
Skrapar – Përmet, një lidhje etno-kulturore tepër harmonike dhe tepër e natyrshme
Përmetari me skraparlliun janë nip e dajo, se…njërit t’i heqësh veshin në Prishtë, “oh”, ia bën tjetri matanë, në Shelq apo në Zhepovë!…
Kufinj Skrapari me Përmetin në jugperëndim ka Taroninën, Qafën e Shelqit, Dërrasën e Kajcës, Tendën e Qypit, në Vëndreshë deri në Valë është përroi i Bubësit.
Ç’rrjedhin ujërat matanë në Vjosë, është Përmet, dhe ç’rrjedhin në Osum, është Skrapar.
Bën përjashtim Frashëri, Kreshova dhe Miçani, ujërat e të cilëve derdhen në Osum, ashtu siç bën përjashtim Bejkollara, ujërat e së cilës shkojnë në Vjosë të Përmetit. Këta janë kufijtë natyrorë, njëkohësisht edhe administrativë, që ndajnë të dy rrethet.
Por edhe Taronina dhe Tenda e Qypit “ulet” e bëhet shesh kur është fjala për disa lidhje të tjera, siç janë ato shpirtërore midis dy krahinave. Krushqitë, miqësitë dhe lidhjet familjare të Malindit, të tre Sevranve, të Çepanit, Rogut, Muzhakës, Prishtës, Rovicës, Nishicës, Veleshnjës, Cerovës me fshatrat e Deshnicës së këtejme e të përtejme rrëzë Taroninës si Zhepovës, Shelgut, Kajcës, Rodenjit, Sukës e deri në Ballaban; të tri Vëndreshave, Valës e Therepelit, me tre Bubësat dhe Ballabanin; të Koprënckës, Gjergjovës e Potomit me Miçanin, Frashërin e Kreshovën janë aq të shumta, të ndërthurura më keq se fijet e merimangës, ku nuk vë dot dorë.
Se…njërit t’i heqësh veshin në Prishtë, oh, ia bën tjetri matan në Zhepovë!
Unë përmenda disa fshatra që janë pothuajse kufitare, ku shumica janë nip e dai, siç i thonë, për shkak të martesave me njëri-tjetrin, por këto lidhje shkojnë deri në thellësi të Skraparit.
Psh, vetëm në Qafë, në fshatin tim të vogël me dhjetë shtëpi, ishin dymbëdhjetë nuse nga zonat e Përmetit, si Selvikua e Rushanit, Hurmaja e Ramadanit, Kilja e Zaimit, Qamilja e Mehmetit, Minia e Hakiut, Fatimeja e Mehmetaliut, Limaja e Faredinit, Difja e Kamberit, Sosja e Arshinit, e shoqja e Dules, Petritit dhe Mytezait, që, për fat të keq, s’ua mbaj dot mend emrat tani.
Pra, më shumë se një nuse për shtëpi nga zonat e Përmetit. Por, pothuajse kaq, ndoshta më pak apo më shumë vajza nga fshati ynë ishin martuar në fshatrat e Dangëllisë dhe të Dëshnicës.
Duhet thënë se këto ishin miqësitë më të mira, me dyer fisnikësh, që pleqtë tanë gëzoheshin vërtet kur hynin ata burra në derë, por edhe kur ktheheshin nga sebepet që andej.
Mbaj mend që gjyshja ime (i ndritët shpirti atje ku është), një grua zonjë, jo pa mburrje u thoshte grave të fshatit: “Kur flet me mua matu mirë, se s’jam nga Konisbalta, por jam xhist Dangëllie”.
Një fjalë e urtë popullore thotë se pushkën vërtet e mban burri në sup, por e zbraz gruaja. Nuk mund të them se pushkën e baballarëve dhe xhaxhallarëve tanë e kanë zbrazur apo jo ato, por di të them se këto gra trime e të zonja i dinin t’i bënin burrat të lumtur me besnikërinë e tyre, duke sjellë me vete një kulturë të trashguar nga një krahinë tjetër me emër të mirë, siç ishte Përmeti.
———-
Fragment nga libri “Orakujt e Harruar”, Zylyftar Hoxha, botim i vitit 2008