Tomorr Shasho: 26 vitet e mia në Skrapar
Lajmin se ishte miratuar transferimi për në Skrapar e prita me kënaqësi, por dhe me keqardhje. Me gëzim e kënaqwsi, sepse në Skrapar kisha vendlindjen e prindërve të mi. Shkoja të jetoja midis njerëzve të gjakut tim, me të cilët, për arsye se e tillë kishte rrjedhur jeta, nuk isha takuar. Do të shikoja për herë të parë fshatrat Vëseshtë e Zaloshnje, ku kishin lindur e ishin rritur prindërit e mi.
Keqardhja!? Edhe kjo kishte arësyet e vata.
U linda e u rrita në Bubullimë tw Lushnjes. Kisha plot shokë e shoqe të fëmijërisë e nuk mund të ndahesha aq lehtë. Në këtë rreth punova dhjetë vjet si mësues.
Largohesha nga këta njerëz sa zemërbardhë, aq dhe fisnikë. Kalova një fëmijëri të vështirë ekonomikisht, por plot gëzim e shpresë për të ardhmen. Ishin ata shokë e shoqe, ishin prindërit e tyre, të cilët me atë shpirtin e tyre të bardhë na lehtësuan vështirësitë. Në atë fshat e në këtë rreth mësova të ecij, u arsimova e u përgatita për detyrën e mësuesit.
Kjo keqardhje m’u shtua më tepër ato ditë në Çorovodë, kur ende nuk isha njohur me shoqërinë e prisja emërimin e vendit të punës.
Çorovoda më pëlqente. Qytet i vogël, i bukur, i pastër me ato shkallët e rrugicat karakteristike me kalldrëm.
Më pëlqenin njerëzit, jo vetëm mikpritës, por vija re se ishin edhe punëtorë e tregonin respekt e afinitet.
Më pëlqente, “Verori”, kafeneja më e preferuar e qytetit, ndërtuar aty buzë lumit. Aty kaloja pjesën më të madhe të kohës.
Sheshin e zbukuronte lulishtja me shumëllojshmëri lulesh, pishat dhe palmat. Mes tyre qendronte monumenti i Riza Ceroves, këtij luftëtari për liri e zhvillim, “Hero i Popullit”. Në fund të lulishtes e ndërtuar me gurë të skalitur, Shtepia e Kulturës. Karshi “Verorit” shkolla “Kahreman Ylli” dhe fusha sportive.
Ishin ditët e para të vedosjes për të banuar në këtë qytet. “Puna” ime këto ditë ishte të njihesha me qytetin edhe pse i vogël.
Ishte muaj gusht dhe shkollat ende s’kishin filluar. Isha në pritje të emwrimit. Këtu, në po këtë kafene, sillja ndërmend Lushnjen, shokët e shoqet e fëminisë, kolegët e punës.
Hyrja për herë të parë në klasë me regjistrin në dorë, shoqëruar me planin mësimor e ditarin, dalja përpara nxënësve, të cilët më vështronin e në sytë e tyre dukej etja për të mësuar – atje në shkollën 8 -vjeçare Husgjokaj. Kujtoja shokët e shkollës në Kryekuq, si dhe episode nga jeta së bashku me fshatarët.
Çmallesha duke shikuar herë pas here fotot, kujtimet nga jeta ime në rrethin e Lushnjes. Mendoja se cila do të ishte shkolla e klasa, tashmë në Skrapar.
Te kjo kafene ndodhesha, kur një bashkëfshatari im, i cili punonte në seksionin e arsimit, më vuri në dijeni se duhej të paraqitesha në zyrën e shefit.
Shkova. Përshëndetem tërë emocion në pritje për fillimin e bisedës me të. Më komunikoi se isha emruar me detyrën e Udhëheqësit të Pionierëve në shkollën “Kahreman Ylli”, Çorovodë.
Detyra ishte e re për mua, nga që kisha pak njohuri. Isha ngarkuar me këtë detyrë dikur në shkollë, por ajo ishte vullnetare. Këtu isha i ngarkuar vetëm me këtë detyrë.
Paraqitja në shkollë kishte emocionet e veta. Në drejtori na priti drejtori i shkollës, Qani Zaimi. Ai njihte shumë mirë time shoqe, sepse ishin nga i njëjti fshat. Me urimin e tij, filluam detyrën.
Në këtë qytet, aq i dashur për mua, ashtu si dhe Lushnja, jetova e punova 26 vjet, midis atij populli aq të dashur, aq punërorë, aq mikëpritës.
Punova midis atyre fëmijëve, të mrekullueshëm, të cilët sot janë bërë baballarë e nëna,pse jo, dhe gjyshër e gjyshe.
Takimet e komunikimet më ta direkt dhe nëpërmjet Faceboc-ut më japin kënaqësi, ashtu si dikur kur u dëgjoja zërin duke biseduar, duke i dëgjuar në mësime dhe në aktivitete kulturore -artistike.
NE KUJTIM TE VITEVE
Vizita e parë në Vëseshtë, vendlindja e tim eti
Vëseshta është fshati i lindjes së tim eti. Po në Vëseshtë janë lindur vëllai dhe tri motra. Këtu është dhe varri i motrës së madhe, e cila u nda nga kjo jetë në moshën nëntëvjeçare.
Kishim disa muaj që ishim bër banor të Çorovodës. Vëseshtën vendlindjen e tim eti ende se kisha parë, ende s’kisha kaluar ato shkallë, s’kisha prekur atë derë, të cilën e kishte hapur sa e sa herë dora e tij, dorë që unë nuk ia ndjeva kurrë ledhatimet mbi kokën time, nuk ndjeva puthjen e tij mbi faqet e mia. Ai ishte larguar nga kjo jetë në moshë shumë të re, kur unë s’kisha mbushur vitin që kisha ardhur në jetë. Gjithashtu do të prekja atë derë të cilën nëna ime e preku për herë të parë, kur sipas zakonit i kishin lyer gishtat me mjaltë dhe ajo e kishte ëmbelsuar këtë derë, kur hyri nuse e do të bëhej pjestare e kësaj shtëpie e cila ruante kujtimet e tyre.
Ishte fundi i tetorit, sepse edhe moti kishte filluar të ftohej, kur na erdhi për vizitë xhaxhai me xhaxheshën.
Pas darke, xhaxhai më thotë:
– A keni shkuar ndonjëherë në Vëseshtë?
– Jo! – iu përgjigja.
– Ne kemi dëshirë të shkojmë! Na shoqëron?
– Po,- i them. – Me gjthë qejf! Mezi po e pres këtë ditë. Fat i madh që do shkoj së bashku me Ju.
Tashmë në moshën 27 vjeçare do të shkoja për herë të parë në fshatin e tim eti, do takoja ata njerëz të gjakut tim,të cilët, mundësia e jetës kishte bërë që të mos i takoja më parë.
Të nesërmen, ditën e diel u nisëm.
Te unë mbin dy kënaqësi njëherësh. Epara, sepse po shkoja në fshatin e tim eti dhe, e dyta, “shoqërues”kisha atë që ish lindur, rritur, martuar e i kishin lindur një tufë fëmijë.
Nisemi?- u them.
– Do të kalojmë nga Zhabani, – më thotë xhaxhai.
– Ju e dini! E përballoni dot maloren?
E për t’u dhënë zemër, u them:
– Ju të rinj jeni, edhe pse i keni kaluar të gjashtëdhjetepesat!
Mendimi ishte për xhaxheshën, kurse xhaxhai ishte mbi të shtatëdhjetat.
– Po u lodhëm, do t’na marrësh në krah!
Qeshi.
– Xhaxheshën po, sepse kur vij në Berat, kjo më përgëzon e s’e ndej mungesën e sime ëme.
– Kur të do ajo, unë vetëm gëzohem…
Me biseda kodra pas bregut, kur i thonë, mbrritëm mbi Zhaban. Kaluam shtëpinë e Hamit Nuellarit, djali i hallos së xhaxhait dhe tim eti. U ulëm për të pushuar pak, sepse patëm hequr maloren e madhe.
Xhaxhai i hodhi sytë poshtë, nga kalon lumi Osum, dhe filloi t’i përmend fshatrat me radhë.
-Ajo në luginë është Sharova. Me lartë janë Slatinja eVeleshnja. Në krahun e majtë janë Prishta, Grepcka, Blezencka e Zabërzani.
Filloi të përmendi shokët, miqtë e tij që kishte në çdo fshat.
– Boll! – foli xhaxhesha. – Tërë natën po të të lësh ti nuk pushon, pa ngreu
se na zuri dreka…
U nisëm përsëri. Rruga ishte e drejtë.Ajo kalonte përmes pyllit. Pasi ecëm gjysmë ore, u shfaq pamja e fshatit.
– Këtu jemi në Mbraqan, – sqaroi xhaxhai. – Shtëpitë afër përroit janë ato të Dautit, Tahirit dhe Shefqetit. Vendi quhet Eres. Poshtë shkëmbit, afër atij lisit të madh, është lagja “Hasanago”. Ato shtëpitë në fund të lagjes janë shtëpitë e Arizit dhe Ismailit. Arizi ka vdekur, por i rrojnë gruaja, Merjemja dhe djemtë. Samiu banon në Çorovodë, ndërsa Xhevahiri në Pogradec. Këta i kemi miq të vjetër.
Lagja jonë është në krye të fshatit.
Ecnim e bisedonim. Ai që ligjëronte më shumë, ishte xhaxhai, por nuk mbetej pas edhe xhaxhesha. Edhe ajo kujtonte!
Pasi kaluam shtëpitë e korçarëve në Eres, në lagjen “Shesh” u takuam me shokë të xhaxhait: Seiti, Rizai e Ferriku. U bashkua edhe Kamberi me të shoqen, Lirinë. Ajo filloi bisedën me xhaxheshën. Më shumë vëmendjen nga ky takim ma tërhoqi një burrë i shkurtër, i cili gjatë gjithë bisedës nuk e hoqi çibukun nga goja. Mësova se e quanin Njazi. Ishte nga lagja Korçar.
Në lagjen “Koxho” u takuam me Nezir Mollën.
– Ta tymosim njëherë, – thotë xha Neziri.
Dhe ia nisën bisedës. S’lan gjë pa kujtuar.
-Si e kam Petrefin, Daken… pyeste xhaxhai .Edhe plepat afër barit të madh i përmendën..
– Shpoje, – i them xhaxhës, – se nuk mbarojnë këta. Po filluan të tregojnë ato të rinisë, hajde të pushojnë!
Fola gjoja me zë të ulët, por xha Neziri e dëgjoi.
– Shikoni ju, – qeshi Neziri, – pa ne e kaluam rininë tonë me bagëti….
Vazhdojmë të ecim.
S’kishim as 20 metra largësi e do të futeshim në rrugicën e lagjes, kur drejt nesh po vinin guralecë njëri pas tjetrit.
– Po na presin me gurë, – i them xhaxheshës, së cilës i kisha shkuar krahun.
– Lëre, se e di unë se cili është ai kodosh,- tha xhaxhai. – Ia tregoi unë qejfin!
Mbushi edhe ai dorën po me guraleca dhe vazhdoi të qellonte në drejtimin nga vinin guralecët.
– Eshtë ai qarrata Orhan! Këtë zanat bënte sa herë që i jepej rasti kur kaloja.
Ishin moshatar.
– Dil, Orhan, dil! – i foli xhaxhai. – Mos rri fshehur! Dil, se ti je!
Sa dëgjoi që iu përmend emri, Orhani doli nga vendi ku ishte fshehur, e kapi prej mezi dhe pak sekonda bënë sikur po mundeshin. Çdo gjë kaloi te puthjet e përqafimet.
Në oborrin e shtëpisë, ku do qendronim atë natë, kushërinjtë tanë kishin dalë për t’na pritur.
Ja dhe urimin e parë të mirëseardhjes e bënë Xhirja, bashkëshortja e Hajdërit, kushëririt të xhaxhait, i cili nuk jetonte. Pastaj me radhë: Tajari, Salushja (bashkëshortja e Tajarit) e Gëzimi. Fëmijët e Tajarit, Hajdëri (i cili gëzonte emrin e gjyshit) dhe Luani. Këta ishin të vegjël.
Mes përqafimeve dhe urimeve: “U lumshin këmbët!”,”Nga u hapën këto rrugë!”, “Ehhh, sa na kishte marr malli!”, u futëm brenda në dhomën e madhe, në atë dhomë ku ishte lindur Hysniu ( xhaxhai) dhe im atë. Dhoma ku kishin kaluar gëzime e hidhërime.
Kushërinjtë banonin në ish shtëpinë tonë.
Ishin ato shkallë,ishte ajo dhomë,ishte ai oxhak. Shikoja, dëgjoja dhe mendoja….
S’ishte mbushur ora dhe dhoma u mbush plot. Erdhën me radhë: dy vëllezërit, Orhani e Selimi, së bashku me gratë, Xheziren dhe Ervehenë. Djemtë e Orhanit, Avniu e Petriti, shoqruar edhe këta me bashkëshortet: Nazen dhe Verën.
Biseda s’kishte të mbaruar nga pyetjet për njerëzit e deri te kujtimet e fëmijërisë. Për herë të parë po dëgjoja emrat: Qemali, Aliu, Seiti, Barjami, Hakiu, Isufi. Ishin të gjithë me mbiemrin Cufe, ishin të gjithë gjaku ynë. Kujtonin ato vite të rinisë, pyesnin për njerëzit që jetonin e kujtonin ata që ishin larguar nga kjo jetë. S’u harruan dhe shokët e lagjeve të tjera.
Unë vetëm dëgjoja e isha kurioz të mësoja sa më shumë rreth njërëzve të gjakut tim.
– Eja, – më thot Tajari,- dalim e rrimë pak përjashta! Këta kanë filluar të bëjnë inventarin e shokëve .
Duke dal i thash:
– Kanë të drejtë! Janë rritur bashkë, kanë luajtur e diskutuar çdo problem me njëri – tjetrin. Shiko se sa mirë e ruajnë respektin e dashurinë midis tyre! Salushja na solli mollë.
– Shijo mollët e fshatit tënd! Ke lindur në Lushnjë, por edhe Vëseshta fshati yt është.
Fillova “intervistën” me Tajarin rreth njerëzve të mi, si dhe rreth atyre të mbarë fshatit.
Bashkëfshatarët do t’i njihja më mirë mbas katër vjetësh, si djalë e si mësues i atij fshati.
