
Riza Cerova: “Kush ka një pushkë, le ta rrëmbejë; kush ka një zemër, mos ta kursejë”…
Luman Caka
Për këtë hero të Shqipërisë është shkruar me dashuri sa herë vjen janari i lindjes dhe gushti i rënies trimërore. Janë botuar libra e broshura, fletëpalosje, artikuj e janë kënduar e këndohen këngë zemre, këngë shpirti.
Te “seli e trimërisë” në mes të Çorovodës, te qivuri pranë lapidarit, ku ka ndehur krahët për fluturim shqiponja e Paskalit, Riza Cerova në gjumë mbulohet përherë me trëndafila, menekshe, borzilokë e manushaqe.
Për të s’këndon vetëm qyteti i vogël që e ka në zemër, por ligjërojnë rrëketë që zbresin nga malet e gërxhet e Skraparit, lumenjtë aty pranë, që oshtijnë, qan e këndon shpirti i çobanëve në fyell – në maja.
Kjo ndodh prej tre çerekshekulli, sepse Riza Cerova ishte bir e shërbëtor i vegjëlisë, ishte tribun i saj, ishte simbol i burrërisë, trimërisë e besnikërisë-tipik skraparlli. Ai ishte iluminist i kulluar, idealist si ai e nacionalist i djegur për një Shqipëri të fukarasë, armik i pamëshirshëm i bejlurçinës, agallarëve e kolltukofagëve.
E nderojmë pa kufi, pa anë e fund, se ai qe e mbeti besnik i pa tundur i idealeve të ndritura dhe luftoi me konsekuencë, si askush tjetër, kundër Zogut dhe mjerimit zogollian, i cili shkretoi Shqipërinë dhe e bëri një Turqi të vockël evropiane, pronë të tij personale.
E duam dhe e nderojmë kapedanin e Skraparit, birin e madh të Cerovës së vogël e mbarë vegjëlisë, në Myzeqe e Shqipëri, pasi la rrugëve nënë, grua e fëmijë e për njëmbëdhjetë vjet më radhë bëri jetën e luftëtarit revolucionar, internacionalist me idealet e ëndrrat më të bukura në gji.
E duam dhe përjetë e duam se katili mbret e vrau të ri, kur kishte mbushur tridhjetë e nëntë pranvera, kur ishte në kulmin e lulëzimit të energjive, kur ëndërronte e luftonte pa pushim për njerëzinë.
E duam e do të shkruajmë për të, do të këndojmë brez pas brezi, do ta mbulojmë me lule në të katra stinët e vitit, me lule të rralla malesh, me këngët që çurgojnë burime tona të kristalta, do ta mbulojmë me zemrat tona, me shpirtin tonë, se ishte burrë mbi burrë-nderi dhe krenaria jonë, faltorja jonë e trimërisë.
Çfarë ka bërë Riza Cerova për Shqipërinë
Ky luftëtar i madh, arratisur nga vetvetja për hallet e Shqipërisë, u arrestua në Selanik, Stamboll e Rusi. Edhe pse në Greqi jetoi një kohë të gjatë, luftën kundër saj e bëri me armë në dorë në krye të forcave të Skraparit. Ishin vitet 1913-14 kur andartët e palikarët grekë i vunë zjarrin Jugut të Shqipërisë dhe me thikë e bajonetë therën gra, fëmijë e pleq në fshatrat e besimit mysliman.
Është ky shkaku që në Skrapar dhe në rrethet fqinje këndohet me dhimbje ajo kënga që thotë:
Motra jemi me Greqinë,/ Shoqe mos u bëfshim kurrë,? Se na dogji Shqipërinë,/ Kur e gjeti të sëmurë…
Gjithnjë me armë në dorë, në krye të djalërisë së Skraparit e rretheve, pushka e tij krisi kundër ushtrive të huaja italiane, austro-hungareze e franceze.
Në Komitetin e Shpëtimit Kombëtar, që u krijua në Zaloshnje më 1919, ai ishte anëtar i tij përkrah Maliq Skraparit, Ali Koprënckës, Sinan Yllit, Hysen e Sevet Zaloshnjes etj. Mori pjesë si komandant i forcave të Skraparit në Kongresin e Lushnjës e në Luftën e Vlorës, ndonëse ishte plagosur dy herë e i vëllai, Aliu u vra në Luftën e Parë Botërore. Qe anëtar i komisionit që mori në dorëzim Vlorën. U emërua oficer e rrethkomandant i xhandarmërisë në Gjirokastër e në vitin 1923 gjendet qarkkomandant në prefekturën e Kosovës e Dibrës. Më pas po në këtë detyrë në Vlorë.
Me vrasjen e Heroit Kombëtar Avni Rustemi, i ndërpreu për jetë lidhjet me qeverinë zogolliane. Pas çarmatosjes së garnizonit të Tepelenës e Përmetit me 500 forca nga regjimenti i Përmetit 1000 vullnetarë të Skraparit dhe të Beratit më 1 qershor 1924 ngriti atje flamurin e kryengritësve.
Më 10 qershor hyn triumfalisht në Tiranë ku triumfon Revolucioni i Qershorit me Nolin e madh në krye. Qeveria e emëron qarkkomandant në Berat. Në dhjetor të vitit 1924 shkon në kufi të Peshkopisë ku ndeshet me forcat e Zogut që vinin nga Jugosllavia e në ditët e fundit ndeshet me to në Shkallën e Tujanit, me cilësinë e komandantit të regjiment për mbrojtjen e Qeverisë së Nolit.
Pas dështimit të qershorit, më 28 shkurt 1925, bashkë me oficerët Ali Nishica, Myrto Cerova me shokë, emigron në Greqi.
Tërë energjitë djaloshare, aftësitë e talentin si revolucionar, i derdhi në emigracion, ku qëndroi 11 vjet. Me detyrat që i ngarkoi KONARE-ja apo Federata Ballkanike e Kominternit, me optimizmin, gëzimin e shpresën e së nesërmes, ai shkoi sa në Vjenë, në BS, sa në Berlin, në Belgjikë, Iran, Turqi, Mançuri të Kinës, Bullgari, Rumani e gjetkë si në Mekë, Medinë, etj.
Bashkëpunoi me Fan S. Nolin, Halim Xhelon, Gjergj Dimitrovin e burra të tjerë të këtij kalibri. Edhe në mërgim s’iu ndanë agjentët e dërguar enkas nga Shqipëria apo ata të kafeneve, të Evropës, të cilët i luftoi dhe i përballoi me mospërfillje e neveri. Veç të tjerash ky patriot i madh e demokrat revolucionar duhej të përballej edhe me shpifjet e ndonjë “shoku” në Komitetin e Çlirimit Nacional, që e quante Rizanë spiun të Zogut! Kush hante dhenë dhe kush pinte kafenë!
Kontribut të dukshëm dhe me vlerë të padiskutueshme përbën aktiviteti i tij si korrespondent e gazetar në shtypin përparimtar të emigracionit. Shkrimet e tij në organin e KONARE-së “Liria Kombëtare” dhe gjetkë, sidomos tek “Shqipëria e Re” për nga përmbajtja, forca argumentuese e mjeshtëria profesionale, ruajnë dhe sot vlera të spikatura.
Emigracioni për Riza Cerovën qe një universitet; ai ishte prologu i dramës së madhe të vitit 1935, perdja e së cilës ra tragjikisht më 25 gusht të atij viti të përgjakur.
***
Sot patriotët si Riza Cerova nuk janë më në modë. Janë në modë pseudo politikanët e rinj. Janë ata që pas 25 vjetësh e rivranë Riza Cerovën duke pritur me tam-tame ata që e kishin vrarë.
Sot dekorohen bijtë e atyre që e vranë Rizanë në malet e Gorës. Lulet e dimrit janë shumë të rralla, ndaj zhduken sapo çelin.
Riza Cerova jeton në zemrën e popullit, në monument e këngë. Bëhen qesharakë ata që kërkojnë të pështyjnë malin e shenjtë të Tomorrit. Populli e thirri bir, vëlla, Xake, djalë, dhe e ka të gjallë mes të gjallëve.