
Mbi kuptimin e emërtimit Skrapar
Muharrem Abazaj
Krahina e Skraparit, si të gjithë trojet shqiptare, është banuar shumë herët, që në kohët prehistorike. Këtë e vërteton më së miri arkeologjia.
Gjetjet arkeologjike në fshatin Vlushë të Skraparit janë përcaktuar si të periudhës së neolitit, por edhe me gjetje mezolizike.
Thënë më qartë, kjo krahinë ka qenë banuar mbi 4000 vjet më parë. Për ne ka interes të dimë se a janë paraardhësit tanë ata që kanë ndërtuar banesat e para këtu?
Ka mjaft tregues që flasin në favor të kësaj vazhdimësie. Ka fakte historike: në trojet shqiptare kanë banuar ilirët dhe në territorin e Skraparit ka banuar fisi ilir i Dasaretëve dhe në zonën e Tomorricës, kufi me Korçën, kanë banuar Enkelejt.
Festat pagane si Dita e Verës, Shëngjergji, këngët me iso, vajtimi me “oi”, veshjet, etj., janë tregues të kësaj vazhdimësie.
Prova më e saktë për të vërtetuar në se banorët më të lashtë të këtyre trojeve kanë qenë paraardhësit tanë, ilirët, është vazhdimësia e gjuhës. Këtë e vërejmë edhe në emërtimet e lashta, përfshirë këtu edhe emërtimin Skrapar.
Të gjitha emërtimet e lashta janë bërë duke përngjitur fjalët njërrokëshe. Kjo ka ndodhur për faktin se gjuha e lashtë shqipe, ende e pa zhilluar plotësisht, nuk ka patur elemente ndihmëse gjuhësore si parashtesat, prapashtesat, nyjet, të cilat shërbejnë për t’i vënë në marrëdhënie fjalët me njëra-tjetrën.
Edhe emërtimi Skrapar më këtë mënyrë është bërë, duke përngjitur tri fjalë njërrokëshe::sk – ra – par.
Fjala (sk) në gjuhën e lashtë shqipe ka patur kuptimin e pjesëzës mohuese jo, mos, të shqipes së sotme.
Ata që janë më të moshuar mund ta kujtojnë mirë se, kohë më parë, kur i drejtohëshe dikujt duke e pyetur për diçka, dhe, në rast të një përgjigje mohuese prej tij, ai shqiptonte disa tinguj përafërsisht si cuq. Kjo fjalë nuk i ka rezistuar fjalorit të shqipes së sotme, pasi nuk mund të shkruhej.
Pra fjala sk ka patur kuptimin nuk. Fjala ra ka patur kuptimin e foljes shkon, por në dialektin e gegënishtes, me ra. Shembul: Kam ra në katun. Kam shkuar në katund. Fjala par ka patur kuptimin e ndajfoljes para, përpara.
Do të kemi: sk ra par. Tri fjalët e përngjitura japin kuptimin: “Nuk shkohet përpara”. Pse të jëtë bërë ky emërtim? Pse nuk shkohet përpara?
Skrapar është quajtur territori që shtrihet në të dy anët e Osumit duke filluar nga Poliçan – Bogova e deri tek fshatrat më jugorë të tij, Malind dhe Sevran. Kurse pjesa tjetër është quajtur Tomorricë.
Banorët e parë që janë vendosur në këto territore, sigurisht që e kanë filluar eksplorimin e tyre duke ardhur nga drejtimi i Beratit dhe kanë ndjekur rrjedhën e Osumit.
Edhe pse lugina e Osumit përgjithësisht është e ngushtë, mund të përshkohet nga të dy anët e lumit. Por arrin në një pikë, ku lugina e tij ngushtohet shumë. Ky ngushtim fillon nga vendi ku lumi Osum ka bërë një kthesë të madhe në të kundërt të rrjedhës së tij, në drejtimin të juglindjes. Terreni malor dhe ngushtimi i luginës e vështirësojnë së tepërmi lëvizjen për në drejtim të Korçës.
Edhe në drejtim të jugut dhe perëndimit terreni është shumë malor dhe bëhet shumë e vështirë lëvizja drejt Kolonjës dhe Përmetit.
Një formë e tillë e terrenit jep përshtypjen se këtu lugina e Osumit është mbyllur. Pikërisht ky vend, ku krijohet kjo mbyllje e kësaj lugine, quhet Ambull..Këtu nuk ka as shenja të ndonjë venbanimi të hershëm, por as të vonshëm. Thjesht këtë emër e mban vetëm vendi.
Të shohim cili është kutimi i këtij emërtimi, ambull.
Ky emërtim është formuar nga përngjitja e dy fjalëve njërrokëshe: a – mbull. Fjala (a) ka kuptimin e foljes asht (është), në dialektin e gegënishtes. Fjala mbull ka patur kuptimin e foljes mbyll, a mbyll. Është mbyllur.
Ky emërtim tregon se në këtë pikë lugina është mbyllur dhe për këtë shkak nuk mund të ecet më përpara.
Përfundimisht themi se Skrapari e ka marrë këtë emër që në lashtësi, pasi kur është ndjekur lëvizja përmes luginës së Osumit për të shkuar më në drejtim të Korçës, Kolonjës dhe Përmetit, ka qenë tepër e vështirë, për të shkuar përpara. Mjafton të shtojmë se ende në ditët tona nuk ka rrugë automibilistike që të lidhë Skraparin me rrethet fqinjë, Korçën, Kolonjën dhe Përmetin.