Ajo kohë nuk vjen më kurrë, por edhe nuk harrohet kurrë!…

 

 

Fatos Muçaj

 

Kur isha i vogël, shkolla s’kishte Wi-fi, por kishte një zile cjapi, që tingëllonte në mëngjes.

 

Çantën si “arkë municioni” e mbaja në kurriz, pa bukë dhe me një laps që i a nxirrja majën me dhëmbë.

 

 

Shkruanim me penë, me bisht prej shtogu, boja “Përparimi” na bënte lëtyrë.

 

Në bankë si ushtarë, me sy nga dërrasa e mësuesit më të frikshëm se vetë komisari.

 

 

Hanim thanë tek thana e kushuririt tonë Faik, a thua se po kryenim krim ekonomik!…

 

Hidheshim nga gardhi për ndonjë gorricë, dhe vraponim si lepuj kur rojet fishkëllenin dhe në kishim frikë.

 

Arrët i çanim me dorë, dardhët i fusnim në xhep, edhe gjethet e hardhisë i shkelmonim për sport.

 

Na kapnin, na shkulnin veshin, pa shumë debat, po ne qeshnim, se s’kishim hall, për raport.

 

 

 

Topi prej lecke na bëhej Champions League, një palë shapka, apo opinga llastiku, mjaftonte për çdo pozicion.

 

Luante “Shprefeja me Rrufenë”, pa rregulla fare, por goli vlente sa 10-ta në mësim, pa diskutim.

 

 

Nuk kishim “Iphone”, po kishim litarin, që kërcente më bukur se çdo TikTok sot.

 

S’kishim “likes”, por kishim shokët në oborr, dhe këngët e pushimeve këndoheshin me botë.

 

 

Me një palë rroba, me andra i kishim, por zemër të bardhë, në radhë për bukën dhe lodra me tapa.

 

Të varfër në gjëra, por të pasur në jetë, se lumturia s’matet me pajisje, por me çfarë të rreh zemra.

 

 

Na sillnin dentistë me darë dhe çantë prej teneqe, Kontroll falas thoshin, po ne dridheshim si fletë.

 

Na hapnin gojën si kapak kavanozi, dhe shpesh dilnim me një dhëmb më pak, pa lot, pa fletë.

 

 

Për flokët s’kishim modë, s’kishim gel,na vinte Beluli nga qyteti me brisk si thikë therëse. Na qethte “zero” në rresht, si ushtarë me leje, ose më keq: na qethnin prindërit me gërshërë dhenësh, dhe na e bënin kokën, si taracat e Lukovës pas shirash të thellë.

 

 

Po kur vinte doktori, ai, Tafili me torbë, na binte të fikët, pa na prekur me dorë. Na mjaftonte zëri i tij nëpër korridore, për t’u betuar që kurrë më s’do hanim gjë pa larë duart.

 

 

Ëndërronim të bëheshim dikush, me shpirt fëmije të pastër, me letra në dorë e një botë që s’na njihte ende mirë.

 

 

Ja ku jemi tani, gjithandej, nëpër botë të shpërndarë, po në zemër e mbajmë atë shkollë, si medalje pa zinxhir.

 

Me shumë mall.

 

Me shumë nderim.

 

Me shumë përqafim.