Modeli i një mesueseje të shkëlqyer, elokuente dhe natyrale në komunikim dhe mësimdhënie

Modeli i një mesueseje të shkëlqyer, elokuente dhe natyrale në komunikim dhe mësimdhënie

 

Dashnor Dosti

 

Me Selvi Dyrmishin jam njohur fillimisht kur unë hyra në klasën e parë. Ishte mësuese e Ciklit Fillor, por jo mesuesja ime. Zyrtarisht nuk ka qenë asnjë ditë mësuesja ime, pavarësisht se impakti i saj tek ne ishte i tillë.

 

 

Ishte atehere një mësuese e re, bijë nga Vëndresha, por nuse në Koprëncke, e martuar me Neshat Dyrmishin, edhe ai një mësuesi i ri matematike që pak vite me vonë do të ishte njëri ndër udhërrëfyesit më të mirë të jetës sime.

 

 

Kishte një prezencë të kujdesshme. Ajo ështe mësuesi i parë që e kam vënë re të mos sforcohet kurrë në komunikim, pasi taktin dhe elokuencën e kishte natyrale dhe kjo e ka ndihmuar që të jetë gjithmonë modeli i pëlqyer i mësuesit si nga nxënësit, ashtu edhe nga prindërit.

 

 

Vite me vonë, kur unë u diplomova vetë dhe u emërova në Staraveckë, do te gjeja aty si kolege pikërisht Selvinë, mësuesen time të adhuruar pa qenë kurrë zyrtarisht mësuesja ime.

 

 

Ndërsa fillova ta shikoj këtë rastësi si nje telash në rrugën time të gjatë të maturimit të një mësuesi të ri, sepse kisha shumë frikë se mund të dilja keq edhe para saj me gabimet e mundshme në hapat e para të profesionit të mësuesit, profesion të cilin ma kishte bërë te dashur pikërisht ajo, burri i saj, ishte pikerisht Selvia ajo qe më ka ndihmuar aq shumë.

 

 

 

E qenë e shtruar, me kujdes maksimal në dhënien e përvojës së saj, edhe kur të bënte një vërejtje të karakterit profesional e bënte te dukej si një vleresim, pasi dinte të kombinonte mjeshtërisht vlerësimin pozitiv dhe qortimin. Në Staravecke, ashtu si në Koprënckë, Selvia kishte fituar tërësisht zemrën e nxënësve, prindërve e të kolegëve.

 

 

Vitet e tjera, derisa doli në pension, Selvia punoi në Sharovë, ku ndërtoi një kapitull po aq mbresëlënës si një mësuese e jashtëzakonshme, por jo dhe aq e vlerësuar nga autoritetet.

 

 

Personalisht, duke qenë se për për disa vjet kam qenë në drejtimin e Zyrës Arsimore Skrapar, pavarësisht se në ato vite Selvia ishte larguar në Tiranë, duhej të kisha bërë të pamundurën për një vlerësim më të mirë të figurës së mësueses Selvi Dyrmishi,  e cila në datën 15 gusht të këtij viti u nda nga jeta.