
Mushka, mbesa e Kalit Me Shalë
Sefedin Çela
E sapolindur, mushka e vogël ishte një mëzkë e shpifur, me këmbë të holla si klecka e turishtypur. Dy muaj me vonë, si u çua mire e bukur në këmbë e iu bashkua tufës, gjindja vunë re se mëzka e vogël rrinte e veçuar ; e ëma, pela pullalie, s’para e çante kokën për të , sikur të mos e kishte të vetën!
Pas gjashtë muajsh, ajo hodhi trup, ecte e ngrefosur, sikur kishte kapërdirë okllainë, u rrit e u zbukurua , duke nxitur zilinë e cmirën e gjithë komunitetit të kafshëve, të shpëndëve, madje e të breshkave , urithëve e iriqve, domosdo edhe të kafshëve të egra mishngrënëse të pyllit, që , në fshatra tashmë gati të boshatisura, në s’rrëmbenin dot ndonjë pulë a qëngj, të paktën hidhnin një sy e dinin ç’bëhej.
– Mua mund edhe të më kenë lënë sytë, po më duket se kjo e vogla s’para ngjan me vëllanë e motrën më të rritur, – tha dhelpra , -nuk më duket as si kopile! U, më hëngërt mortja, tani m’u kujtua, kjo qënka mushkë!
Kafshët e pyllit hidh e prit rromuze me kafshët shtëpiake, një pjesë e të cilave kishin mbetur azat, se të zotërit e tyre, ku rafsha mos u vrafsha, ishin rrokullisur me kuç e me maç në periferi të qyteteve.
-Ajo fyçka, pela pullalie, paska gjetur t’a dredhë me një palo gomar? Ndrrohet rasati me një gomar?-tundi kokën cjapi brirëmadh.
Ne atë komunitet kafshësh kishte edhe tre katër mushka të tjera, të blera s’dihet se ku e, meqë nuk u dihej as mëma as baba, nuk fliste kush per to. Aq më tepër që ato ishin shtruar, pra mbanin samar, nuk ishin hundë përpjetë e nuk kishin qibër. Mushka e fabulës në fjalë as që dinte ç’ishte samari , s’i kishte thënë asnjë pune mirëmëngjesi , ndihej e bukur se ishte e bukur dhe se e shihte këtë në zilinë e të tjerëve.
\
Hatërmbetur nga indiferenca e së ëmës që s’e mbante afër si bijë, kokëfortë , inatçore e pak avdalle si i ati, ajo filloi të luante në të dy krahët. Hiqej si e të së njëjtës dorë e sërë nga ana e babait dhe e fisshme e fodulle nga ana e së ëmës. Mospërfillëse, xanxare, bravare, hante ku t’i delte majë n e gjësë, derisa rregullisht mësoi të hante në dy grazhde.
Vitet iknin e vinin njëri pas tjetrit, po bukuria e ndikimi i saj rritej.
Daja i saj, Kali Me Shalë , e kuptoi i pari se kjo mushkë ishte fati i tij, flori e shkuar floririt.
– Mbesa ime e mire, Mushkë, – e prezantonte ai majtas e djathas, e në mendje kishte mizërinë e fisit të saj nga babai, që pillnin shumë e që një ditë do t’i duheshin aq shumë.
– Jam mbesa e Kalit Me Shalë, – tundej e shkundej Mushka.
Arriti puna deri aty sa edhe veshgjati para gjindjes së vet fshihte veshët e prezantohej:
– Jam babai i Mushkes!
Te vinte plasja. Kali Me Shalë shinte e shante e bënte si të donte, na edhe e bija e fyçkes e dridhte tani edhe me pulitikë…
U bënë bashkë komuniteti i kafshëve shtëpiake me ato të pyllit.
– Delenxhesha, ajo qe s’pjell, Mushka , ajo e ka fajin. T’i tregojme vëndin! – thane njëherësh dy tri kafshë…
-Ty s’të qas njeri në grazhdin e kuajve ; thuaj me kë je e na sill këtu atë tët bijë që e ke zënë ferrave. T’i shkoqisim gjërat mirë e piqemi në zgjedhje! – gati e urdhëruan gomarin e ngratë.
Sikur të kishte qënë prapa derës e t’i kishte dëgjuar të gjitha, i a behu Mushka e , pa i thënë kush , mori fjalën:
– Mos më tregoni mua se ku e kam vendin, se e di mire; rrënjët i kam këtu. Gënjeheni nga përralla e Nastradinit “Ha, binish mish” dhe mendoni se veshja ime tregon zemren time? Unë i njoh tërë hallet që kemi këtu, njoh përpjekjet në vite e mos mendoni se gjaku më është bërë ujë!
Një pjesë e gjindjes duartrokitën, një pjesë, mosbesues deri në fund, u larguan.
– Unë e bëj atë që them, ma njihni kokën, jam kokëmushkë…
Kjo u dha fund hezitimeve, të gjithe e dinin si ishin mushkat : kur ngulin këmbë ato, edhe ato që janë mësuar me samar , përmbysin barrën e nuk luajnë vendit, trashëgimi prindërore nga babai.
Pati emocione të forta e duartrokitje frenetike nga të pranishmit kur Mushkën e propozuan si kandidate për ne Organin e Lartë Ligjvënës në atë komunitet të kafshëve shtëpiake e ato të pyllit, që tashmë i kishin shkrirë e bashkuar territoret.
Mushka fitoi. Menjëherë pas marrjes së mandatit, pa u kthyer fare te sëra e saj që e votoi, ajo bëri një deklaratë ala zhuveliste se mbështeste koalicionin e Kalit Me Shalë , për hir të stabilitetit të vëndit e mirëkuptimit social midis palëve…
Janar 2020