Muhamet Kuçuku – Çami (1784-1844) dhe origjina e tij e hershme nga Vërzhezha e Skraparit

Muhamet Kuçuku – Çami (1784-1844) dhe origjina e tij e hershme nga Vërzhezha e Skraparit

 

 

Viktor Bakillari

 

Kohët e fundit (2022), Akademia e Shkencave e Shqipërisë botoi librin: “Muhamet Kuçuku, Çami, Vepra letrare dhe studime për të”.

 

Autor i kësaj vepre është prof. dr. Bashkim Kuçuku.

 

 

Prof. Kuçuku është hulumtues dhe përgatitës i kësaj vepre të madhe.

 

Prof. Kuçuku është një ndër studiuesët seriozë dhe më të zëshëm në lëmin e letërsisë këto 50 vjetët e fundit. Është një ndër njohësit më të mirët të Kadaresë, të  Agollit, të Podrimjes, të Xhevahir Spahiut, të Fatos Arapit e të poetëve të tjerë në përgjithësi.

 

Ka një kontribut shumë të madh në lëmin e teorisë së letërsisë, të kritikës letrare dhe të antologjisë.

 

 

Kthehemi te skraparasit tanë të mëdhenj, por të munguar, të harruar, të pluhurosur. Shumë figura të mëdha, janë ose kanë origjinën nga Skrapari.

Frashërllinjtë (Abdyl, Sami, Naim) janë me origjinë nga Grëmshi i Tomorricës së Skraparit. Internacionalisti Antonio Gramshi, gjithashtu, nga Grëmshi. Kryeballisti Baz Ermënji, gjithashtu, është nga Ermënji i Tomorricës.

 

Së fundmi, morëm vesh se një figurë e madhe dhe e nderuar e letërsisë shqipe është me origjinë nga Skrapari.

Bëhet fjalë për Muhamet Kyçykun (Kuçukun), Çamin (Njihet me të tre mbiemrat).

 

 

Muhameti (rreth 1780 – 1844) lindi në në … Konispol.

Po, do të pyesni se ç’punë ka Muhameti i Konispolit me Skraparin.

Po, ka.

Të parët e Muhametit ishin shpërngulur (për arsye që nuk i dimë, ndoshta gjakmarrje?) nga Vërzhezha e Skraparit në Konispol rreth viteve 1600 (rreth dy shekuj më parë (se të lindtte), shkruan prof. Bashkim Kuçuku, f. 46 në librin në fjalë).

 

 

Tradita letrare në Çamëri, thotë profesori i letërsisë Bashkim Kuçuku, identifikohet me veprën e Muhamet Kyçykut.

 

 

Muhamet Kyçyku, është një ndër më të mëdhenjtë e letërsisë shqipe të bejtexhinjve të viteve 1600.

 

 

“Me sa di unë, – shprehet në një koment miku im elbasanas Rosh Dylgjeri, – Muhamet Kyçyku i përket brezit të poetëve të parë shqiptarë, që shkruanin shqip me shkronja arabe (mulla Dervish Peja, sheh Hilmi Maliqi Rahoveci, Ibrahim Nezimi-Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, Zenel Bastari, Tahir Boshnjaku, Dalip Frashëri, Muharrem Mahzuni etj.

 

Ishte letërsia jonë pararendëse, e njohur edhe si letërsi e bejtexhinjve ku edhe ngarkesat fetare janë të dukshme. Ata ishin poetë të rrymave sufiste, ngjashëm me Rumiun, Saadiun, Kalandarin etj.”

 

 

Vepra e Muhamet Kyçykut pati ndikim të madh kombëtar. Në mungesë të shtypshkrimeve, ajo qarkullonte e kopjuar për ata që dinin shkrim e këndim, ndërsa ata që nuk dinin të shkruanin, as të lexonin, qëndronin pranë të tjerëve që dinin dhe mësonin veprat e tij përmendësh.

 

 

Me krijimin e Shtetit shqiptar, vepra e tij hyri si qoftë si tekst mësimor, qoftë edhe si pjesë nëpër antologjitë e botuara.

 

Megjithatë, vepra e tij nuk u botua në vitet 1945-1990.

 

 

Veprat i tij origjinale janë:

 

  1. Gurbetlitë,

 

  1. Erveheja,

 

  1. Jusufi e Zulejhaja,

 

  1. Zapti i i Mesolongit,

 

  1. Dotëzimi i Anthinës,

 

  1. Bekriu (Pijaneci)

 

 

 

Përkthime:

  1. Binamazi (ai që s’lutet e që s’falet).

Risalei dhe Bergjevi.

Erveheja është novela e parë e letërsisë artistike shqiptare – thotë prof. Osman Myderrizi.

 

 

 

E reja që do të sjellim në këtë shkrim është se origjina e shkrimtarit të madh arbëror të Mesjetës, Muhamet Kyçyku, është nga Vërzhezha e Skraparit. Nuk e them unë. E thotë studiuesi Bashkim Kuçuku, pasi ka “gërryer” nëpër arkiva të ndryshme.

 

 

***

 

Nga trualli plot vlagë kulture i Vërzhezhës së Skraparit kanë dalë shumë shkrimtarë e poetë të mëdhenj në rang kombëtar, me kontribute të mëdha në kulturën dhe në letërsinë shqiptare, babaxhanë të penës e të stilit që nga Agim Cerga, Bahri Myftari, Përparim Hysi, Shkëqim Çela etj.,etj. por që fatkeqësisht nuk gjejnë pasqyrim edhe kur e merr rasti që botohet një vepër për figura të mëdha të Skraparit.

 

 

Shënim:

 

Në Skrapar kemi mbiemrin Kuçuku edhe sot. Sa për dijeni, në fshatin Zaloshnjë / Tomorricë, e kemi të përhapur këtë mbiemër.