Backa, si më hyri në shpirt
Përparim Xhixha
Në Qafën e Martës kam qenë vetëm një herë kur nuk isha as fëmijë dhe as i ri. Por mbaj mend edhe sot një këngë që u këndua në atë lëndinë bukurane ku të jepte shpirt ajri dhe aroma e luleve.
Kënga thoshte :
…Majë e Piqerit gjëmonte
Riza Kodheli luftonte…

U ndjeva krenar për gjyshin tim të paharruar, duke dëgjuar këngën dhe ndoshta kjo ishte “gozhda” që ma nguli në kujtesë për të gjithë jetën.
Bukuria e Qafes së Martes dhe kjo këngë mjaftuan qe unë te filloja të ndihesha skraparlli edhe pse jetoja, luaja në rrugicat e Korçës dhe mësoja për t’u bere trim si nëna, si babai i ndjerë që vdiq i ri dhe si gjyshi që rroi një shekull.
Ai më deshi dhe e desha shumë, si të them, u bëmë edhe shokë kur vitet iknin e unë rritesha dhe ai plakej.
Përgjatë viteve kur babai luftonte me vdekjen,në shtëpinë tonë vinin shumë skraparllinj që t’a takonin babain, të shmalleshin me njeri-tjetrin dhe bisedat të gjitha ishin për Brigadën e XX-S, ku gjyshi ishte komandant dhe babai pjesë e këtij formacioni partizan.
Gjyshin nga babai, Riza Zyferi, nuk arrita t’a njihja se atij i “plasi zemra” që nuk gjenin armë e fishekë për të shkuar në Durrës në krah të Mujo Ulqinakut.
Mendoj sot se kjo është nga dhimbjet e mëdha të njeriut, të mos ketë armë të luftojë për atdheun!
Rahmet pastë im gjysh! Në një farë kuptimi ai ra dëshmor, sepse dashuria për vendin dhe pamundësia për t’u armatosur e qëlluan bashkë në zemër.
Deri sa mbarova gjimnazin, mua më dukej sikur shtepia jonë mbante erë baruti. Aq më shumë kur vinin Shuaip Panariti, komisari i batalionit partizan “Tomori”, ku Riza Kodheli ishte në krye të tij.
Aty u njoha me Misto Treskën, komisarin e Brigades XX-S që vite më pas më pati thënë : Edhe gurët e shtepisë të Riza Kodhelit ishin partizanë!…
Burra të tillë, brezit tonë na dhuruan lirinë. Me këto këngë të Qafes së Martës shpëtova ditën kur u pranova anëtar i BRPSH-së. Ishin vitet kur kërciste lufta kundër shfaqjeve borgjezo – revizioniste. Jani Polena, i pari i Rinisë për rrethin e Korçës, sapo u futa përballë 10 a 15 vetëve, më pyeti:
– I do këngët popullore ti?
– I dua!
– Po mirë atëhere, na këndo një këngë!
Unë nuk dija te këndoja, por nuk hezitova asnjë sekondë dhe ia plasa me sa kisha fuqi:
…Maja e Piqerit gjëmonte
Riza Kodheli luftonte!…
Të gjithë “udheheqesit” u gajasën së qeshuri. Disa fshehën kokat poshtë tavolinave.
Shoku Jani më pyeti përseri:
– Po këngë tjetër a di?
Mua më doli turpi edhe pse e qeshura vazhdonte!
Ja plasa këngës:
…Tridhjetë e nëntë mos ardhsh kurrë
Ti që na rrëzove Flamurë!…
Më thanë se u miratova njëzëri prej të gjithëve.
Vit pas viti më hyri Backa thellë në shpirt dhe siç thuhet dashuria del apo udhëton me shpirtin bashkë.
Pra Backën, Qafën e Martës, Backën dhe teqenë e Baba Fetahut i njoh nëpërmjet mallit.
Eh,moj Qafë e Martës, ç’më kujtove mote të shkuara.
