Tomorricarët, beratasit e malit…

Fragment i shkëputur nga libri “Berat, o zemër”, i autorit Ylli Polovina

 

 

Ylli POLOVINA

 

Zylyftar Hoxha shkruan se ka dy Tomorrica, njëra quhet e Zezë, tjetra e Bardhë. Tek Tomorrica e Zezë përfshin Grëmshin, “vendlindjen e kryearkitektit të Perandorisë Osmane, Mimar Kasëmit”.

Pastaj radhit fshatrat “Gjokovica (“me lule mjalti”), Kuçin, Barçin, Floqin. Ndodhet Rehova, Vishanji, Straficka, Greva, Kovaçanji, Leskova, Zhepa, Çerrica, Gurrazezi, Çorotati, Burranji, Dobrenji, më tej Ermenji e më tej akoma Kërpica”.

Sipas tij, tek Tomorrica e Bardhë gjenden Mëlova, Zaloshnja, Gjerbësi, Ujaniku, Gradeci, Luadhi, Shpatanji, Trebla, Duncka, Rromasi e Tërrova.

Janë plot tridhjetë fshatra.

Pesëqind e më shumë vite të shkuara princi i Beratit Gjon Muzaka do ta përshkruante Tomorricën gjeografike të shtrirë në hapësirën e 80 fshatrave, duke përfshirë edhe luginën e lumit Devoll, deri në Maliq të Korçës.

Pjesa që ka mbetur tani prej kësaj përmase të madhe historike, sidoqoftë ka një larmi tingëllimash të emrave të fshatrave, prejardhje gjuhësore, gjithashtu dendësi, të cilat shpjegojnë dhe provojnë se Tomorrica është historikisht territori i parë më përfaqësues i Malbabait, Tomorit, jo si masiv shkëmbor, si pjesë gjeografie apo truall me begatim biologjik, por si dukuri shoqërore, si mendësi e kulturë të sjelluri.

Nëpër Tomorricë kalonte zhvillimi evropian, një degë rrugore e kontinentales së famshme Egnatia. Ajo ka funksionuar pothuaj dymijë vite, deri në Mesjetën e vonë, kur Venediku çonte mallrat e tij në Voskopojë e më tej, në Grebené e Selanik.

Ja pse theksojmë që në rast se në hapësirën qytetkrijuese të Beratit janë përfshirë një territor i cili shkon deri në afërsi të Kavajë-Durrësit, deri buzë Elbasanit, në kahun e anasjellë, madje dhe nga perëndimi sapo prek kufijtë e Labërisë, boshti themelor mbetet drejtimi prurës i Tomorricës.

Me pak fjalë, është Berati, kjo qendër kryesore grumbullimi e popullit, por pastaj vjen një “qendër” e dytë: Tomorrica. Shpiragu dhe territori i tij i banuar rreshtohet më pas, siç po ashtu, edhe pse është hapësirë e madhe, Myzeqeja.

Gabojmë fare pak (ndoshta) nëse themi se territori qytet Berat-Tomorricë (përfshirë edhe vetë malin e Tomorit) është Berati i Madh.

Këtu shtrihet një masiv i ngjashëm njerëzish, temperamentesh dhe mendësish, mënyrash të jetuari.

Tani duket e pamundur, pothuaj një sforcim kundër logjikës, por në një rrjedhë tjetër të ngjarjeve mund të ndodhte që të përdorej sinonimia, sipas të cilës tomorricar donte të thoshte edhe beratas dhe beratas po ashtu tomorricar.

 

 

 ***

 

 

Banorët e Tomorricës, por edhe ata të quajtur Tomorrakë, të cilët e kanë përditshëm para syve qytetin dhe më thellë në horizont, fushën e Myzeqesë, mund të quhen në mënyrë figurative edhe “beratasit e malit”.

Ata kultivojnë një bujqësi mjaft pjellore: në tokën e tyre mbin çdo gjë që mbillet. Një shaka e vendasve thotë se tani mbetet të provojnë dy të fundit: kafen dhe bananet.

Tomorricarët kanë kullota sa për të mbajtur tërë tufat e bagëtive të Myzeqesë. Në këtë kuptim ata janë një kryeqendër, territor me fuqi ekonomike.

Ata janë mjaft mikpritës, por njëkohësisht edhe shumë mirënjohës. Po ashtu kokë ulur, jo sepse nënshtrohen, por nga që punojnë.

Tomorricarët nuk shkaktojnë kurrë sherre dhe nuk mbajnë mërira.

Këto mbyllen pa u hapur.

Lufta e klasave gjatë diktaturës në këtë krahinë nuk shkaktoi asnjë viktimë.

Gjithashtu paralel me administratën shtetërore të çdo regjimi fuqia reale e mirëveprimit shoqëror në këtë territor të shtrirë të Beratit deri tek mali i Tomorit ka qenë e mbetet në duart e urtësisë popullore, kryepleqve.

Këta konsiderohen pothuaj si të shenjtë.

Tomorricarët nuk janë kurbetllinj. Jetën janë mësuar ta nxjerrin aty. Ikësit më së shumti zhvendosen për shkollim, por jo për funksione nëpunësie, ca më pak për karrierë ushtarake.

Vrapim pas pushtetit për tomorricarët nuk ka.

Mbetet e habitshme se si prania e Malit të Tomorit, gjithësi madhështie dhe autoriteti, nuk ka ndikuar tek ta me ambicien për poltron të lartë.

Tomori me pamjen e tij ballore autoritare nuk ka përhapur ndjesinë e adhurimit dhe të kërkimit të epërsisë dhe të pushtetit.

Ndërkaq krahina më përfaqësuese e malit, Tomorrica, ka krijuar shumë histori, deri edhe përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë prodhim të saj të shquar ajo nuk ndihet më ulët se vetë qyteti i Beratit.

Ndërkohë, siç edhe vepron qytetari beratas, famën ata nuk e nxisin dhe e shtyjnë të kapërcejë kufijtë e saj gjeografikë, doemos as edhe ta imponojnë në mjedisin tjetër kombëtar.

Tomorricarët, pra beratasit e malit, janë lëkurëbardhë.

Trupin e kanë mesatar, por janë më të gjatë se skraparllinjtë.

 

***

 

Ëngjëllushe Braçellari, autore e librit “Skrapari, gjurmë nën harresë”, botuar në 2002, shkruan se “Fshati Gremsh ndodhet në Juglindje të Luginës së Tomorricës, aty ku ajo fillon”.

 

Pak më tej: “Historikisht, gjatë tërë sundimit osman, Gremshi ka pas bërë pjesë  në Kazanë e Tomorricës”. Sipas Braçellarit, në shekullin e XVII-të ky fshat numëronte 500 shtëpi, 20 dyqane, 7 xhami dhe 2 hamame.

Ndërkohë sipas Zylyftar Hoxhës, në këtë “fshat-qytet jo i vogël për kohën, jetonin bejlerë e spahinj fermanlinj me tituj dhe me prona në Berat, Korçë, Fier, Maqedoni, Greqi, Thesali e gjetkë”.

Në një farë mënyre, duke qenë epiqendër e Tomorricës, “kryeqytet” i saj, Gremshi kishte peshë edhe me qindra kilometra larg.

Pa qenë Berat ai qe njëfarësoj një i ngjashëm me të, edhe pse tepër më i vogël në numrin e banorëve apo të objekteve të ndërtuara.

Gremshi është vendlindja e protagonistëve të mëdhenj. Për intensitetin e nxjerrjes së tyre, krahasuar me popullsinë, gjatë një periudhe ai ja kaloi edhe Beratit.

Kanë dalë prej tij edhe familja më e madhe e Rilindjes: Frashërinjtë. Vetë Sami Frashëri në “Kamus Ul Alam”, faqe 123, pohon: “Bejlerët e Frashërit origjinalisht janë të shpërngulur prej rretheve të nënprefekturës së Tomorricës së Beratit dhe janë atdhesuar në katundin Stanimakë, që atyre iu dha si feud”.

Në 1570 Gremshi ka dy ngjarje të forta: lindi në të Mimar Kasëm, kryearkitekti i ardhshëm i Perandorisë Osmane (1595), si edhe bëri emër një sfidues pushteti lokal: Hamza beu.

Për shkak të dendësisë së popullsisë në këtë qytezë ngriheshin në armë deri 500 luftëtarë.

Hamzai lakmonte ta zgjeronte pronën e vet përtej vendlindjes, duke përfshirë edhe Oparin, Vërçën, Dangëllinë dhe tërë Skraparin. Për t’ia ndalur vrullin turqit e arrestuan dhe bashkë me familjen e tij e internuan larg.

Por është Mimari kurora e elitës gremshiote të kohës.

Jeta e tij u përfshi në hapësirën kohore 1570-1659. Majën e karrierës e mbërriti në 1627, tek u shpall kryearkitekt i Sulltanit. E zotëroi këtë post për 27 vjet.

Mimar Kasëmi jetoi dhe punoi mes Shqipërisë dhe Stambollit, me mjaft pasion për të udhëhequr ndër shumë mote edhe zhvillimin urbanistik të Beratit.

Prej dorës së tij janë banja publike si edhe mulliri me gjashtë gurë të mëdhenj. Ai ndërtoi në pika të ndryshme të qytetit shtatë çezma publike, pothuaj monumentale.

Ndërkaq vepra e tij madhështore ishte ujësjellësi.

Sipas njohësve të kësaj periudhe, “ky fillonte me mbledhjen e ujërave në kuotat e larta të lagjes Vakëf dhe e përshkonte rrugën me anë të një galerie nëntokësore të mbuluar me qemer.

Më pas kalonte pranë Xhamisë së Plumbit, përshkonte lagjen e Skurajve dhe Pazarin e Vjetër, tashmë mbi rrugët e qytetit me anë të një arkade të lartë me harqe të panumërta dhe arrinte deri në lagjen Mangalem”.

Prej kësaj aorte, shpërndaheshin në të katër anët arteriet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe për hamamet, banjat e nxehta të qytetit”.

 

***

 

Tretja e fuqisë ekonomike të Gremshit, mpakja, i nisi veçanërisht pas motit 1821, kur me heqjen e trashëgimisë mbi pronat tokësore, fillimisht në Greqinë e porsa pavarësuar ku gremshiotët patën të tilla, nisi rënimi i këtyre bejlerëve të shumtë ushtarakë (spahinj).

 

Pas kësaj filloi ikja e banorëve, shkretimi i planetit të këtij fshat-qyteti të habitshëm, më i fuqishmi në territoret në afërsi të Beratit.

Ky emigrim i madh i ngjau pothuaj një shpërthimi.

Sipas studiuesit Hetem Bakiasi, në fshatin Përrenjas të Tomorricës shkuan 60 familje, në Zaloshnjë 50, në Mëlovë 20, në Turbëhovë 80 familje, në Ujanik 90 të tilla, në Trebël 100, në Davidh 20, në Rehovë 20 të tjera, në Vishanj 50 familje, në Kuç 15, në Krushovë 40, në Nishovë 30 familje.

Shpërndarja e gremshiotëve vijoi edhe përtej krahinës së tyre të Tomorricës: 50 familje u vendosën në fshatin Çekin të Gramshit, 20 në Velmish të Roskovecit, 20 të tjera në Gjoroven, Velabisht e Palikësht të Beratit, 30 në Kozarë të këtij qyteti, 30 të tjera në disa fshatra të Korçës…

Në shpërndarjen e madhe të gremshiotëve një pjesë u vendosën në trojet helene dhe u bënë arvanitas. Të tjerë kapërcyen detin dhe shkuan në Itali, duke u shndërruar në arbëreshë.

Pikërisht këtu bashkësia e tyre shumë energjike dhe që nxirrte individë të spikatur për famë, i shtoi historisë kombëtare të shqiptarëve një emër shumë të zëshëm për Italinë dhe tërë lëvizjen marksiste të botës: Antonio Gramshin.

Këtë prejardhje ai e ka pohuar me gojën e vet. Në një letër drejtuar motrës së gruas së tij nga burgu i Turit, më 12 tetor 1931, ai vinte në dukje: “…Vetë unë nuk kam asnjë racë; im atë është me origjinë shqiptare të vonshme, familja iku nga Epiri pas ose gjatë luftës së vitit 1821…”.

 

 

Fragment i shkëputur nga libri “Berat, o zemër”, i autorit Ylli Polovina

 

 

“BERAT, O ZEMËR”

 

 

Është vëllimi më i fundit i një kolane prej disa librash për Beratin, i studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur, Ylli Polovina.

 

Ylli Polovina është autor i 40 librave me tematikë ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare, për të cilat është heshtur apo janë keqshkruar.

Pesë prej tyre janë në gjuhën italiane.

 

Vetëm gjatë këtij viti, 2021, janë publikuar:

“Në fillim ishte Bardha”; Il dialogo sul filo”; “Albania, Mirakoli e tumulti”; “Ik i qetë, partizani im”; “Njoha një ballist”; “Vrasja e një lejleku” (sepse rrinte me të burgosurit politikë); Qemal Stafa, jeta dhe vrasja”; Në mision për çlirimin e Kosvës”; Arbëreshët, monumenti i lotit”, “Sarajevë moj motër” dhe, më i fundit, “Berat, o zemër”