
Ramiz Spathara, krahu i djathtë i Riza Cerovës, dhe fund i tij tragjik
Ramiz (Hysi) Spathara, është një ndër figurat e shquara të Skraparit, bashkëluftëtar, shok, mik i ngushtë i Heroit të popullit Riza Cerova deri në çastet e fundit të tij.
Fëmijëria dhe rinia e Ramiz Spatharës kaloi nëpër ngjarje historike të rëndësishme si, lufta kundër esadistëve, lufta kundër andartëve grekë, pushtimi austro – hungarez e Italian, Lufta e Vlorës, Revolucioni i Nolit i vitit 1924 dhe Kryengritja e Fierit e vitit 1935, bashkë me Myrto Cerovën, gjithmonë në krah të Riza Cerovës, një treshe “Musketierësh skraparllinjsh”, që i ndau vetëm vdekja.
I veshur ushtarak, në vitin 1930 e dënojnë me 4 vjet burg. Lirohet në vitin 1934 dhe bashkohet me Riza Cerovën, me të cilin përgatisin Kryengritjen e Fierit për rrëzimin e mbretit Zog.
Siç dihet Kryengritja dështoi dhe Riza Cerova me një grup prej shtatë vetash, përveç Rizait, Myrto Cerovës, Riza Valës, Tajar Grepckës, Shuaip Cerovës, Reshit Liqedhit, iu bashkua edhe Ramiz Spathara, u nis për të dalë jashtë kufijëve të Atdheut, pasi fati i tyre dihej.
Nisi udhëtimi historik, nga Berati në Zgrobonjë. Të nesërmen, mëngjesi i gjeti në Kulmak, pastaj në Zaloshnje. Kështu fshat pas fshati, më 24 gusht të vitit 1935 përfunduan në Marjanë të Pogradecit.
Aty u bëhet pritë nga forcat e xhandarmërisë së Zogut. Në përpjekje me xhandarët Riza Cerova plagoset. Shokët e marrin në krah, por ai u lutej ta linin dhe të shpëtonin vetë, por Ramiz Spathara dhe Myrto Cerova nga pozicioni në pozicion po mundoheshin ta nxirrnin nga rrethimi.
Në këtë kohë merr edhe një plumb të dytë.
Ndërsa Riza Vala dhe Shuaip Cerova ishin plagosur dhe kishin humbur ndjenjat nga hemorragjia, dy të tjerë kishin humbur lidhjet me shokët, Myrtoja me Ramizin qenë të vetmit që iu gjetën pranë Rizait në moment e fundit të jetës.
Me luftë Myrtoja dhe Rizai çanë rrethimin duke u endur nëpër male. Pas një jave 80 forca xhandarësh i rrethojnë në Mazërrekë, por ata e çajnë rrethimin, duke ngelur maleve, kaçakë në arrati.
Kaloi mbi një vit që ata u endën maleve dhe staneve të barinjve, derisa dikush i tradhtoi, i vrau në gjumë në një kasolle barinjsh dhe pastaj i vuri zjarrin kasolles, duke mbetur edhe pa varr.
I tillë qe fundi dhe fati tragjik i bashkëluftëtarëve të ngushtë të Riza Cerovës, Ramiz Spatharës dhe Myrto Cerovës, që në këtë 90 – vjetor të rënies së tyre meritojnë të kujtohen dhe të nderohen.