
Çyçkët e Vërzhezhës – kronikë kuq e zi
Në vijën editoriale të “Orakujve të Tomorrit”, administratori i këtij portali ka vendosur që, gjatë muajit gusht, si “e diela vjetore e vitit”, të botojë materiale të lehta, të këndëshme, shlodhëse dhe argëtuese.
Kjo rubrikë e re dhe e përkohëshme hapet me një shkrim të shkrimtarit tepër të talentuar, por, fatkeqësisht, pak të njohur dhe të ndjekur nga ata që duheshin, skraparllinjtë, vërzhezhalliun Shkëlqim Çela, që banon në Amerikë.
Nuk po i bëjmë ndonjë prezantim të detajuar, pasi sot, në saje të rrjeteve sociale, gjërat janë në shesh, në tavolinë… Kush do e gjen, e njeh!…
Por “Orakujt e Tomorrit”, si një zë i njohur mediatik, ka bindjen se Shkëlqim Çelës, siç ka ndodhur edhe për të tjerë njerëz të famshëm, “do t’i vijë mbrapa historia”!…
I urojmë suksese!
“Orakujt e Tomorrit”
Çyçkët e Vërzhezhës – kronikë kuq e zi
Nga Çyçkët në Agollarë, \ Kali i kuq u bë i bardhë…
Sadiku
1.
Dje u nis Shefiti për kurbet. U nis për larg shumë; vendin e quajnë se Bustòn, se Bostàn, se Bostòn. Ka dhe shqiptarë të tjerë, nuk do jetë vetëm. Zaten miqtë e Gjergjovës që janë atje u bënë sebep; çuan llaf me një kurbetlli që kthehej që andej se jatak dhe punë i gjejnë ata.
Mezi u siguruan paratë e rrugës, navlloja. Ca bagëti u shit, por tokat s’u nganë. Ishalla del për hair ky kurbetllëk. Ka që u ecën. Thonë që është vend i madh. Thonë që ka një bukë të bardhë atje, aq të butë, sa munt ta fshtjellç në grusht. E hap dorën, vete prapë në vend. Ja Abas Ali! Mbase bie ndonjë parà që andej.
Shefiti është i përpjekur shumë, i lodhmi. Edhe për të vëllanë, Halilin, vajti bedel katër vjet në ushtri. Kur mbaroi s’e pamë mirë, se e mori kurbeti – ndihmoje, Haxhi Bektash! Bereqavers, dy djemtë e tjerë do jenë ketu. Halili s’ka luajtur kurrë nga shtëpia, kurse Islami do xhvishet nga xhandarllëku. Parà s’do na sjellë më, por edhe shtëpia do burra. Unë s’po ia them shumë tani së funtmi.
Para ca ditësh qesh në teqen’ e Kulmakut dhe Babai më tha që paraja pa njerëz është harram dhe se unë u bëra tra i vjetër tani. Kish dëgjuar që Shefiti po nisej për kurbet. Ndaj i çova llaf Islamit të linte xhandarllëkun në Korçë e të kthehej.
2.
Patëm dasmë. Vajzës së vetme, Dudës, i doli një fat në Gjergjovë. E dhamë. I shoqi është nga Gërxhanët, Mersin e quajnë, ca i madh në moshë, por burri plak dy gra. Nuk bëmë davet të madh. Mbaroi dhe kjo mesele. Tani vetëm Shefiti është pa martuar. S’dimë si shkon në kurbet. Kemi marrë vetëm dy gisht letër ku na njofton që ka mbërritur mirë.
Thonë që në Vlorë u shpall mëvehtësia nga Baba Dovleti. Se nga nëntori, se nga dhjetori që shkoi. Këtu lajmet vijnë gjithnjë me vonesë. Edhe gjashtë muaj me vonesë s’është çudi.
3.
Erdhi kohë e keqe. Patëm ngatërresa me çetën e Çerçiz Kapllanit. Ata janë katër djem të fshatit që kanë dalë firarë. Veç Çerçizit janë: Xhemal Shtrigu, Arif Kapllani dhe Asllan Ladini. I ndjek hyqymeti, po nuk i kap. Bëjnë goxha zarar tani në këto trubullira kur grekun e kemi në prag. Nuk shohnë ti bien grekut, por u bien më qafë të gjithëve. Kërkojnë parà dhe ushqim me porosi.
Të na dërgohet një mish në hell në filan vend e më kaq sahati. Një bakllava në aksh vend e aksh orë. Po s’ua prunë, kërcet dyfeku. Ujku mjegull do. Gjithë ngatërresa me ne nisi me një qenin tonë që u derdh mbi ta atje poshtë te ar’ e Varricës, kur këta vinin për në Vërzhezhë nga Munushtiri; kishin plagosur atje Selfo Munushtirin për një llaf goje.
S’u mor vesh pse u zunë, jo ti po unë, dhe krisëm! E qëllon Çerçizi. U bë zallamahi. Kur dolën në Varricë – atje ndodhi Halili – qeni ynë iu derdh. Ata nuk pritën që qenin ta thërriste i zoti, siç është zakoni, por e qëlluan me pushkë. Pastaj dërgojnë haber që duam tre napolona flori për dëmshpërblim. Ndryshe Çyçkët të mbyllen në shtëpi, thanë. U shqetësuam se ne kemi mall e gjë, kurse ata s’kanë ç’humbasën. Çuam llaf për tërë natën në Gjergjovë.
Një natë më pas gjergjovallinjtë, kunetërit e mi, erdhën tek ne në Vërzhezhë. Ishte Rushani dhe Xhezua vetë i pestë. Caktojnë Xhezon të pleqësojë punën tek xhaxhai i Xhemal Shtrigut, Sadiku. Jemi adashë me xhaxhanë e Xhemalit. Sadik e quajnë edhe atë.
“Miku ynë është dogëndisur keq nga nipi i juaj”, i tha Xhezua.
“Qenka keq kur tërbohen qentë” ia ktheu Sadiku.
“Kur tërbohet qeni, o Sadik, e vret i zoti i shtëpisë, se po s’e vrau ai, e vret një tjetër”.
Xhezua kërkoi duel në shesh të xhamisë dhe iku. Mbas kësaj Shtrigjtë dërgojnë haber për pajtim. Ata vijnë në shtëpi dhe ne u shtruam një drekë. U mbyll me kaq për këtë radhë. Shyqyr, pa gjak.
Sa herë ka turbullira këto çeta kaçakësh mbijnë si kërpudhat pas shiut. Veç grupit të Çerçizit kanë dalë dhe ai i Arshi Liqevit, i Dajlan Kapinovës dhe i Sinan Faskos.
4.
Na u desh të iknim muhaxhirë, të linim Vërzhezhën. Se erdhi Junani. Lamë gjithë ç’kishim. Djemtë i thirri Sali Butka i Kolonjës dhe ikën. Ne të tjerët donim të binim poshtë në Poshnje të Beratit, ku kishte siguri. Doli punë e vështirë shumë. Qenë zënë rrugët nga greku. Ecnim udhë e pa udhë dhe vetëm natën.
Një natë qe shumë pisk, pasi një foshnjë qante. Ishte Haxhiu, djali i Islamit. Nuk kish të pushuar. Natën dëgjohet shumë. Veç ta hidhnim foshnjën në përrua. Të shpëtonin të tjerët. E menduam dhe këtë! Abas Ali, të kemi shahid që e patmë nga halli. Po s’na la e ëma, Emineja. Bëheshim gjithë ata shpirt.
Katër fëmijët e Islamit dhe tre të Halilit. Si dhe gratë e tyre, Emineja dhe Liti. Si s’na diktuan, një Allah e di.
Në Poshnje jetuam gjashtë muaj në një kasolle. Por u kthyem gjallë. Shtëpitë i kishin djegur. Dhe malli ishte rrëmbyer i gjithi. Thonë që ka filluar një luftë e madhe, e përbotshme. Ne do e nisim nga e para. Nuk ështe hera e parë.
5.
Ra kolera. Të tre fëmijët e Halilit vdiqën, njëri pas tjetrit. Edhe Halili një ditë u zhduk, nuk u kthye më në shtëpi. Nuk dimë ç’ka ndodhur me të. A ta qajmë, a të presim. Mua shpresat më kanë humbur. E shoqja, Liti, e mbajti veten për ca kohë, pastaj s’duroi dot më, por vajti në Radësh tek të sajtë. Nuk i thamë asgjë. Ç’t’i thoshim! Ajo qenkësh e fortë edhe aq.
Duket si mallkim që oxhaku ynë nuk shtohet që nuk shtohet. Diçka do bëhet sebep.
I pari që mbahet mend nga fisi ynë është Çelua që la Islamin, Islami la Beqirin, Beqiri la Hamzain, babanë tim rahmet paste! Që më ka lënë vetëm mua. Unë kam Islamin këtu, Shefitin në kurbet, Halilin zhdukur dhe Dudën dhënë në Gjergjovë te Mersin Gërxhani.
Fiset e tjera janë shtuar goxha. Thuhet që ne jemi një trung kështu fshatçe, por ilaká bëjmë ama me njëri-tjetrin. Gojëdhëna është që të parët tanë kanë qenë tre vëllezër: Çelua, Hysi dhe Agua. Ata kishin marrë me vete edhe një djalë të gruas së Çelos, Kapllanin.
Kur ata mbërritën në Vërzhezhë në fshat kishte vetëm dy familje dhe shumë toka të lira. Vëllezërit zunë tokat, burimet dhe një pjesë të kullotave që i përdorën për shumë kohë pa tapi. Nga ata zunë fill fiset e Hysit, Agos dhe Çelët. Si u shtuan, u bënë mëhallë me këta emra. Çelët morën toka goxha, por nuk qenë pjellore. Morën Varricën, Vreshtin e Gegës, Arrën e Vogël dhe Gropën e Mexhitit, edhe Selishtën në fshat, kurse në mal, Grepin mbi kasollen e Shtrigut, Arat e Kumbullave, Arën tek Gjollet, Gurin e Çyçkës që ishte kullotë dhe një të tetën e malit të fshatit.
Emra të rinj filluan të dalin nga trungjet e vjetër, nga Çelët, Hysët, Agot dhe Kapllanët. Këto mbiemra ishin më tepër nofka nga savitjet fshatçe. Ca Myftarëve iu vu llagapi Shtrigu, nga dy djem binjakë të veckël e pa duk: “Uuu, po ç’qenkan këta djem kështu, mu si shtrigj!” tha një gojë e ligë, e aq u desh, iu mbeti Shtrigjër; një emër tjetër ishte Seran, ngaqë një djalë me emrin Seran ishte i metë; një tjetër e mori Cerga, ngaqë ngriti një cergë (çadër) në mal, gjë që s’ish parë në atë kohë e n’atë vend; një degë e Kapllanëve u quajt Duçi, se kish një fëmijë të shkurtër, xhuxh.
Po kështu edhe njërit nga Çelajt, të parit tonë, i mbeti mbiemri Çyçkë, nga një nuse, që e kishin marrë në Myzeqe. Vjen një gjitone të kërkonte hua dumen e bereqetit, një matëse për grurë. Nusja e Myzeqesë, ngaqë nuk e dinte emrin “dume”, i thotë: “Ç’kërkon ti, çyçkën, a?”, se çyçkë i thonë nga Myzeqeja dumes. Mbeti Çyçkë. Ca na thërrisnin edhe Dume, po Çyçkë mbeti më në fund.
6.
O halle mos u sosshi, u bëfshi sa mos u njohshi! Kjo luftë s’po ka të sosur. Prapë na u desh të iknim muhaxhirë. Këtë radhë në Çerem të Kapinovës. Kemi lypur për bukë atje, aq keq vajti, atje ku s’mbante më. Skraparlliu nuk lyp kurrë. Kjo ish herë e parë.
Kësaj here s’u shkulëm nga grekët, por nga austriakët. Punë e madhe austriakët, me tertipe e alete si ata. Më mirë nga italianët. Edhe armët i kanë më të mira. Telin e Austrisë s’e këput dot kurrë, të italianit po. Islami shërbeu në ushtrinë e tyre ca kohë.
7.
Lufta mbaroi, të qofshim falë o çukë e Tomorit! Por Islami u sëmur nga stërkungulli. Sëmundja zgjati një vit. U detyruam të shesim toka. Dervish Qamili tha që kur fillon e shthuret lëmshi, shkon i gjithi. E kish llafin që kur fillon e shet tokat, mbetesh batall. Por s’kemi nga ia mbajmë.
Na u desh të shesim arat e bukës “Tek kumbullat”, “Tek Gjollet” si dhe tre okë gjalpë kullotë në mal të Vërzhezhës. Të gjitha këto i bleu Hamza Cerga. “Grepin mbi kasolle” ia shitëm Sabri Shtrigut. Kurse Hatem Kapllanit i shitëm 5 okë gjalpë kullotë në mal.
Unë s’ndihem mirë. Po marr fund. S’i ndjej më këmbët. S’ecënj dot. Nuk di a do shoh dot Shefitin që po afron dhjetë vjet në kurbet. Lajmet i marrim të rralla. Kanë kaluar edhe dy vjet pa haber nga ai. Abas Aliu e ndihmoftë!