar për mobizimin e forcave vullnetare dhe krijimin e çetave patriotike të cilat u grumbulluan në Gjergjevicë e prej aty të sulmonin forcat greke, të çlironin Korçën dhe atje të ngrihej perseri flamuri shqiptar.

 

 

Në pranverën e vitit 1920 Nuriu ishte në krah të Riza Cerovës, të Muço Kapinovës e Ali Koprënckës dhe si pjesëtar i çetës me 300 skraparllinj ai mori pjesë në luftimet kundër forcave italiane në Leskovik, Përmet, Tepelenë, Kaninë e Panaja të Vlorës duke larguar forcat italiane nga Shqipëria.

 

 

Nuri Vlusha mbështeti patriotët e Skraparit për Kongresin e Lushnjes dhe në vitet 1921-1923 ai mori pjesë në të gjitha veprimtaritë që u zhvilluan në Skrapar për mbështetjen e Ali Koprënckës i cili do të shpallej deputet.

 

 

Nuri Vlusha u përfshi në ngjarjet e Revolucionit të Qershorit të vitit 1924 në mbështetje të Qeverisë së Fan Nolit. Pas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit, bashkë me shumë patriotë të tjerë si Riza Cerova, Muço Kapinova, Ali Nishica, Ali Koprëncka, Myrto Cerova etj u detyruan të arratisen në Greqi ku do të vazhdonin veprimtarinë e tyre antizogiste.

 

 

Në vitin 1935, me fillimin e Lëvizjes së Fierit, ai u bë pjesë aktive e Kryengritjes. Pas vrasjes së Riza Cerovës ai u detyrua të emigronte, këtë radhë  në Australi. Atje Nuri Vlusha vazhdoi të shërbente e kontribonte për Shqipërinë.

 

 

Ishte një nga organizatorët e Shoqërisë “Skënderbeu” me përfshirjen e shumë emigrantëve shqiptarë të Australisë. Nuri Vlusha u zgjodh N/Kryetar i kësaj Shoqate. Në vitin 1948, pasi vendi ishte çliruar nga pushtimi nazist ai u kthye në Atdhe.