Skënder Malindi: I veçanti, uniku, trimi, rebeli, i shari, i anatemuari, “miku”, “armiku”, skraparlliu ynë i madh që nuk e njohëm dhe nuk e besuam asnjëherë…

Skënder Malindi: I veçanti, uniku, trimi, rebeli, i shari, i anatemuari, “miku”, “armiku”, skraparlliu ynë i madh që nuk e njohëm dhe nuk e besuam asnjëherë…

 

 Zylyftar Hoxha

 

U bënë nëntë vjet nga ndarja nga jeta e një emri të njohur të ushtrisë shqiptare, siç ishte Skëndër Malindi.

 

 

Skënderi lindi në Malind të Skraparit më 5 qershor 1920 në një familje me emër të Skraparit. Shkollën fillore e kreu ne Konviktin Krahinor të Vërzhezhës, mësimet e mesme i mori në gjimnazin e Tiranës (1931- 1937). Më pas shkoi për studime në shkollën ushtarake të Milanos, ltali.

 

 

Kur po përgatitej për të dhëne provimet e të titullohej oficer, në vitin 1940 ai nuk pranon të marre pjesë në një ceremoni të ngritjes së flamurit italian, duke deklaruar se ky nuk është flamuri i kombit tim. Ky qe shkaku që u përjashtua nga shkolla.

 

 

Kur u kthye në Atdhe, fshatii Skënderit ishte bërë arenë e luftës mes italianëve e grekëve. Skënderi, duke patur urrejtje për okupatorin italian, së bashku me moshatarë të tij i godasin italianët, por ata hakmerren ndaj fshatarëve duke bombarduar fshatin.

 

 

Me pushtimi e fshatit, komandanti – një gjeneral grek, i informuar se Skënderi kish mbaruar studimet ushtarake dhe kishte ndjenja patriotike, i thotë: “Ti që veprove sot kundër italianeve, nesër mund të veprosh kundër nesh!”, pasi grekët si shovinistë kishin qëllime pushtuese ndaj vendit tonë, që do t’i shprehnin po të fitonin luftën. Prandaj e arrestojnë Skënderin dhe e internojnë në ishullin (Lesbo) në afërsi të Turqisë.

 

 

Me pushtimin gjerman të Greqisë, gjithë robërit shqiptarë u liruan, bashkë me ta edhe Skënderi. Pasi kthehet në Atdhe, me fillimin e Lëvizjes Antifashiste merr kontakt me udhëheqësit e luftës si me Mestan Ujanikun, Gjin Markun, Kahreman Yllin e të tjerë, duke u aktivizuar me organizimin e luftës në rrethin e Skraparit.

 

 

Në fillim të vitit 1943 komanda e Qarkut Berat e cakton komandant çete në komunën e Çepanit. Çeta nën drejtimin e tij merr pjese aktive në të gjitha veprimet luftarake në qarkun e Beratit kundër fashisteve italianë.

 

 

Më 20 shtator 1943 emërohet komandant i batalionit të rinisë “Margarita Tutulani”. Në krye të këtij batalioni ka marrë pjesë në të gjitha luftimet kryesore të zhvilluara, si në Tendën e Qypit, Qafën e Kiçokut, Bubës, Qafës së Shkozës, Paraspuar, luftime të ashpra këto që përballuan operacionin armik të dimrit 1943-1944.

 

 

Në një luftim në Paraspuar të Beratit Skënderi plagose rëndë. I mjekuar në spitalet partizane nuk gjeti shërim.

 

 

Me krijimin e Brigadës së 7-të Sulmuese, ashtu siç ishte i plagosur caktohet komandant i batalionit të parë të kësaj brigade, por në gjendjen që ishte nuk mund ta ndiqte e drejtonte batalionin.

 

 

Në shtator 1944 dërgohet për mjekim në Itali në spitalet aleate. Aty u nënshtrohet dy operacioneve që i shpëtuan krahun, por mbeti invalid i Luftës.

 

Plagosja ia ndërpreu karrierën ushtarake në lufte, por Skënderi me aftësitë e tij i arriti shokët. Ai u dërgua me grupin e parë te komandantëve të brigadave e divizioneve për studime në Akademinë “Frunze”, ish Bashkimi Sovjetik. Aty u dallua duke i mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera.

 

 

Me kthimin në atdhe Skënderi emërohet në Drejtorinë Operative të Shtabit të Përgjithshëm dhe merr pjesë në grupin operativ që drejtoi luftimet kundër provokacione greke në gusht 1949.

 

 

Skënderi ka shërbyer në detyra të larta në ushtri, komandant i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, komandant brigade në Shkodër e komandant divizioni në Korçë. Me pastaj zëvendësdrejtor i Përgatitjes Luftarake të Ushtrisë. Ai drejtoi edhe stërvitjen ushtarake para marshallit Zhukov. Ka shërbyer shef shtabi i dy komandave më të mëdha të ushtrisë, atë të Forcave Ushtarako-Detare dhe të Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit.

 

 

Në vitin 1974, si dhe shumë kolegë të tij madhorë të ushtrisë, merr goditje të rëndë si pjesëtar i “grupit puçist”. E nxjerrin në pension të detyruar, e heqin nga banesa në qendër dhe e çojnë në një banesë tjetër në periferi të Tiranës nën survejimin e vazhdueshëm të Sigurimit të Shtetit, ku i arrestojnë djalin, Ilirin, për agjitacion e propagandë.

 

 

Pas viteve ’90, riaktivizohet duke u bërë një nga themeluesit e parë të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës.

 

 

Ka marrë pjesë në disa veprimtar ndërkombëtare. Me propozim të Komitetit të Veteranëve të LANÇ të Skraparit, një strukturë oponente dhe e kundërt me atë që aderonte Skënder Malindi, këshilli i bashkiak i qytetit i dha atij titullin Qytetar Nderi i Çorovodës.

 

 

Veç urdhrave dhe medaljeve  të vendit tonë, ai mban tri medalje ndërkombëtare si luftëtar dhe komandues në Luftën e Dytë Botërore.

 

 

Më 31 korrik 2016 ndahet nga jeta ish komandanti partizan, ish ushtaraku i lartë i ushtrisë shqiptare, Skënder Malindi