
“Korça Report”: Lamtumirë kolegu ynë, gazetar dhe poet, Pëllumb Çuni!
Një lajm i hidhur është ndarë këtë të enjte në mëngjes për ndarjen e papritur nga jeta të një kolegu gazetar dhe krijues në poezi, njeriut me taban Skrapari Pëllumb Çuni.
Në vendlindjen e tij, fshatin Mollas, ku ishte tërhequr prej vitesh e kalonte një jetë mes aromës e bimëve të malit që i njihte dhe i grumbullonte për ilaç, një gotë raki dhe pak meze, shkrimit të poezive dhe shkëmbimit të mesazheve me miqtë e shokët e shumtë, Pëllumb Çuni u shua befas.
Të afërm të të ndjerit thanë se Plumbi humbur jetën në moshën 66 vjeçare si pasojë e një hemoragjinë cerebrale. Deri ditën e fundit foli për letërsi e për zonën e Skraparit me mikun e tij Luman Caka.
Pëllumb Çuni ka qënë një penë e hershme e gazetarisë shqiptare. Me ardhjen në Korçë ku qëndroi për disa vite, ai punoi ndër të tjera edhe si korrespondent i gazetës së njohur “Panorama”. Kolegët e kujtojnë si një njeri emblematik për nga urtësia në kuptimin më të plotë të fjalës.
Pëllumb Çuni ishte edhe një krijues i fjalës poetike, me disa libra të botuar, ku spikat tharmi prej skraparlliu si ai i Poetit të mirënjohur Xhevahir Spahiu, të cilin e kishte mik si shumë por të tjerë dhe e adhuronte.
Për arsye familjare, Pëllumb Çuni disa vite më parë vendosi të largohej nga Korça për të jetuar si një lloj asketi krenar në vendlindjen e tij. Prej atëherë na la një boshllëk në takimet e tavolinat tona, por më e rëndë dhe e dhimbshne është ndarja e tij e parakohëshme nga jeta.
Lamtumirë Njeriu i Urtë Pëllumb Çuni! Zoti të pastë pranë në Parajsë për mirësinë që le trashëgimi në jetën tokësore!
Gjejmë rastin që, kësaj fjale ngushëlluese të kolegëve tanë të Korçës, t’i bashkohet edhe ekipi ynë i “Orakujve të Tomorrit”, për t’i përciellë ngushëllimet më të sinqerta familjes për mikun dhe bashkëpunëtorin tonë të kahershëm dhe të pandarë, Pëllumb Çuni.