
Jemi ende në Evropë tek duhej të ishim në Europë: Letër e hapur, drejtuar detupetëve të Kuvendit të Shqipërisë të periudhës 2025 – 2029
Viktor Bakillari
Të nderuar deputetë,
Pas një konkurrimi të fortë, ku të ndershëm, ku me plot kundërshtime e mospranime, ia dolët!
Urime!
Tash ju do të uleni në Odën e Madhe të Burrave.
Ju jeni tanimë një ndër lokomotivat e reja të shqiptarëve që do t’ju duhet të punoni me ngulm e me përkushtim për përparimin e vendit, për Çështjen kombëtare si dhe për europianizimin e Shqipërisë.
Detyra juaj është shumë e rëndësishme; aq e rëndësishme, saqë do të keni fate njerëzish dhe pse jo, edhe të vendit e të Kombit në dorë.
Shansi ju është dhënë! E shfrytëzofshi për punë të mbara!
Ju tashmë duhet të silleni dinjitetshëm si shërbestarë të përkorë të atyre mijëra e mijëra votuesve, pa dallim: pro edhe kundër jush.
Tashmë ju jeni megafoni i tyre, altoparlanti i tyre, zëdhënësi i tyre. Qofshi dinjitozë!
Ne tani e dimë vendin tuaj gati me saktësi kozmike edhe pse shpeshherë jeni të detyruar të rrotulloheni rreth “orbitës” popull për ta parë e për t’i qëndruar pranë. Edhe Dielli del në lindje por, duke qenë i drejtë ndaj Tokës, përfundon në mbrëmje në perëndim.
Vendi juaj pra, është në Kuvend për të hartuar e votuar ligje, për të përparuar Shteti i së Drejtës edhe në Shqipëri.
Zotërinj deputetë,
Ju tashmë keni nisur një shkollë të re, për të cilën duhet të punoni ditë-natë. Nga ky këndvështrim, ju do të merrni pjesë aktivisht në grupe të ndryshme kuvendare si dhe në komisione të veçanta të Kuvendit. Ata që ju zgjodhën, do të shikojnë e ndjekin gjithë sy e veshë dhe do të çkodifikojnë kuptimin e veprimeve dhe të votimit tuaj. Kujdes nga djajtë dhe demonët korruptues majtas – djathtas, lartë – poshtë, të brendshëm – të jashtëm!
Zgjedhësit i kanë tmerr kuvendarët mungestarë. Ata nuk i honepsin dot deputetët e plogët, të përgjumur apo më keq, ata gjumashë a ata që nuk dinë të kuvendojnë apo ç’flasin. Sa për ata shkopinj – nën – rrota – vënësit, a që punojnë kundër interesave kombëtarë, ata janë të tepërt, nuk kanë ç’i duhen (Ku)vendit.
Vendi kërkon ritme shumë më të shpejta zhvillimi.
Ju duhet ta përmbushni me sukses misionin, për të cilin jeni zgjedhur e, falë të cilit, do të paguheni me taksat e zgjedhësve. Nëse jeni të paaftë, ndershmërisht dorëzoni mandatin dhe mos vegjetoni!
Të ndershëm deputetë,
Përgjegjësia dhe respekti juaj ndaj zgjedhësve nis me shqisën e të dëgjuarit.
Qofshi një vesh i hapur, i kujdesshëm për të dëgjuar çdo shqetësim të kujtdo prej mishi e gjaku.
Ata që ju kanë zgjedhur, nuk e kanë bërë këtë që ju të mbeteni me pushime në det apo në mal a të qëndroni më shumë në ajër se në tokë, por për të punuar në Kuvend e për të zgjidhur shqetësimet e tyre.
Zbritjet tuaja të herëpashershme nga Tomorri në Myzeqe dhe takimi me zgjedhësit është shumë i mirëpritur dhe i dëshirueshëm. Këta ju kanë dhënë tagër që të jeni zëri i tyre i fuqishëm në Kuvend dhe jo të shkëputeni prej tyre, të mbylleni në kullën e fildishtë.
Secili prej jush duhet t’i thërrasë ndërgjegjes. Ju nuk duhet ta fshini fytyrën asnjëherë, ju nuk duhet t’ua ktheni shpinën asnjëherë. Vendimmarrja juaj, votimi juaj duhet të jetë i qartë, i tejdukshëm, i motivuar, pa rënë kurrë ndesh me Çështjen Kombëtare a me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Mundet që disa prej jush (Tmerr! Disa quhet shumë!), nisur nga ç’kanë bërë paraardhës në ato ndenjëse, të vrapojnë pas korrupsionit, ndereve, (për)fitimeve të pamerituara, të përfshihen a kaplohen nga etja dhe lakmia për tituj honorifikë duke e lënë pas dore a duke e braktisur detyrën.
Këta kuvendacë, të jeni të sigurt, do të jenë “të nderuar” pa nder. E pra, mos qofshi të tillë! Rrini sa më larg kësaj skote grabitqarësh, kësaj fare hienash e peshkaqenësh dhe, nëse merrni vesh për të tillë, demaskojini, dëbojini! Këta kanë arritur të hyjnë në Tempullin e Popullit ashtu si një plaçkitës në shtëpi, ashtu si një trushkyerës (vjedhës, hajn) në kishë, teqe a xhami. Të tillë deputetë të ngjallin veç krupë e neveri.
Të nderuar të zgjedhur,
Ju keni arritur një post shumë të lartë e ndër më të nderuarit kudo edhe pse kuotat e besimit të masës ndaj jush sot, ashtu si këto 35 vjet, fatkeqësisht, vazhdojnë të jenë gati-gati përtokë!
Saje jush, paraardhësve tuaj, paraulësve tuaj në ndenjëse, pra falë klasës politike që ka drejtuar këtë vend, jemi ende në Evropë tek duhej të ishim në Europë. (Mos e lexoni këtë fjali thjesht si lojë fjalësh a mënyrë drejtshkrimi, ju lutem! Ku janë sot Sllovenia, Kroacia, Rumania, Bullgaria, nisur garën bashkërisht për në Europë e KU JEMI NE?)
Ju jeni të mandatuar dhe duhet të punoni me ndershmëri e me përkushtim të skajshëm, për kauzën shqiptare, për ta futur Shqipërinë juridikisht në Europë. Ju duhet të jeni të pakorruptueshëm, të motivoni qëndrimet dhe veprimet tuaja në dobi vetëm të interesave kombëtarë shqiptarë gjatë veprimtarisë suaj; të jepni llogari për mandatin, përndryshe asnjë nuk do të shprehë keqardhje a pikëllim edhe sikur të marrë vesh që do të kaloni disa vjet “pushime” në hotelin pa para, a të detyroheni të dorëzoni mandatin, apo, edhe më keq, t’ju dëgjojë mandatën.
Shpërdorimi i mandatit (i cili lidhet pazgjidhshmërisht me pacenueshmërinë (imunitetin) për pasurim të pandershëm, privilegje, miqësira, a punë të mbrapshta është i papranueshëm, i pafalshëm dhe, si i tillë, i dënueshëm ligjërisht dhe moralisht.
Ju keni 4 vjet për të dëshmuar e treguar me vepra, me punë e përkushtim, nëse meritoni të jeni bir i denjë i Shqipërisë / bijë e denjë e Shqipërisë.
Të nderuar përfaqësues të qytetarëve!
Punoni me ndershmëri!
Zbatoni ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë me përpikëri!
Respektoni dhe lartësoni figurat iliro-arbërore-shqiptare!
Mbroni dhe mos lejoni përbaltjen e kujtdo që ka dhënë jetën dhe kontribut në çdo skaj të truallit kombëtar për pavarësi e liri!
Mendoni, ligjëroni dhe shkruani shqip, madje në shqipen letrare që t’ju kuptojnë të gjithë shqiptarët e kudondodhur!
Duajeni e mbrojeni gjuhën shqipe, flamurin kombëtar dhe çdo simbol tjetër shqiptar dhe çdo figurë të çmuar që nga ilirët e deri te baca Jashar!
Mendoni dhe veproni në dobi të shqiptarësisë jashtë këtyre 28.748 km², sipas motos “Një komb, një flamur kombëtar, një gjuhë letrare kombëtare, një drejtshkrim shqip”!
Dhe keni për të parë, kur të gdhendet a të larzohet emri juaj në histori.
Punë të mbarë zotërinj deputetë të Kuvendit të Shqipërisë!
Urimet dhe bekimet tona, ju shoqërofshin!