Në Tomorr, në Malbaba…

Zylyftar HOXHA

 

Gati 175 vjet më parë, piktori i madh anglez, Eduard Lir, duke vështruar malin e Tomorrit nga Qafa e Kërrabës, pasi ul paletën me anë të së cilës kish hedhur në telajo impresionin e çastit të pamjes që i dilte përpara, shkruan në ditarin e tij: “Ishte e vështirë t’i ktheje shpinën kësaj pamje malore të mrekullueshme, këtyre skutave e qosheve të kësaj bote të bukur, këtyre pamjeve prej të cilave asnjë shpirt piktori nuk lodhet kurrë”.

Dhe vërtet piktura në vaj që realizoi Eduard Lir për Tomorrin nga ai impresion nga Kërraba, është një nga kryeveprat e tij. Poeti i shquar anglez, Alfred Tenison, mik i ngushtë i piktorit, i befasuar dhe i frymëzuar nga kjo pikturë, krijoi një poezi monumentale, katër vargjet e së cilës u vendosën në fund të tablosë, dhe më vonë si epitaf mbi varrin e Eduard Lirit: Tomorr e Athos, fron magjie,/ Vjen hije largët gjer te ne,/Një laps e një penel i bie,/ E ndiej si të isha vetë atje…

Tomorri vërtet është një nga malet më të bukur të Shqipërisë, që i rri fushës së Myzeqesë dhe gjithë natyrës përreth si një monark i vërtet, sundimtar i fushës dhe i luginave të lumenjve të Osumit, Shkumbinit, Devollit e deri në Vjosë. Një detaj i tillë artistik nuk i ka shpëtuar vëzhguesit të kujdesshëm, poetit të mirënjohur Xhevahir Spahiu, kur shkruan: “Mjegulla u var, /mali s’duket më,/ fusha ka mbetur/ pa zot e pa zë”.

 

Nga E Mira pagane te Orakujt e lashtë

 

I ashpër, kryelartë, por edhe i butë në shenjtërinë e tij të lashtë, sipas mitologjisë Tomorri ka qenë tempull i perëndive pellazgjike, froni dhe limeri i Orakujve të Dodonës së lashtë, Dodonës nënë. Këtë konfirmim mitik dhe historik e kanë bërë shumë kohë më përpara autorët antikë Plini, Sekundi, Theopompi. Më vonë, kronistët bizantinë Efremi, Kautakuzeni, kronisti perandorak osman, Evliha Çelebiu dhe, më vonë akoma, udhëtarë e dijetarë të shquar evropianë si Martin Lik, Antonio Baldaçi, Margaret Halcuk e të tjerë.

Me Tomorrin, këtë simbol të qëndresës dhe të urtësisë, ka gjetur shërim shpirtëror e është frymëzuar Naimi i madh, Çajupi e shumë rilindës të tjerë, të cilit i janë drejtuar malit me shpresë e besim për realizimin e aspiratave më të larta të kombit shqiptar. Ali Turabiu, një nga klerikët më në zë të bektashizmit, studiues e poet, thekson se çuka e shenjtëruar prej shqiptarëve, Tomorri i paganëve 2 mijëvjeçarë, që prej 400 vjetësh e këtej u bë një vend i shenjtë i një dëshmori të Qerbelasë, Abas Aliut. Sipas legjendës dhe kenotafit simbolik në majën e Tomorrit për Abas Aliun thuhet se ai erdhi nga Qerbelaja me kalë fluturues dhe u bë mbrojtës i gjithë shqiptarëve.

Këtë legjendë Naim Frashëri e përjetësoi me vargjet: Abas Aliu zu Tomorrë,/ Erdhi afër nesh,/ Shqipëria s’mbet e gjorë,/ Se zoti e desh... Në një variant linguistik Tomorr vjen nga fjala pellazgo-ilire I miri, Omiri (O i miri, Te i miri), se E Mira në atë krahinë është kult, kulti së Bukurës së Dheut mitologjike, që bekon e sjell mirësi.

 

Shenjtëri, mite, histori

 

I shenjtë dhe historik, rreth këtij mali janë thurur legjenda nga më interesantet. Mal më të bukur Perëndia nuk ka ditur të bëjë, thotë njëra ndër këto legjenda, dhe kur deshi të bënte një më të bukur, iu prish balta në dorë. Lashtësia këtu flet, flet me kalanë ilire të Tomorrit, mbi fshatin me të njëjtin emër, kalanë e Gradecit, të Treblës, me rrugën ilire e mesjetare me karakoje të shumtë që kalonte rrëzë Tomorrit, në Qaf-Dardhë dhe që lidhte Beratin me Voskopojën, Korçën, Grebenenë dhe Selanikun.

Dhe historia vazhdon me çetat e luftëtarëve për Pavarësi të Servet e Mahmut Zaloshnjes, çetës Plakë të Mestan Ujanikut, të krijuar në Kulmak, që ishte një nga formacionet e para partizane, me zëbilbilin që i këndoi aq bukur Tomorrit, Artistin e Popullit, Demir Zyko etj.

Shumë njerëz e përfytyrojnë dhe e konceptojnë Tomorrin si një mal poetik. Dhe këtu ka një të vërtetë, se i është kënduar shumë dhe bukur, simbolikisht nga të gjithë ai quhet mali i qëndresës, jetesës dhe mbijetesës shqiptare.

 

Bukuroshja e fjetur, Nepenthes Tomoriana 

 

Por Tomorri, si një kalë i ngarkuar, veç historisë dhe legjendave mbart mbi vete dhe shumë pasuri natyrore dhe turistike. Ai me vendim qeverie është shpallur Park Kombëtar, ku luftohet për konservimin dhe ruajtjen e pasurisë natyrore, të brezave pyjorë që fillojnë nga makjet dhe shkurret në rrëzë të tij, e deri në kullotat alpine mbi 2000 m mbi nivelin e detit. Tomorri ka një florë të pasur rreth e në majat e tij, qindra lloje bimësh, por edhe me një bimë endemike, të veçantë, Nepenthes Tomoriana, Zambaku i Tomorrit, i zbuluar nga Baldaçi në vitin 1928.  

 

Skenat e Kristoforidhit, të gjalla

 

Pyjet e pjesës lindore me virgjërinë e tyre, me faunën e dikurshme, që nga ariu, derri i egër, kaprodhja, veçanërisht dhia e egër,  janë një tjetër mrekulli tërheqëse e joshëse për udhëtarët e kureshtarët, të cilët do të hyjnë në botën dhe skenat aq të bukura dhe reale që përshkruan rilindësi ynë i shquar, Konstandin Kristoforidhi te “Gjahu i Malësorëve”. Pjesa perëndimore e Tomorrit, ajo që duket nga Berati, është më shpërthyese, më e ashpër, me honet e thellë e kreshtat thikë. Por sido e ashpër, pamja përsëri është e bukur.

Privilegjin për ta shijuar këtë bukuri e kanë pasur alpinistët e brezit të vjetër, të cilët ngjiteshin 3-4 herë në vit në Tomorr. Tani ky sport është venitur. Niseshin nga pika turistike e Kapinovës, rrëzë malit, shumë piktoreske dhe e bukur, një pikë që ka funksionuar gjatë, por tani është shkatërruar krejt, ajo dhe rruga që të çon atje. Megjithatë këto vise i shkelin vetëm disa njerëz që për nga guximi i shohim vetëm nëpër filmat e huaj. Pse e vënë kokën në rrezik  gjithë beharin këta njerëz? Për bimët mjekësore aq të kërkuara, e aq të mundimshme për t’u mbledhur, por që ua marrin xhaba, si një dorë bar mezhde a ledhi selishte!

 

Dimri, më i mirë se vera

 

Tomorri ka pamje të mahnitshme në çdo stinë të vitit, por edhe në çdo orë të ditës. Studiuesit nga Gramshi, Petrit Basha dhe Selim Marishta, duke qenë kaq pranë Tomorrit, në disa libra dhe studime të tyre janë përpjekur të eksplorojnë në të fshehtat dhe magjitë e këtij gjiganti natyror. Ato ngjyra dhe reflekse që i gjen në mëngjes, nuk i gjen në drekë apo në mbrëmje. E bukur është vera, por më i bukur është dimri në këtë mal. Luginat dhe cirqet akullnajorë janë pista të shkëlqyera për sportet e dimrit, ski dhe patinazh. Janë fantaksur të apasionuarit e këtij sporti kur kanë shkuar atje. Por humori u është prishur në mbrëmje, kur janë kujtuar për një vend për të futur kokën. Dhe, si gjithnjë, kanë gjetur derën e Teqesë hapur, se Teqeja nuk i mbyll kurrë dyert, pse thonë “Si në Teqe”. Po a mund t’u bëjë ballë teqeja gjithë këtyre njerëzve? A nuk do të ishte mirë të ndërtohej atje një pikë turistike të shërbente për turizmin e bardhë? Patjetër. Por tani për tani na duket ëndërr dhe luks, deri sa shohim shumë gjëra të pa zgjidhura nëpër këmbë.

 

Ujaniku, oda e miqve

 

Po kështu nga ana tjetër, Ujaniku, një fshat në gji të Tomorrit, me njerëz disi të çuditshëm, bujarë dhe mikpritës, ndoshta jo zyrtarisht fshat turistik, por ka shërbyer si i tillë, ai ka qenë konak e jatak i udhëtarëve të huaj, Baldaçi, Halcuk, Eqerem bej Vlora, dhjetëra ekipeve shkencëtarësh dhe dijetarësh të mëvonshëm, udhëtarëve kuriozë, ekskursionistëve të thjeshtë, besimtarëve dhe hallexhinjve që vinin në teqe, 500 metra mbi kokën e tyre.

Tomorrit natyra nuk i ka kursyer asgjë, as ujin, madje atë e ka me shumicë. Dhe fshati Ujanik prej ujit e ka marrë emrin. Rreth e rrotull malit janë 100 burime, të cilët i përmend edhe Plini Plak, por shtatë nga këta burime janë me prurje të mëdha uji, 2-3 gurë mulliri, siç i maste populli. Në ta janë ngritur edhe hidrocentrale si në  Bogovë, Kërpicë, Ujanik, Guhak, Kapinovë. Me ujin e bekuar të këtij mali furnizohen qytetet si Beratit, Çorovoda, Poliçani, Gramshi dhe me dhjetëra fshatra të zonës përreth. S’ka pak vjet që nga thellësitë e nëntokës së këtij mali doli një çudi, pllakat dekorative, aq të kërkuara në tregjet e botës, hajmali mirësie, siç thotë për to një miku im poet. Por këto pllaka kanë krijuar edhe probleme mjedisore nga shfrytëzimi pa kriter, duke vënë në rrezik ekzistencën e burimit të Bogovës. Gjetja e një zgjidhjeje apo alternative tjetër për të ruajtur ekosistemin tashmë është bërë emergjente, që edhe pasuritë nëntokësore të malit të shfrytëzohen, por edhe të mos cenohet natyra.

 

5 ditë të mirësisë bektashiane

 

Në Tomorr ka shumë objekte religjioze dhe vende të shenjta si Teqeja e Kulmakut, ndërtuar më 1916 nga Dervish Iljazi dhe e rindërtuar vitet e fundit, Tyrbja e Abas Aliut në majën më të lartë të malit, ku në kohë të mirë shihen brigjet puljeze të Italisë. Tyrbja e Dervish Iljazit në Brerimë dhe varret me taçin bektashi të shenjtorëve të tjerë. Si mal me virtyte perëndie e njerëzore, krahina e Tomorricës, Dangëllisë, Sulovës, Dëshnicës, Mallakastrës dhe gjithë Myzeqesë, që e kanë Tomorrin gjithë ditën para syve, i drejtohen atij në të mira e në të këqija. Betohen “Për atë mal”! “Për atë re”! “Për atë çukë”! “Për Baba Tomorrin”! “Për Abas Alinë”! “Të rroni sa mali i Tomorrit”! Ose mallkojnë: “Të vraftë çuka e Tomorrit”! “Të paftë Abas Aliu”! Është kjo arsyeja që çdo vit më 9-12 gusht sipas kalendarit Osman ose 20-25 gusht, sipas kalendarit të ri, bëhet festë e madhe në Tomorr. Në këto ditë mali i shenjtë pret e përcjell mbi 100 mijë vetë, veçanërisht  pelegrinë bektashianë, por edhe të tjerë, për t’u falur e therur kurbanë për shëndetin e tyre, për shëndetin e tërë familjes, për mbarësinë e pjellorinë e kafshëve e prodhimeve bujqësore. Pelegrinët vijnë nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Mali i Zi, Kosova e Maqedonia. Nuk mungojnë as studiuesit, ekskursionistët dhe qejfllinjtë romantikë që me këtë sebep kalojnë disa ditë e net joshëse e të paharruara në këtë mal.

Për të mos ia lënë spontanitetit këtë gjallëri e lëvizje, shoqata “Tomorri” kujdeset për organizimin e veprimtarive shkencore, kulturore, artistike e turistike. Edhe pushteti lokal i Skraparit dhe i Beratit bëjnë ç’është e mundur t’ua lehtësojë rrugën dhe mundimet të ardhurve, të përmirësojnë infrastrukturën, higjienën dhe sigurinë në kampingjet e ngritura në ditët e shenjta, por aq e kanë fuqinë. Aty duhet dora dhe serioziteti i shtetit, ta shfrytëzojë këtë mrekulli në të mirë të vetë, në të mirë të shtetasve të vetë.

 

Epilog

 

Do t’i mbyllim këto radhë me vazhdimin e ditarit të piktorit të shquar anglez, Eduard Lir, të hedhur në Qafë-Kërrabë më 25 shtator 1848, ku shkruhet: “S’kisha parë panoramë më të mrekullueshme, i detyruar, me keqardhje, i ktheva shpinën kësaj pamje, për të shkuar drejt Veriut…”

E, ndërsa piktori i madh nuk kthente dot shpinën nga pamja mahnitëse, ne, që e kemi kaq pranë këtë mrekulli turistike, ia kemi kthyer plotësisht atë, me atë shkatërrim barbar apokaliptik që po i bëjnë minierat e gurit fronit të Perëndisë.