Dervish Iljazi, udhëtari i dritës në Hijen dhe nahijen e Tomorrit

Dervish Iljazi, udhëtari i dritës në Hijen dhe nahijen e Tomorrit

 

 Për Iljaz Qafokun – Nder i Kombit (19 shtator 1875 – 14 mars 1923)

 

 

Viktor Bakillari

 

Si sot 109 – vjet më parë, më 28 korrik 1916, dervish Iljaz Qafoku / Vërzhezha – Skrapari hapi prehtoren (teqenë) në zemër të malit të Tomorrit.

 

 

Dervish Iljazi, Nder i Kombit, ka qenë udhëtar i dritës në Hijen dhe nahijen e Tomorrit.

 

 

Dervish Iljaz Qafoku ishte nga ata mistikë që nuk e kërkoi botën jashtë vetes, por brenda saj. Udhëtimi brenda vetes është më i vështiri, por më sublimi.

 

Vetëm mistikët e vërtetë kryejnë një udhëtim të tillë.

 

I tillë ka qenë mistiku bektashi skraparas dervish Iljazi.

 

 

Ai i përket asaj kaste mistikësh shqiptarë (ndër më të mëdhenjtë!), që besonte se Zoti i dëgjonte më mirë ata që flisnin pak; u bë dervish punëshumë për të shërbyer si urë midis qiellit dhe tokës, midis tokësorëve dhe qiellorëve.

 

 

Dervish Iljazi ngriti në Tomorr jo thjesht shtëpinë për t’u strehuar, por shtëpinë e shpirtit për të gjithë ata që kërkonin dritë e përdëllim shpirti.

 

Shtëpia për strehim është thjesht llaç e gurë, e dritare, e oxhak, e çati, e zjarr brenda.

 

 

Shtëpia e shpirtit që ngriti dervish Iljazi është FRYMË, është teqeja e Kulmakut, e cila shërben(te) si vend prehjeje dhe dyndjeje aspak pushtuese nga krejt vendi dhe më gjerë.

 

 

Sqarim shumë i rëndësishëm.

 

Kur themi “Dervish Iljazi ndërtoi teqenë e Kulmakut (Kulmak: toponim / emër vendi), kuptimi është ndërtoi teqenë në Kulmak, por emërtimi zyrtar i saj në mos është, duhet patjetër të jetë “Teqeja e dervish Iljazit në Kulmak / Tomorr”.

 

 

Në këtë prehtore (teqe) njerëzit vinin me halle dhe ktheheshin pa derte, vinin për të kaluar natën dhe e gdhinin me dervish Iljazin duke folur për mistikë, për hallet e tyre dhe për rrugët që u jepte dervishi për zgjidhjet e tyre.

 

 

Njerëzit që bunin në atë teqe vinin për t’u lutur dhe dilnin të lehtësuar në shpirt.

 

 

Dervish Iljazit nuk i kanë ngritur bust të madh, por çdo gur i Tomorrit, çdo pëllëmbë tokë e këtij mali të shenjtë, çdo lis, çdo pishë, çdo ah, çdo kaçubë, çdo barishte, çdo gllënjkë ujë, çdo pikë(l) shiu, çdo flok bore ka një copëz nga fryma e tij e amshuar.

 

 

Mali i shenjtë i Tomorrit qysh para një shekulli e tëhu lidhet me Nderin e Kombit dervish Iljazin.

 

Krahina e Tomorricës e ka të vetin dervish Iljazin.

 

Banorët e moçëm të saj shprehin habinë “Ja dervish Iljaz, ore!” dhe betohen “Për dervish Iljazin!”.

 

 

Studiuesi Gjergj Qafoku pranë bustit të Dervish Iljazit në Kulmak

 

Jehona e tij është deri në Kryegjyshatë, po Tomorrica e mban si birin e vet dhe njërin nga njerëzit më me ndikim të shekullit.

 

 

Dervish Iljazi për meritat e tij për atdhe e për fe (Deviza e bektashinjve: Pa atdhe, nuk ka fe!) u vlerësua nga organi më i lartë, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhrin (dekoratën) NDERI I KOMBIT (pas vdekjes) me motivacionin:

 

Dervish Iljaz Qafoku (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi dhe nderimi ndaj klerikut të përkushtuar, i cili gjatë gjithë jetës së tij u shqua për atdhetarizëm e kontribut të dhënë për arsimin kombëtar, figurë që i dha krahë dhe lartësoi pelegrinazhin e shenjtë në Malin e Tomorrit”.

 

 

Shërben kush shërben në atë teqe, fryma e përhershme e dervish Iljazit është aty rrotull duke pritur e udhëzuar cilindo që shkon me zemër të pastër.

 

 

Teqeja e dervish Iljazit në Kulmak / Tomorr shërben si institucion grishës e mikpritës për cilindo që është i pastër në shpirt!

 

 

Shkoni dhe nderoni atë teqe dhe themeluesin e ndërtuesin e saj Nderin e Kombit, dervish Iljazin!

 

 

 

28.07.2025