Suksese të gjithëve atyre që punojnë me ndershmëri në arsim! Arsimi, kjo punë e rëndë si minierë!

Suksese të gjithëve atyre që punojnë me ndershmëri në arsim! Arsimi, kjo punë e rëndë si minierë!

 

Viktor Bakillari

 

Sot, më 08.09.2025, është dita e parë e vitit shkollor për arsimin parauniversitar 2025-2026.

 

Si “robër” të arsimit, na takon të themi dy fjalë për shkollarët tanë:

 

Nxënës të dashur,

 

Suksese! Forca dhe sa më shumë punë e lexim e sa më pak celular; sa më pak inteligjencë artificiale dhe jo kopjim dhe sa më shumë edukim qytetar dhe fizik!

 

 

 

“Mësonjës”, “msusa” e “dhaskenj” të paaftë, të currufjasur a mendjemykur (eh, pyll pa derra, s’ka)! Dalshi në pension deri në qershor, ose u hapshi udhën edukatorëve të përkushtuar!

 

 

 

Mësues dhe arsimtarë të dashur e të nderuar,

Nervave, fre, ju lutem, dhe mos u dorëzoni para sjelljeve rrugaçërore të fëmijëve të vështirë (le të hidhen përpjetë hipokritët duke mbrojtur tezën që nuk ka të tillë), mblidhuani dizgjinët të gjithëve atyre që tejngacmojnë (bullizojnë) shokët e klasës;

 

mos u epni përpara kërcenimeve të prindërve “dru me pre” a të tarafeve të tyre, as përpara presioneve anadollake të atyre “direktorëve” që nuk i lidh asgjë me drejtimin e shkollës.

 

 

Forca mësues dhe arsimtarë të dashur!

 

 

Juve ju ka rënë barra e rëndë që të mbani përgjegjësi e të jepni llogari për krejt brezin e ri.

 

Jeni e vetmja kategori e shoqërisë ku, profesioni barazohet me misionin.

 

Forca, o qirinj të shoqërisë!

 

(Ju e dini që qirinjtë ndriçojnë për të tjerë duke u shkrirë.)

 

 

Suksese të gjithëve atyre që punojnë me ndershmëri në arsim! Arsimi, kjo punë e rëndë si minierë!

 

 

Minatorët nxjerrin madem, arsimtarët talentet që do të udhëheqin nesër vendin.