
Eqerem bej Vlora për kullotat e Ujanikut
-Nga libri “Nga Berati në Tomorr”, botim i vitit 1908 –
Eqrem bej Vlora ishte politikan, diplomat, publicist, si dhe një prej delegatëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Ai lindi në Vlorë në vitin 1885, në një prej familjeve më të pasura të jugut të Shqipërisë.
Kreu liceun “Theresianum” në Vjenë dhe studioi për drejtësi në Stamboll. Shërbeu në poste me rëndësi në Perandorinë Osmane. Më vonë u bashkua me xhaxhanë e tij, Ismal Qemal Vlorën, në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë.
Në vitin 1924 zgjidhet deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese dhe në 1925 u zgjodh senator. Ai ka shërbyer në misione të ndryshme diplomatike. Në vitin 1928 u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër e në 1930 në Athinë. Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Jashtme në 1933 dhe deputet i Vlorës në 1937. Në vitin 1942 – 1944 ka qenë, në qeverinë e Mustafa Krujës dhe të Fiqri Dines.
Pas Luftës së Dytë Botërore emigroi në Itali e më pas në Austri. Eqrem Vlora ka shkruar libra me kujtime, studime historike, kulturore e etnografike
Vdiq më 30 mars 1964 në Austri. Me rastin e 50 vjetorit të vdekjes eshtrat e Eqrem Vlorës kthehen në Shqipëri duke përmbushur kështu amanetin e tij për t’u prehur në atdhe.
Më posht po japim në mënyrë të shkurtuar pjesë të ditarit të tij ku shkruan për Ujanikun:
Ujaniku ka qenë oda e miqve,ose bujtina më bujare e atyre që vinin në Tomorr, qofshin pelegrinë besimtarë, udhëtarë, studiues të huaj evropianë, gjahtarë e qejfëllinj romatikë, si fjala bie, Eqrem bej Vlora, që ndenji këtu për qejf mbi një muaj në vitin 1906 etj.
Në ditarin e tij shumë interesant, ai shkruan për një vizitë që i ka bërë një familjeje në Ujanik.
“Fshati ishte i tëri një fis dhe mbante mbiemrin Musabelliu, – shkruan ai. Bujta te një “bej” siç janë bejlerët pa ferman këtej, që ishte një malësor me shajake e qostekë. Në bisedë më bërëi përshtypje dhe mësova nga plaku që pronat dhe kullotat në malin e Tomorrit ai e kishte blerë nga vllenjtë sarakaçenë, që e kishin me tapi këtë mal nga Hanëm Sulltani. Plaku i kishte treguar me dorë pjesët e malit duke thënë se për këto pjesë kishte paguar një një mushkë me flori”.
Pasi e kishin shitur malin vllenjtë ishin ulur për të banuar poshtë në fushë, në Vërtop të Beratit, në Urën Vajgurore, në zonën e Qafës së Sqepurit dhe të Roskovecit, ku janë edhe sot. Një pjesë e tyre kishin shkuar edhe në zonën e Pindit në Greqi
Madje Eqrem bej Vlora bën një portret gati përçmues për këtë plak të shkurtër dhe shtrembaluq, duke e quajtur bejlurçinë, por i jep hakun kur thotë se ai i kishte sytë xixë që tregonin zgjuarsi dhe ishte mjeshtër për ta vënë dhe administruar gjithë atë pasuri”.
Më tej beu sqimatar i Vlorës nuk lë pa përmendur djemtë e shtëpisë, që i quan të bukur, si lisa dhe që lëshonin dritë kur hynin në derë.