
Gjenerali Austro – Hungarez, Leon de Gjilardi, një mik i çmuar i skraparllinjve në Luftën e Parë Botërore
Zylyftar Hoxha
Mbaj mend, kur isha i vogël, pleqtë e fshatit apo dhe miqtë që vinin në shtëpinë tonë në bisedat e tyre zinin shpesh herë në gojë emrin e çuditshëm të një ushtaraku të huaj, që kish vepruar në ato anë në kohën “Allustrisë”, siç shpreheshin ata, dhe më pas në kohën e Zogut.
Ndyshe nga ushtaraku i lartë grek, Kostë Piçorri, një njeri shumë i poshtër, harbut dhe imoral që u vra në Vlushë të Skraparit pikërisht për veset e tij dhe jo për shkak të luftës, gjeneral Gjilardi, që veproi po në ato vite në Skrapar, ishte tjetër gjë.
Ai kishte lënë gjurmë të një njeriu serioz, shumë popullor në Berat, Skrapar dhe Korçë, por edhe më pas kur kish qenë në oborrin mbretëror.
Shtypi i kohës, pa e tepëruar dhe pa mbajtur anë thoshte për të se ai ishte një njeri që “gëzonte stimën më të madhe dhe simpathinë e përgjithëshme, kualitetet e tij dhe me gjithë që ishte prej origjine të huaj, e ka dashur dhe ka luftuar heroikisht për vëndin t‘onë”.
Gjilardi qëndroi në Vëlushë me mision grumbullimin e forcave ushtarake shqiptare që t’u bashkangjiteshin ushtrisë Austro- Hungareze. Grumbulloi shumë forvca vullnetare, të cilave iu premtua se do të paguheshin me flori. Por ushtarët e mbledhur ishin fshatarë që vështirë t’i disiplinoje t’i fusje për luftë, dhe tjetra, Perandorisë Austriake i kishte ardhur fundi. Projekti i Gjilardit në Skrapar dështoi.
***
Për miqësitë e Gjilardit në Skerapar flet edhe Sefedin Çela në librin e tij, “Ku po shkon pa dashuri”.
Ja si e përshkruan ai plagosjen e gjyshit të tij për hir të besës që i kishte dhënë Gjilardit:
Gjyshi im, Qamil Polena dhe një plumb – “kujtim” nga Gjilardi
Sefedin Çela
Në të dalë të fshatit, në Shesh të Bardhë, që e shihje fare mirë nga Kishëza, ishte vija e frontit midis ushtrisë austro-hungareze e asaj italiane. Polena ishte nën austro-hungarezët; fshati fqinj, Zogasi, ishte nën italianët. Në Vëlushë rrinte kapedan Gjilardi. Si e qysh nuk dihej mirë, po kishte kohë që ai vinte rreth në nahijen e Korçës.
Qamili, ishte bërë mik me të, kishin pirë raki nga ajo e mira, kur miku austriak i kish gjetur shtëpinë, ca kohë madje kish transportuar edhe armë me mushkat e tij dhe kapedan Gjilardi ia kujtonte si nder. Qe pykë austriake ajo që shtyu grekët të gjenin sinorët e tyre. Edhe Qamili nuk ia harronte nderin mikut që iu gjend sa i kërkoi ndihmë.
E, ja, tani Gjilardi ishte në komandë të trupave të vendit të tij që luftonin në nahije. I dërgon haber Qamilit nga Vëlusha, ku ishte komanda. Mos i duhej një armë e t’u ndodhej në krah, sa për t’u vendosur më mirë, meqë e njihte me pëllëmbë vendin?
“Nderi lahet me nder. Kështu unë u ndodha në vijën e frontit në Shesh të Bardhë, mbrapa një guri shtuf e një dëllinje. E, ore, kështu vajtën punët e nderit. Me buçisnin veshët nga krismat. Edhe sot e kujtoj, nuk them se kisha frikë, po nofullat më luanin sikur të isha me ethe, dhëmbët kërcisnin me njëri-tjetrin, kafshova gjuhën e mbërtheva nofullën ta mbaja me dorë.
Shtiva tri herë e kaq qe, me ikën te dridhurat. Hej, dreq, edhe ditën e dasmës më pat ndodhur kështu, kur po vinte nusja mbi kalë. Atëherë të dridhurat me ikën me një gotë rakie, kësaj here me tri të shtëna.
Pastaj ndodhi hataja, si duket nuk isha fshehur mirë mbrapa gurit shtuf, këmbët me dilnin anash, një plumb më mbërtheu në kofshë. Më përvëloi, ore, si të ishte shtizë e skuqur, nga ato që u djegim plagët bagëtive.
I ngjesha ca duhan nga kutia, e mpiksa të pushoja gjakun. Gjuha mu tha për një pikë ujë. Zgjata dorën e mora ca gjethe shkoze e i mbllaçita të lag gojën. Ajo gjëja në gojë me dukej helm; të zezat dhi çfarë hanin tërë vitin!
Gjaku nuk pushonte e ndjeva se po më linin fuqitë. Atëherë m’u kujtua se kisha dy napolona flori në brez. Mua po me dilte shpirti e, do ti, me kujtohen florinjtë! Ja si është njeriu. I fsheha në një rrënjë dëllinje e vura dy haliçë sipër si shenjë. Po të më kapnin të gjallë ato dy verdhushka s’kishin për të m’i marrë kurrë. Po të vdisja, në esfelt le të shkonin!
Duket më kish rënë vilani, se, kur hapa sytë, isha në shtëpi. Një bari kishte thirrur e polenallinjtë, më kishin marrë me vig sa qenë tërhequr të dy palët. Vija e frontit qe Zogas-Çerenisht-Zhaban, për njërën palë, dhe Vëlushë-Qafë-Visockë për palën tjetër. Polena e Osoja kishin mbetur në mes; hanin plumbat nga të dy krahët.
Thirrëm një heqim të ushtrisë italiane për të më parë. Ia shtruan me mish të pjekur e raki pa parë plagën, për t’i dalë të keqes përpara. Ai hoqi plumbin, e pastroi mirë plagën, i vuri melhem, e lidhi dhe i tha Takos, i cili dinte ca fjalë në gjuhën e tij: “Ky është plumbi ynë; ka dalë nga pushkë italiane”.
Takua nuk foli. I shtyu përpara një kofshë mish qengji të pjekur në hell, si të thoshte ha e hesht.
Heqimi atë bëri; hëngri e heshti, pasi mori edhe një nga ato verdhushkat, të cilat dërgova njeri për t’i marrë sa erdha në vete.
Taksirati që më zuri; plaga u mbyll, po mbeta çalo për tërë jetën. Sa herë vrenjtet koha më ther e më çan sa ky shpirt ma di. Vetëm një të mirë kam, e di që një ditë më parë se të nesërmen do të bjerë shi.
***
Më pas Zogu Gjeneral Gjilardin e mori në oborrin e tij. Për fat të keq, të një rrethane të pa dëshiruar, ai u ndodh aty në vendin dhe kohën e gabuar, pasi është vrarë në Fier, më 16 gusht të vitit 1935, kur bashkë me rojet e tij shkonte në një vizitë private në Apoloni.
Vrasja e tij e rastësishme në Fier, mori përmasa të tjera dhe shërbeu si shkrepëtimë e parë e Kryengritjes së Fierit, por edhe si dekonspirim dhe dështimi i saj.
Kush ishte gjeneral Gjilardi?
Leon de Gjilardi kishte qenë një nga ushtarakët më në zë të perandorisë Austriake të Luftës së Parë Botërore, por edhe një njeri aktiv në politikë që ishte lidhur me figurat tona të asaj kohe që vepronin brenda dhe jashtë vendit, sidomos në Vjenë.
Në kuadrin e misioneve ndërkombëtare për të ndihmuar qeverinë e re dhe të brishtë të Zogut vjen në Shqipëri, duke u vënë në shërbim të shtetit shqiptar me gradat më të ulëta nga ato që gëzonte në vendin e tij. Shërbeu në Korçë, Skrapar Lezhë, Dibër, Kosovë dhe së fundi në Tiranë me një mision të vetëm, stabilizimin e shtetit shqiptar.
Për merita e shërbime të dallueshme, Mbreti Zog e mori pranë vetes duke e ngarkuar me detyrën e lartë të Inspektorit të Përgjithshëm të Ushtrisë pranë Oborrit Mbretëror.
Është interesant fakti që Zogu e ka mbajtur dhe e ka aktivizuar shumë Gjilardin sidomos në ceremonitë zyrtare, inaugurime e festa të ndryshme, duke i dhënë një status të veçantë përfaqësimi, gjë që s’është e vështirë të kuptohet, pasi e thonë shumë kronika të kohës.
Kështu, psh, ai ka marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Ismail Qemalit, të cilat u suallën me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë nga Kanina në varrin monumental në Vlorë, pranë sarajeve të Vlorajve.