Xhevahir Spahiu “Qytetar Nderi” i Përmetit
Poeti i shquar, Xhevahir Spahiu është shpallur “Qytetar Nderi” i Përmetit. Titulli i nderimit iu akordua në një ceremoni në ambientet e kinema “13 Shtatori” në Përmet, ku u bënë bashkë miq, artdashës , qytetar përmetar, të cilët sollën disa nga poezitë e poetit dhe kujtime të tij.
“Pjesëmarrja e Ministres znj. Mirela Kumbaro, Prefektit të Qarkut z.Odise Kote, shkrimtarë dhe poetë, i dhanë më tepër rëndësi kësaj mbrëmje të veçantë.
Interpretimet artistike , muzika e përzgjedhur e shndërruan mbrëmjen në një festë të bukur të përjetimeve e emocioneve të forta për poetin e dashur Xhevahir Spahiu.
Nderimi i tij është edhe për ne privilegj dhe kënaqësi që tashme poeti i shquar kombëtar është qytetari më i ri përmetar. Mirënjohje për vlerat e çmuara që i jep kulturës tone”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të bashkisë së Përmetit.
Takimi i veçantë i Mero Bazes me poetin Xhevahir Spahiu
Gazetari Mero Baze ditën kur Xhevahiri kthehej nga Përmeti, në Peshtan, ka pasur një takim suprizë me poetin e madh Xhevahir Spahiu.
Përmes një postimi në “Facebook”, krah fotove me poetin, Baze tregon se me të u takua teksa ishte duke u kthyer nga Përmeti aty ku dhe ishte nderuar me çmimin “Qytetar Nderi”.
Më tej, gazetari tregon se Spahiu është poeti i parë i cili ju përkushtua ndriçimit të veprës së Trifonit pas vitit 1990 i cili e përshkruante asoj kohe vendlindjen e poetit përmes rreshtave, ndërsa tani e pa nga afër atë çfarë kishte imagjinuar.
Postimi i plotë:
Sot patëm mysafir në Peshtan, Xhevair Spahiun. E takova ndërsa kthehej nga Përmeti ku ishte nderuar me çmimin “Qytetar Nderi”.
-Çfarë të shikoj tjetër pa ikur nga këto anë,- më tha.
-Do hash një drek me Trifon Xhagjikën, -i thashë.
U përmallua duke kujtuar vëllezërit e tij e sidomos Yllin.
Mira e bëri drekën më shpejt se sa ai mbriti, ndërsa një nga pasardhësit e Trifonit, Aljosha, e shoqëroi aty pranë memorialit të Trifonit.
Xhevairi është i pari që ju përkushtua ndriçimit të veprës së Trifonit pas vitit 1990. Ai e përshkruante atëhere vendlindjen e poetit, si “një fshat që po ta kalosh një mal nga verilindja shkon tek shtëpi e Naimit, po të kalosh një mal nga Lindja shkon tek shtëpi e Çajupit, dhe po të kalosh një mal nga jugu shkon tek Kadareja”. Sot e pa nga afër çfarë kishte pasur në imagjinatë.