
Tri urat e Zabërzanit, historia e rrallë dhe e panjohur e tyre
Zylyftar Hoxha
Për këto tri ura janë bërë dy shkrime në “Orakujt e Tomorrit”, që, fatmirësisht gjenden edhe në “Google”: shkrimi i parë është ,“Ura e Zabërzanit, historia e rrallë dhe e panjohur saj” dhe shkrimi i dytë, “Tri urat e Zabërzanit dhe sqarimi i një keqkuptimi”.
Megjithëse gjërat janë thënë të sakta dhe të dokumentuara, akoma ka keqkuptime, pasi një nga urat sot nuk ekziston fare, madje nuk ka asnjë shënjë e asnjë gur të saj.
Të vetmet dokumente të saj janë: një foto e bërë nga italianët gjatë Luftës Italo- Greke në vitet 1941 – 42, disa minuta para se ta hidhnin në erë; libri i “Muzeu i fisit tim” i Kujtim Lames; komentet, vërejtjet dhe sqarimet e bëra nga miqtë e gazetës sonë, mësuesit të mirënjohur, Ismail Sheroku dhe studiuesit Muharrem Abazaj, si dhe kujtimet e zabërzanllinjve të moshuar.
Megjithatë për të qenë më të saktë dhe më korrekt me lexuesit dhe ndjekësit, po i rikthehemi edhe një herë këtij njoftimi:
Në fund të Zbërzanit bëhet fjalë për tri ura.
URA E PARË, E MADHJA: E LAPANIT
Është Ura e Madhe e Hambullit që lidh Lapanin me Zabërzanin, Zonën e Malindit, Çepanit dhe rrugën për në Përmet, ende të papërfunduar.
Kjo urë është ndërtuar në vitin 1950 nga ushtria, nën drejtimin e ushtarakut Ismail Vlusha;
është rrëzuar në vitin 1973, duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë, ku ranë në krye të detyrës tre punonjës së ndërmarrjes së Bonifikimit. U rindërtua po në ato vite.
Në vitet 2000 u rindërtua përsëri nga ushtria. Tani së fundi, para katër vjetësh, ajo u përfshi në projektin e rrugës Çorovodë – Përmet, si një urë me parametra bashkëkohorë.
Ura e Lapanit, e ndërtuar së fundmi në fund të Zabëzanit nga firma “Salillari”.
URA E DYTË NË “KOFSHTRA” ME HARQE, TASHMË E ZHDUKUR
Edhe pse pretendoja se e njihja mirë dhe në detaje historinë dhe gjeografinë e Skraparit, të cilin e kam shkelur pëllëmbë për pëllëmbë për 40 vjet me radhë, jam ndjerë keq kur para tre – katër vjetësh kam mësuar se poshtë Zabërzanit, mbi Mullirin e Babait, në vendin e quajtur “Kofshtrat”, paska patur një urë që lidh dy pjesët e kanioneve të Osumit.
Të vjetrit e kanë ditur këtë, por brezat e mëvonshëm, madje edhe të zonës për rreth, nuk e kanë ditur kurrë, sepse në fakt atje nuk ka gjurmë të dukshme, pasi i ka rrmbyer vërshimi i ujërave të rrëmbyeshëm.
Po cila është historia e saj dhe e urës?
Ura është hedhur në erë në vitin 1940 gjatë Luftës Italo-Greke. E kanë hedhur italianët, që grekërit të mos kalonin dot në anën tjetër të Osumit, ku ata ishin dislokuar.
Ka qenë një dhimbje e madhe për banorët e zonës, por i tillë ka qenë fati i krahinës tonë, që shpesh herë është përdorur edhe si placdarm.
Siç shihet edhe në foto, ura është me tre harqe, një i madh në mes mbi shkëmbinj dhe dy më të vegjël, anash në brigje si përforcim, por edhe për derdhje të ujit në kohë vërshimesh.
Është e tipit arkitekturor si ajo e Goricës në Berat. Është ura më e madhe pas asaj të Goricës në të gjithë luginën e lumit të Osumit deri në burimin e tij, në Vithkuq të Korçës.
Ka një të dhënë, që është ndërtuar rreth vitit 1860 me kontributin e banorëve të zonës dhe me ndihmën e Banush Sevranit, një luftëtar i shquar i ushtrisë së Ali Pashë Tepelenë, por që kjo e dhënë nuk është e saktë.
Ura duhet të jetë më e vjetër, e kohës së sundimit të Ali Pashës. Banush Sevrani ëshët vrarë në vitin 1826, ndërsa ura është ndërtur 30 e ca vjet pas vdekjes së tij. Atë, si një figurë e fuqishme e krahinës, komandant i një ushtrie pranë Ali Pashë, i paguar mirë dhe me prona, mund ta ketë ndërtuar Banush Sevrani, por në vitet e kulmit të karrierës së tij, para vrasjes së Ali Pashës, dmth, para vitit 1822. Pasi edhe bejlerët e vegjël bënin nga këto lloj ndërtimesh, duke u munduar t’i ngjanin Pashait në zonat e tyre.
Një tjetër argument, që mund të jetë e kohës së Ali Pashës, është ngjashmëria që ajo ka me urën e Goricës, të ndërtuar po në ato vite nga Kurt Pasha i Beratit.
Ura është 3 metra e gjerë, me bordura që shkojnë deri në 25 – 30 cm të lartë dhe të gjerë, e kalldrëmuar bukur, me pragje në formë shkallësh në anët e pjerrta.
Nëse do të ishte sot kjo urë, do të ishte një xhevahir i vërtetë mes xhevahireve të tjerë të Kanioneve.
URA E TRETË, PASARELË, NË SHKËMBIN MBI MULLIRIN E BABAIT
I thonë edhe Ura e Dervish Muhametit pasi ështrë ndërtuar prej tij në vitin 1830.
Kjo urë, bashkë me rrugën gjarpërushe që zbret nga Zabërzani deri te fillimi i vijës së mullirit të Babait, është ndërtuar me materiale rrethanore, trarë dhe patiqe (dërrasa të çara lisi), për më shkurt drejt anës së përtejme të kanioneve. Më shumë se për mullirin, ajo shërbente për bagëtitë për të mërzyer dhe kullotur në anën tjetër të lumit. Trarët e urës ndërroheshin çdo vit ose në dy vjet.
Më 1 korrik të vitit 1970 ura (gjithmonë këmbësore) është bërë më konstruksion metalik me iniciativën dhe kontributin e djemve të Zabërzanit që punonin në Poliçan, ndërsa tani është rikonstruktuar prapë.
Kjo urë e vogël bashkë me rrugën gjarpërushe që ngjitet për në Zabërzan krijon një pamje panoramike mbresëlënëse, që tërheq vizitorë të shumtë, të cilët nuk mund të largohen që aty pa bërë një foto si kujtim.
Pra është një nga xhevahirët e rrallë të Kanioneve mes xhevahirëve të tjerë të shumtë.