
Qyprilinjtë, kryeministrat e famshëm të Perandorisë Osmane i mbetën mirënjohës dhe “borxhli”Arkitekt Kasëmit që i futi në histori
Doktori i Shkencave Ermal Nurja, ekspert otomanolog i arkivave pranë Arkivit të Shtetit Shqiptar, diplomuar në Universitetin e Stambollit, Turqi, duke kërkuar të dhëna në arkivat Osmane për dinastinë e Qyprilinjve, sjell një fakt tepër interesant që ka lidhje me kryearkitektin e Perandorisë Osmane, Mimar Kasëm Grëmshin, çka tregon jo vetëm lidhjet e ngushta që ai ka patur me Sulltan Mehmet (Mehmet Gjuetarin) dhe Sulltaneshën Turhan, por edhe një akt patriotik, burrëror me Qyprilinjtë e Roshnikut.
Sipas hulumtusit Ermal Nurja, Sulltan Mehmet Gjahtari brenda një periudhe të shkurtër kishte shkarkuar mbi dhjetë kryeministra. Ai kur i ngarkonte me këtë detyrë të rëndësishme, kishte vetëm një kusht të pa negociueshëm: nuk duhet t’i kthehej asnjë akt i firmosur prej tij.
Në një shkarkim të fundit, i kërkon një emër arkitekt Kasëmit me të cilin kishte miqësi dhe këshillohej shpesh.
Dhe Arkitekt Kasëmi, pa u menduar gjatë, i jep emrin e Mehmet Pashë Qypriliut, të cilin e kishte jo vetëm mik dhe që rrinte shpesh me të, por edhe patriot nga krahina e tij.
Qëlloi që veç Arkitekt Kasëmit, mendim të mirë për Mehmet Pashë Qypriliun kishte e Sulltanesha Turhan, gjë që e bëri akoma më të padiskutueshëm emrin e tij si kryeministër.
Kompleksi i varreve të Qyprilinjve
Menjëherë, megjithëse në moshë të madhe, Mehmet Qypriliu filloi punë në detyrën e lartë, nuk iu kthye asnjë akt shkresor dhe asnjë urdhër. Gjatë gjithë periudhës që drejtoi bëri një punë të shkëlqyer.
Ishte Kryeministri i parë Qyprili, që “hoqi këmbën zvarrë” dhe pas tij, në kohë të ndryshme, nga fundi i shekullit të 17-të dhe fillimi i shekullit të 18 – të u bënë edhe gjashtë Qyprilinj të tjerë Kryeministra dhe nëpunësa të lartë.
Por ajo që ka rëndësi për ne në këtë rast, është akti dashamirës që ka treguar Arkitekt Kasëmi, jo vetëm për Kryeministrin e parë Qyprili, por për të gjithë dinastinë e tyre në shekuj. (Z. H. “Orakujt e Tomorrit”)