“Për ty, Atdhe”!  

“Për ty, Atdhe”!  

 

Nëse nuk e kthejmë kokën pas nga kemi ardhur, nuk mundemi t’a hedhim vështrimin para për ku duam të shkojmë…

 

Përparim Xhixha

 

Çdo njeri ka hijen e vet. Jo vetëm një hije, ka shumë…

 

Unë, vërtet kam lindur në Gjirokastër, por kam edhe hijen e Korçës, kam hijen e malit të shënjtë të Tomorrit, siç kam hijen e Valbonës e të Kakomesë.

 

Më ka ndodhur shpesh, prandaj e ndaj këtë ndjesi me Ju, miqte e mi…

 

Kur je jashtë vendit ke me vete edhe hijen e atdheut.Herë të afrohet hija e Syrit të Kaltër dhe herë-herë hija e liqeneve të famshme të Lurës. Nuk shpëton dot nga hija e Shirokës e as nga ato lëndinat lart në shpatet e Mokrës, as nga ujërat qe derdhen të kristalta kur rri e qetesohesh sado pak në Grykën e Këlcyrës, e kështu me radhë e kështu pa fund…

 

 

Hijen e atdheut, njeriu e ka në fytyrë, e ka në çdo qelizë të qenies së vet. Atë që e ke bashkëkombas e dallon kudo të jesh dhe bëhesh gati t’a pyesësh: shqiptar je ti ?

 

Rrallë mund të ndodhë që bashkështetasin tënd nuk e dallon dot, nuk e njeh e nuk e shquan edhe pse ai ështe lindur dhe rritur në Shqipëri.

 

 

Rrallë, por ndodh…Në Athinë, dy a tre vetë kishin hyrë në grevë urie pranë selisë se ambasadës se Shqipërisë në Athinë. Ishin minoritarë grekë,të cilët kërkonin të rrëzohej qeveria shqiptare qe nuk respektonte e keqtrajtonte minoritetin grek në Shqipëri!…

 

Disa mallkonin: I zëntë buka e Shqipërisë! I zëntë mjalti i Shqipërisë!

 

 

Ksenofon Nushi, një burrë i urtë dhe i mënçur nga Vunoi i Rivieres, na ftoi të këndonin gjithë natën në selinë e ambasadës sonë në Athinë. Dhe Vaçe Zela ia valoi këngës “Për ty atdhe”!

 

 

Ambasadorit i shkëlqente hija e atdheut në fytyrë si të gjithë neve. Ata qe nuk dinin të këndonin bukur duke patur pranë te madhen Vaçe Zela, vetëm duartrokisnin. Me këtë grup i bashkova dhe unë…

 

Në një çast, Ksenofon Nushi m’u afrua e më tha gjithë mirësi:

 

– Nesër ,në oren 8.00 të jesh në zyrën time, të shkosh të vizitohesh…

Ato pak ore të mbetura kaluan shpejt. Unë hyra në zyrën e Ambasadorit një minutë më parë. Pas meje erdhi edhe një punonjës i ambasadës, i cili pothuajse rrinte gati-tu!

 

E pashë nga koka te këmbët dhe ai ishte i “pushtuar” nga Hija e Atdheut. Quhej Asaf Hadëraj , paksa zeshkan, sikur e kishin dielluar rrezet e diellit që përthyheshin në gurët e Salarisë. Sytë i kishte të vegjël, por si gjilpërë.

 

Nga ai burrë mësova se çdo të thotë përgjegjësi për detyrën…

 

Në çastin qe po dilnim nga zyra e Ambasadorit, Ksenofon Nushi i tha me ton miqësor kolegut të vet:

 

– Dhe…dëgjo Asaf! Ke një vit që je mburrur se ke zënë goxha miq e shokë në Athinë. Ja,t’a shohim sot se sa burrë je!…Dhe, kur të vish, mos më kërko për të paguar për spitalet apo klinikat ku do të vizitohet ky djali…

 

 

Asafi buzëqeshi .

 

– Vizitat duhet të kryhen te gjitha brenda ditës… Hajde djema, punë të mbarë!

 

 

Ky ishte urdhëri i Ambasadorit. Unë u mbusha me mirënjohje dhe Hija e Atdheut më “pushtoi”.

 

Asafi fliste pak. Si quhesh? – më pyeti.

 

– Përparim Mustafa Xhixha!

 

– Nga je!?

 

– Nga Backa! Por jam rritur në Korçë dhe tani punoj në Tiranë, në gazetën “Zëri i Popullit”.

 

– Mos ki merak !…Unë do të çoj në spitalin më te mirë të Athinës, në spitalin “IGJIA”, të cilin e ndërtoi Papandreu i madh.Kryemninistri i Greqisë ftoi mjekët më të mire grekë të ktheheshin në atdhe e t’i sherbenin popullit. Bëri këtë spital të mrekullueshëm që do t’a shohesh me syte e tu, pas pak.

 

 

Mjekët e ftuar u kthyen të gjithë sepse Papandreu ju premtoiu kushte pune më të mira sesa kanë patur kudo nepër botë…U premtoi të vinte në ndihmë të tyre teknologjinë mjekësore më të përparuar të kohës dhe, natyrisht, edhe shpërblimin e tyre dinjitoz…

 

 

Qimja e flokut do të dukej tra mbi mermerin e bardhë te spitalit. Aty sytë të bëheshin vetvetiu katër…

 

 

Mjekja që do më vizitonte dhe diagnostikonte ishte rreth te dyzetave, sipas syve te mi. Ndoshta ishte më shumë, por nga qe ishte shumë e bukur, unë mbase ia ula moshën. Sytë e saj më ngjanë shumë me Liqenin e Pogradecit, kur dielli është në të perënduar.

 

 

Kur e sheh atë nga lart,nga Çervenaka , duket sikur njëmijë ngjyra ikin e njëmijë të tjera bien mbi ujëra e mbi valëzat dembele të liqenit. O, zot! Çfarë mrekullie bën natyra!  – thashë me vete dhe harrova te mbyllja sytë e të mendoja gjëra të bukura …siç më pati porositur doktoresha, që shtypi butonin e makinerisë diagnostikuese, që do të “sulmonte” trupin tim, kokën time, çdo venë e kapilar gjaku…

 

– Çfarë bën kështu !?

 

Doktoresha u mërzit shumë, por fjalët m’i tha me ëmbëlsi dhe mirësjellje.

 

– Të lutem, theksoi ajo serish, mbylli sytë!

 

Unë përseri nuk i mbylla. Iku dëm edhe një komandë.

 

– Çfarë bën! Pse nuk i mbyll sytë?!…

 

-Nuk më mbyllen! – ia ktheva.

 

-Pse nuk te mbyllen?!…

 

-Sepse dua të shoh syte e tu…

 

 

Më shumë po e humbiste durimin Asafi se sa doktoresha. Pacient i vështirë dhe shok i paparashikueshëm!

 

Natyrisht, ajo qeshi. Asafit i vajti zemra në vend.

 

-Mirë, mirë…Të lutem, mbylli syte, rri sa më qetë dhe mendo vetëm gjera të bukura.

 

 

Këtë urdher plot delikatesë doktoresha (mjerisht emri i saj nuk më kujtohet) ma dha duke buzëqeshur, por e bindur se unë do t’a zbatoja atë!

 

– Dëgjo doktoreshën! – më “kërcënoi” Asafi , por edhe ai me delikatesë e vetëpërmbajtje.

 

 

Doktoresha përseri dha komandën për “makinat çudibërëse të Papandreut” që me inteligjencën e tyre do të hynin brenda meje duke zbuluar defektet që kisha pësuar në kokë.Të vogla apo të mëdha ishin ato?!

 

Në ato sekonda më erdhën njëra pas tjetrës, Ylli im dhe dy vajzat e mia te vogla që prisnin të kthehesha shendoshë e mirë… Ishin Hijet e Familjes. Për këtë arsye sytë nuk i mbylla përsëri. U solla sikur të isha kretan.

 

Thonë se shumë banorë të Kretës kanë ikur atëbotë nga Skrapari dhe shumica e tyre kanë qenë nga Backa. Kuptohet, pak kokëshkretë, të pa latuar mirë…

 

 

E habitur doktoresha mblodhi supet. Nuk foli.

 

Asafi shtërngoi nofullat si vëllai i madh në çastin kur gabon vëllai i vogël. I detyrova në heshtje të jepja shpjegime.

 

– Të falenderoj nga zemra doktoreshë! – më doli një zë i qetë, por jo pengues. Sapo të kthehem në Tiranë, gruaja do më pyesë: A u vizitove në Athinë!? Eh, mirë, mirë…Po si quhej doktoresha? Ishte për së mbari apo për të kaluar radhën?

Të lutem doktoreshe, ju ktheva, a mund të di emrin tuaj apo e keni sekret? Qesha lehtë për të mos më keqkuptuar.

 

 

– Më falni ! Keni te drejtë…

 

Shkurt, ajo kishte gabuar, jo unë. Më shpjegoi me hollësi vitet e shkollimit në Greqi, SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe maratonën e karrierës në këto vende.

 

Nuk kisha pse përkëdhelesha më.

 

Mbylla sytë dhe fluturova nëpër vise te bukura te atdheut. E ku kishte më bukur se të rrija hijeve te Voskopojës apo të notoja në detin e Zvërnecit!

 

Papritur, doktoresha çkyçi makineritë inteligjente të saj dhe më pyeti disi e shqetësuar:

 

-Çfarë ke? Çfarë të shqetëson?

 

– Asgjë, asgjë!

 

 

Ajo me tregoi një tërkuzë letre qe dilte nga makina çudibërëse,që nuk po hynte dot tek unë e në vend te një diagrame ishte bëre e gjitha si dërrasa e zezë e klasës .

 

 

Ajo vertet dukej e shqetësuar shumë. Qëndroi paksa e heshtur dhe filloi hetimin në ADN-në time ose filloi të bënte anamnezë, siç i thonë mjekët.

 

– Nga se kanë vuajtur të parët e tu? Nga se kanë vdekur ata, gjyshi, katragjyshi, babai … E të tjera, e të tjera  – Në ç’moshë kanë ndërruar jetë!?

 

 

Ajo vazhdonte të pyeste dhe unë dëgjoja gjithë kureshtje përkthimin e Asafit.

 

 

Të rinj kanë vdekur, doktoreshë! Unë jam nga një fshat që fshihet mes maleve, që quhet Backë. Në këtë fshat burrat vdesin shumë të rinj, kuse gratë rrojnë edhe disa vite më shumë…

 

 

Fjalët e mia i përpiu doktoresha! Kushedi se çfarë temë shkencore për konferencat e ardhshme ndërkombëtare, po mendonte. Rast unikal!

 

– Po nga çfarë semundjet vdesin?

 

 

Asafi po përtonte të përkthente.

 

Siç dukej doktoresha inteligjente e nuhati historinë, se ata vdisnin nga plumbat, ku nuk mungonin edhe plumbat e vendit të saj, dhe nuk më pyeti më.