“Pasho Koka në Kaipnovë, bënte luftë me Stambollë, / Pasho Koka i Kenës, mik i ngushtë i Tepelenës”…
Lindi rreth vitit 1775 në lagjen e Kenëve, në fshatin Kapinovë, rrëzë malit të Ostrovicës. Si gjithë bijtë e Skraparit, u rrit me pushkë në krahë dhe ajo iu bë si pjesë e trupit të tij.
Thuhet se ka qënë i bëshëm, me shtat të lartë dhe me shpatulla të gjera, me vetulla të gjera që i qendronin si krahë shqiponje mbi sytë e zinj. Entuziazmohej nga historitë plot lavdi e të parëve dhe emocionohej kur dëgjonte nga pleqtë se si skraparlinjtë trima gjatë shekujve kanë ditur t’i tregojnë gjoksin pushtuesive, sa herë që ata vërshonin në truallin e tyre.
Sundimin i urryer i pushtuesit osman nuk u përjetësua kurrë në këtë krahinë të bukur e malore. Gjatë kryengritjes së viteve 1699-1717, Stambolli dërgoi në Skrapar mijëra ushtarë me në krye gjeneralët e sprovuar Hodaverd pashën, Adem pashën dhe Sejfulla pashën. Gjatë betejave të përgjakshme që u zhvilluan, pjesa dërrmuese e kësaj ushtrie gjeti vdekjen nga trimat e këtij vendi.
Historikisht dihet se Ali Pashë Tepelena e qeveriste vendin vetë.
Pa sundimtarë të huaj. Ky qëndrim vetqeverisës hodhi mjaft luftëtarë në krahun e Aliut.
Në këto radhë u rreshtua edhe biri i Skraparit dhe i Kollit, Pasho Koka, që u bë bir besnik e luftëtar i vezirit shqiptar të Janinës. Në saje të zgjuarësisë dhe trimërisë së tij, trimi i Skraparit arriti poste drjtuese në ushtrinë dhe obrrin e Aliut.
Sipas dokumenteve të kohës, gjetur në arshiva, ka një përputhje edhe me kujtimet e Pukvilit në librin: “Ali Tepelena”, kur Pashoja me 20 e ca luftëtarë nga fshati dhe zonës rreth Tomorrit, u treguan të gatshëm ndaj Vezirit që ishte në rrezik.
Ja si shkruan Pukvili:
”… Toskët e Myzeqesë, të ngritur më këmbë emisarët e tij, kishin pushtuar kështjellën e Tepelenës që ai e kishte ngritur në qytetin amtar pas Zjarrit që shkatërroi më 1818 pallatin e tij. Menjëherë ata u drejtuan një thirrje popullatave të luftarake të Akrokeraunës, të malit të Tomorrit dhe të Merçikës. Atëherë fiset e Mali-Shkrelës, të Argjenikut, të Dukatit, londgriaridët e Hormovës e të Leklit; abantët e Shushicës dhe fise të tjera të Labërisë rendën nën këtë thirrje…”
Shumë herë tentuan armiqtë për ta kapur, por nuk ishte e lehtë të shtihej në dorë trimi i maleve të Skraparit.
“ Pasho Koka në Kapinovë/ bënte luftë me Stambollë./ Pasho Koka i Kenës / mik i ngushtë i Tepelenës… “
Për fat të të gjithë neve, edhe sot gjenden gërmadhat e shtëpisë së Pashos, në majë të një kodre të butë, nga duket si në pëllëmbë të dorës gjithë Kapinova.
Vargjet e folklorit na sjellin këtë pamje:
“ …. Kapinova farë e rrallë/ u prin Pashoja me pallë… “
Forca të shumta osmane vërshuan në Skrapar dhe nga krahu i Përmetit. Megjithatë ushtarët e sulltanit u dëmtuan keqas, nga bijtë trima të Skraparit, të udhëhequr nga Pasho Koka me shokë:
“… Vjen nizami nga Përmeti,/ duket sikur digjet deti./ Nuk qëndron dot serasqeri / se nga Pasho pallëdreri / e zu data dhe lemeri … “
Timëria e këtij burri të fortë e të pandalur në luftën për çlirim kombëtar nga pushtuesëve osmanë u bë edhe më e furishme mbas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës.
Përfaqësuesit e kësaj krahine së bashku me ata të Tomorricës me në krye Pasho Kokën, Kaja Bylykbashin (Hasa), Kamber Ibron nga Backa dhe Selfo Jakllarin me shokë, morën pjesë në kuvendin ndërkrahinor të Beratit më 7 nëntor 1828, nga i cili doli “Lidhja e fuqishme shqiptare” dhe më vonë i “Besëlidhjes shqiptare”.
Ishte koha që plasen kryengritjet në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut. Trimat e Skraparit me në krye Pasho Kokën, të bashkuar me ata të Leskovikut dhe të Kolonjës, me në krye Zylyftar Podën, çliruanë krahinat e Korçës e të Beratit.
Mbasi u vra miku i tij Ali Pashë Tepelena, ai nuk i lëshoi armët, por edhe për 20 vjetë të tjera udhëhoqi me guxim e burrëri masat e fshatarëve kundër turqve.
Janë të shumta vargjet dhe krijimet e popullit për trimëritë e bijve të Skraparit në muret e kalasë së Beratit gjatë viteve 1833-1835 për çlirimin e këtij qyteti, të kësaj qendre të madhe administrative-ushtarake të pushtuesit.
Luftëtarët e Skraparit e të Tomorricës në këto luftime ishin vëllazëruar dhe me luftëtarët e krahinës së Vlorës, të Tepelenës, të Dëshnicës, të Mallakastrës së Sipërme dhe të Poshtme, si dhe me ato të Vërçës e të Sulovës.
Ja me ç’fjalë luftarake i drejtohen këta trima sundimtarit të Berartit, Myhyrdarit, të mbyllur në kala, këtij të besuari të sulltanit:
“ …Myhyrdar mustaqeverdhë, / priti trimat se t’u derdhë, / lë kalanë me gjithë redhe /se të therim por si kedhe. /Le kalanë, dil si çup /Shqipëria s’do halldup… “
Por Skrapari nuk ka nxjerrë vetëm trima, por edhe trimëresha. Ja me ç’fjalë iu përgjigj trimëresha Këze, burrit dhe bashkëluftëtarit të saj:
“… Tunde Pasho jataganë, / se në luftë me sulltanëve/ edhe mua më ke pranë… “
Lufta vazhdoi e egër në Berat gjatë viteve 1833-1835. Forcat e bashkuara kryengritëse shqiptare e kishin rrethuar mirë kalanë dhe qytetin. Shqipojat e paepura të Skraparit si; Lutfi e Mestan Bakiasi, Nuredin dhe Rakip Hasa me Rrapo Haçon, që ushtronte edhe profesionin e mjekut në luftë dhe me qindra luftëtarë të tjerë iu ngjitën shkallëve të vendosura në muret e kalasë.
U hodhën brenda në kështjellë dhe luftuan thik më tthik me armiqtë. Trimi Pasho Koka e rrethoi sundimtarin turk në sarajin e tij, por dhelpra e vjetër, me pak ushtarë, ishte larguar nga kalaja nëpërmjet një kanali të fshehtë.
Lufta vazhdoi kudo me tërbim. Trimat shqiptarë në këto luftime shkruan faqe të lavdishme në historinë e Shqipërisë. Pasho Koka mori pjesë ne Kuvendin e Beselidhjes se Jugut ne maj te vitit 1847 ne Mesaplik se bashku me Zenel Gjoleken, Tafil Buzin etj.
Pasho Koka luftoi për atdheun deri sa vdiq në vitin 1854.
———————–
*)Marrë nga libri “Bijtë e shpatës shqiptare” i historianit, prof. Mexhit Kokalari, f. 96-99, ribotuar nga poeti Pasho Çela në monografinë historike për Kapinovën.
