
Zenel Hysi, një njeri që nuk harrohet kurrë
Zeneli u lind në Vërzhezhë të Skraparit, më 16 tetor 1936, në një familje të thjeshtë, por nga një fis patriot i dëgjuar siç ishin Hysajt e Vërzhezhës.
Ciklin e arsimit fillor, Zeneli e kreu në vendlindje. Arsimin 7 vjeçar të kohës e kreu në Shkodër, pranë vëllait të madh Musait, i cili në Luftën Antifashiste Nacional çlirimtare qe plagosur në Betejën e Kiçokut.
Për arsim të mesëm Zeneli kreu Pedagogjiken, Normalen e famshme të Elbasanit. Më pas kreu studimet për Gjuhë – letërsi, në Universitetin shtetëror të Tiranës.
Jeta e tij kaloi duke kryer me devotshmëri, përkushtim e humanizëm shumë detyra, si: mësues në shumë zona e fshatra të Skraparit, inspektor arsimi, drejtor shkollash, shef i Arsimit e Kulturës, Sekretar i Komitetit Ekzekutiv, Sekretar i Komitetit të Partisë në Poliçan, e prapë mësues i nderuar gjersa doli në pension.
Ka shkëlqyer gjithandej puna e tij. Ishte djalë që kishte për nënë partizanen Nurie nga Dhorësi e baba Kamanin, i cili ishte një njeri i thjeshtë, i ndershëm, i fjalës e i punës, madhështor në cilësitë e virtytet e tij.
Ashtu siç e mori për dore Zenelin vëllai i tij Musa, ashtu Zeneli mori për dore si hallka të një zinxhiri vëllezërit e tij të dashur: Beharin, Shabanin, Kujtimin, Flamuri …
Në çdo rast u tërhiqte veshin dhe mbante anën e kunatave, të cilat i respektonte para vëllezërve, e i vinte në krah të motrës së tij të shtrenjtë, motrës së madhe Zymbyles, motra e vetme, e cila s’kishte të dytë për nga vlerat.
Zeneli, përveç rolit të madh që ka luajtur në Skrapar për arsimin, kulturën e përparimin shoqëror, ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek kuadrot që kanë punuar në atë rreth si; mjekë, arsimtarë, agronomë, ushtarakë, ekonomistë, inxhinierë të fushave të ndryshme, arkitektë e specialistë.
Kur Zeneli doli në pension shkoi me banim në Fier pas ‘90-ës, nuk reshtnin vizitat nga kuadro e familje që kishin punuar në Skrapar e i shprehnin atij mirënjohjen e thellë, dhe jo vetëm, por edhe që nga Korça, Vlora, Tirana, Gjirokastra, Berati apo gjetkë, e plot prej tyre dhe nga Fieri.
Një pjesë e mirë e këtyre kuadrove konsideroheshin dikur edhe me cene në biografi, por Zeneli i tejkalonte këto. Ai i trajtonte me fleksibilitet dhe elegancë gjërat dhe mbi të gjitha çmonte njeriun e ndershëm dhe të punës.
Ky është një dimension i rrallë për kohën dhe me të drejtë këta kuadro e familje shpreheshin: “Zeneli ka qenë demokrat i vërtetë që në atë kohë!”
Por Zeneli ka qenë dhe karizmatik e simpatik, i qeshur, serioz e lirik. Burrë me sqimë e me shije estetike, ku shumë njerëzve u mësonte se si lidhet dhe vihet edhe kravata.