Nuse me nëntë kunata, e nënta!

Nuse me nëntë kunata, e nënta!

 

Sefedin Çela

 

Ky është një rrëfim familjar, ngushtësisht personal, mos kërkoni të gjeni Shqipërinë këtu, me tallazet e tërmetet e saj ; për mua vendi i ka rrënjët në themelet e shtëpisë të secilit prej nesh, në historitë e përditëshme të familjeve tona.

 

 

Dhjetori nuk më kujton së pari ditën e shkurtër e natën e gjatë, dimrin, Krishtlindjet, Plakun e Vitit të Ri; prej gjashtë vjetësh dhjetori ngrin në datën 12. Para e pas kësaj date rimarr, rikujtoj dhe ribëj mbi 40 vjet jetë të mëparshme, zgjedh prej tyre ditë, i rijetoj me mend çaste që mund t’I kisha bërë më të bukura me pak më shumë kujdes, po nuk fshij asgjë: është jeta ime, jeta e ne të dyve,e dy nëntshave, motrës se nëntë e kunatit të nëntë.

 

 

Më thotë këto ditë Mira, nusja e pare me nëntë kunata, “ e ke parë një foto me Likën ditën që unë hyra nuse?”.

 

Gjithë këto vjet dikush nga motrat, vëllezërit, kunetërit a nipat e mbesat, për të m’u ndodhur pranë, kujtojnë atë, motrën , tezen apo hallën e vogël, të nëntën, Vasilikën time. E kam përpara këtë foto e kthej , rikthej e ribëj mbi 40 vjet jetë:

 

Vajzat e mbara, që kanë fat ose që i gjen fati, është thënë se janë mysafire në shtëpinë e prindërve. Në dasmën e shumëpritur të vëllait, Janit, ato ishin bijat e shumëpritura, por për nusen e sapombrritur , janë kunata. Jo një e dy, – nëntë.

 

 

Korrik 1976, familja Vasi, Nivan , Zagorie. Bijat mbledhur në shtëpinë e lindjes për dasëm, ngjarje për foto : nga e djathta lart, Anthulla,, Vergjenia , Margarita, nusja Mira, me fustan të bardhë nusërie e me lule në duar, Varvara, Marjeta, Afërdita, ulur nga e majta Liljana, Violanda dhe Vasilika. Vasilika , – e vogla e motrave, e nënta!

 

Nëntë motra mbajnë një valle, bëjnë një dasëm.

 

 

Në këngë thuhet :

“Nëntë djem e nëntë nuse, të nënta me djem në duar…” . Nuk ka asgjë epike në çka po them , asgjë nga legjendat. Nuk bëhet fjalë për nëntë djem e nëntë nuse, po për një nuse e nëntë kunata. Unë kam qenë aty, nuk ishim nëntë vëllezër, si thotë kënga, ishim nëntë baxhanakë.

 

 

Thuhet se dy baxhanakë zënë një shteg, ne të nëntë ngritëm shtëpinë në këmbë, e bëmë tym e flakë : aheng! Isha i nënti , i fundit të radhës e sipas një zakoni të moçëm , dhëndërrit të vogël i mbetet të mbushë ujë e të freskojë dasmorët. Po aty hierarkitë ishin përmbysur. Sytë, veshët, zemra, gjithë qënia ime ishte përqëndruar te nënta tjetër, edhe ajo e fundit sipas radhës! E po, na sjellsh të mira e gjetsh të mira, moj Mira!

 

 

Mbledhur rreth tavolinash të mëdha, kushurinj, krushqi e ne, nëntë dhëndurrë e dy djemtë e shtëpisë, ishim një familje e stërmadhe po në të vërtetë, shumë prej nesh të ardhur posaçërisht nga Veriu e Jugu, nga kishim rrënjët e punët.

 

Vëllai i vogël Skënderi, i vetmi beqar, këndonte “O more rrap…” E dinin të gjithë atë këngë, e këndonte dikur babai, zoti i kësaj shtëpie. Zëri i Skënderit dridhej, motrave iu përndritën sytë, them se të nëntave, se loti i vjen vetiu njeriut, edhe kur qesh, edhe kur qan.

 

Mungonte kreu i shtëpisë, Andoni, ai që kishte rritur njëmbëdhjetë fëmijë, që kishte nxjerrë nuse tetë vazja, po dasmave të vajzës së nëntë e dy djemve nuk arriti t’u gëzohej dot.

 

 

Katër vjet më parë unë e Vasilika ishim ende të dy studentë, ende të ndrojtur nga çka përjetonim, flisnim me batuta e për lloj lloj gjepurash, duke u ardhur rrotull gjerave, si ndodh kur nuk thuaj dot atë që do të thuash, i bie botës rrotull nga pasiguria për t’i rënë shkurt rrugës që di më mirë. E kisha përshëndetur njëherë “nihao!”, sepse ajo bënte një kurs në gjuhën kineze, kur nihao ishte e vetmja fjalë që dija. Desha thjesht të flas me të dhe gjeta t’i bija nga Kina!

 

 

Kur ajo tha “babai im është këtu në spital”, me sytë tërë lotë , ndjeva se më dhëmbi zemra , ajo deshi ta shihnim bashkë: kjo është rruga shkurt për te zemra. E dinte që mua terë jetën me kishte munguar babai e më besoi diçka të vetën, dhimbjen e saj.

 

Ishte po-ja e saj e madhe për lidhjen tonë. Dhimbja ndahet midis zemrash që rrahin njëlloj. Ishte nga ato ditë që një jetë nuk mjafton për ta harruar.

 

Ai u çua përgjysëm në krevat e ne iu ulëm përballë në gjysëm harku, duke i marrë secili nga njërën dorë. Ai shihte herë njërin herë tjetrën, për të disatën herë. Pastaj na afroi te vetja e na puthi flokët. I bashkoi duart tona midis dy duarve të tij. Mbani njëri tjetrin, tha, mësohuni të duroni. Do të shihemi në dasëm! Na ndoqi me sy deri sa mbyllëm derën pas vetes…

 

 

Martesën tonë ai s’e arriti. Por, pasi doli nga spitali , kishte kërkuar të vija në shtëpi, per t’u njohur më mirë , në ç’njerëz kisha rënë, se rrethi i tij ish si Kullë e Babilonit, fliteshin të gjithë dialektet, le pastaj zakonet e huqet që njeriu i ruan e i mbart me vete tërë jetën.

 

 

Kisha tre katër muaj që isha transferuar në Skrapar, Dhëmbelin e shihja përballë , po m’u desh t’i vij rrotull nga Berati në Lushnjë, pastaj trenit për në Ballsh, Ballsh – Gjirokastër me autobuzin e linjës dhe,me korierë drejt Nivanit, më në fund Dhëmbelit i dola nga pas. Gjithçka për atë të nëntën, atë çupkën në cepin djathtas në fotografi. (Për atë kursin e kinezçes dhe për flokët e prerë shkurt vajza, Jonida, i thoshte “mami kinezka”). Për atë edhe në këmbë kisha dalë prapa Dhëmbelit, duke i rënë shkurt nga Kanionet e Osumit, nëpër Dëshnicë, Përmet, Malëshovë, i dola Zagorisë nga pas, krah Çajupit.

 

Shkurt i thënshin, se u deshën 10 orë rrugë !

 

Atë rrugë e kisha bërë disa herë me mend.

 

 

Ishte hera e parë që e bëja realisht me korrierë këtë rrugën e gjatë , hera e parë që dëgjoja të flitej njëherësh shqip e greqisht e me zë të lartë në rrëzë të veshit, hera e parë që u ngjita për në Suhë. Dhe ja, në Poliçan hypi një personazhi i papërsëritshëm, si nëpër filma.Tha diçka për të gjithë me një zë bubullimë,” a ini mirë, o njerëz?”, e përfshiu me sy tërë gjindjen dhe vjen e më ulet në krah, edhe pse kishte vende të lira e udhëtarë që me siguri i njihte.Më pyeti ç’e mirë më solli këtej Pas Maleve, ku ka çaj e trëndelinë, prej nga vija, ku shkoja e pse shkoja.

 

 

Dukej sikur donte të rëmonte botën e vogël të një çunaku të hutuar që kishte humbur rrugën në pyll. I thashë se vija për nuse, vija për herë të parë, nga një vënd ku ka raki e rehani e ku pula ha gurë, jo grurë. Nuk u zëmërua, duket i shkonte për shtat kjo mënyrë të foluri. Epo, tha , cila e paska këtë fat të shkojë Ku Ha Pula Gurë, bijë e kuja është?. E Andon Vasit, i thashë. Aa, e Andon afendikoit, thuaj! Po ai sikur i ka të zëna të tëra vashat? I thashë njëherë,”more Andon, do gjesh belanë me gjithë këto vasha e nuk po gjen djem, pse nuk i këmben me djem të mënçëm si puna ime?”.

 

 

Ai më thotë “vajzat kurrë nuk janë tepër, rrisin njëra tjetrën. Po ty, Kiço ziu, të ka harruar mendja me kohë a s’po të gjen dot, pa vret miza me fjalë”. Mirë e kishte, ato u rritën , u martuan e shkolluan njëra tjetrën. Po dhe dy djemtë i rriti. Ti mos do të marrësh atë të nëntën, që krren vjersha?. Po bëhemi si këmbët e dhisë, ca si shumë, Andon Çakua, ajo dhe unë. Unë jam K.Th. Spiri, ndër poetët më i miri!”. Duket e kishte fjalën për Andon Zako Çajupin!

 

 

U bëra mik me poetin, ai ma bëri më të lehtë prezantimin : sa hyra tregova se kisha njohur K.Th.Spirin e akulli u thye. Motrat e bashkëshortët e tyre nuk kishin ardhur të gjithë , prap se prap ca si shumë për të nëntin sipas radhës që vinte për herë të parë.

 

 

Ishte ende herët për në tavolinë, kështu që babo Andoni, si kisha filluar t’i thosha me vete, na mori veç ne dy nëntshave në Perivol, një kopësht i vogël i rrethuar me pemë, tërë zogj e gjinkalla. Mbaj mend se ai të linte radhë të flisje e dëgjonte me vëmendje, sikur nuk ishim dy nëntsha axhamij, po njëshat , – Rustemi, goxha shef i Zyrës së punës në Gjirokastër dhe Vergjinia, gruaja e parë mjeke e Gjirokastrës, të cilën e njihnin edhe gurët e kalldrëmeve.

 

 

Ai dëgjonte me vëmendje pasiguritë e të dyve për gjithçka kishim për të bërë e nuk dinim ta bënim. Ai qeshte. Jo keq, tha, ini si tenxherja –kapaku!. Është më keq kur mendon se di e nuk pyet.Në Stamboll mbriti ai që pyeti.

 

 

Prova ime ishte dreka. Nuk ishte rasti që si më i vogli të më dërgonin për ujë, po isha sebepçiu pse ishin mbledhur, i ulur në krah të të zotit të shtëpisë, isha nga vendi i rakisë dhe duhet t’i delja zot gotës e fjalës. Baxhanakët ishin tërë sy e veshë e hazerxhevapër të palodhur. Hidh e prit pa të keq me njëri tjetrin, dukej sheshit se kishin hëngër një thes me kripë sëbashku. Provën time më shumë nga të gjithë e vuante Vasilika. I dukesha si në rrethim. Shihte me sy lutës të jatin të më merrte në mbrojtje. Filloi me një gotë mirëseardhjeje e një urim për ne dy nëntshat nga babo Andoni .

 

 

Pastaj filluan dollitë me gota plot, me shëndete që nga i zoti i shtëpisë, për çiftin e ri, e deri te pragu , dera e kazani i rakisë. Me të qeshura si meze ekstra e me hile të vogla, si derdhja e gotës nën mjekër.Dhëndërri për herë të parë është si nusja për herë të parë, i mban mend të gjitha. Po ca djallëzira e hollësira që bëhen nga pija, me mendje esëll nuk duhet t’i tregosh. Dollibashi m’u drejtua mua. “ Fjala e dollibashit është urdhër, thuhet andej nga anët tuaja. Unë plot e ti plot, si andej, as më shumë , as më pak! Ke gjë për të thënë?”

 

 

Vasilika ishte zverdhur e bërë sa një grusht. Shihte nga i ati me përgjërim. Ishte rreshtuar hapur në krahun tim, po nuk dinte si të më mbronte.. Thashë se i përgjigjesha dollisë. Thashë se ka dollibash, po ka dhe zot shtëpie, ai qëndron mbi palët. E piva një gotë plot pastaj thashë se dollia bëhet edhe ndryshe, me shëndete tek e tek e zabërzançe, sipas së cilës unë duhet të thosha një për një për kë ishin pirë dollitë e në fund, për të gjitha, të pija një gotë plot.Nëse harroje pa thënë ndonjë , – gjobiteshe me një gotë jashtë radhe!

 

 

Kështu ndodh dhe sot e kësaj dite në Skrapar, madje tani, sipas termave të kohës, quhet reforma e dollisë, zabërzançe! Po atë ditë u gjet me vend si një alibi për të mos dalë i humbur nga një garë që s’ia dilja dot. Kulmi ishte që , kur unë përmenda shendetin për flamurin, dollibashit iu var koka mbi tavolinë dhe ai arapçiu, që e derdhte gotën nën mjeker, tha “mbahu pas flamurit!”.

 

 

Ishte një ditë e paharruar, prej nga filloi një miqësi e vërtetë , tashmë e vjetër dhe e “stazhionuar” në vite, si ndodh me verën e mirë. Prej asaj dite me babo Andonin nuk pata rast të flas më, nuk e mbajti dot fjalën të na ndodhej në dasëm. Ne duruam, si na kishte mësuar.

 

 

Rustemi kishte një shtëpi të bukur në Gjirokastër, nga ato që e gjen në kopertinë të albumeve të qytetit muze. Ajo restaurohej e mirëmbahej tërësisht nga atelieja e Gjirokastrës, filiale e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Kishte stere tipike uji poshtë, ngjiteshe në katet sipër me shkallë të brendëshme druri. Po atë shtëpi e bënte të mrekullueshme vetë Rustemi, me bujarinë e tij e gatishmërinë për t’iu gjendur kujtdo në çdo kohë. Ajo ishte si një shtëpi pritjeje tranzit. Kush nisej per në Nivan e anasjelltas, një natë stacionohej aty. Rustemi kujdesej për gjithçka, deri te biletat e udhëtimit.

 

 

Kishte një humor anekdotik të pa shtershëm . Një natë kjo Mira, nusja me nëntë kunata për të cilën tregova më sipër, bashkë me të shoqin, rrugës nga Nivani për në Fier, ku banonin , bujtën te kunata e madhe Vergjenia, pra te Rustemi . Mira tashmë dihej që ishte zemërbardhë dhe e sinqertë deri tek ajo . I thotë Rustemi si nën zë e pak mënjanë: Të ka treguar ky yt shoq ca gjëra për mua?

 

 

Ajo kishte mbledhur supet, ncuk! Pra ti s’e di pse e si e kam këtë shtëpi kaq të madhe? Duhet t’i dish ca gjera, se tani të kemi njeriun tonë dhe je edhe aktiviste.

 

 

Ja ku po ta thom unë: Në kohën e luftës kam qënë ca vite oficer fashist. Si të të them, në atë kohë kur u varën ato dy vajzat, Bulja me Persefonin”. Mira kishte ngrirë, e kapur gafil në një histori që nuk do ta besonte kurrë po ta dëgjonte nga të tjerë. Rustemi, për ta bërë të besueshme deri në fund, kishte nxjerrë nga portofoli një fotografi të zverdhur nga koha, ku ai dallohej qartë me ato musteqet e shkurta, me uniformë oficeri, me një kamzhik në dorë që u binte çizmeve , diku në taracën e një godine. Mira ishte larguar pak, krejt e turbulluar, pastaj kishte thënë: po mirë, si të mbajnë kaq vite ty në Zyrën e Punës,ty të duan tërë gjirokastritët! Po të ishe i lig do të ishe fshehur!

 

 

 

Këtë histori ma ka treguar vetë Rustemi, madje edhe fotografinë. Ai ishte marrë në një rol episodik në filmin “Ngadhnjim mbi vdekjen” e ruante si kujtim dy copë fotografi. I kam dhe unë në celular , i shoh herë pas here e mendoj se kjo botë sado e vogël bën të mundur e të pamundurat,me ca rastësi të çuditëshme, bfj, si babai i Rustemit kishte emrin tim dhe Rustemi kishte mbiemrin tim!

 

 

Rustemi ishte njohur me Vergjeninë kur ajo ishte ndihmësmjeke e re. Martesa e një ortodokseje me një mysliman në ato vite ishte një ngjarje që nuk ndodhte shpesh në qytet. Po ky burrë i rrallë bëri atë që jo kushdo e bën. Edhe pse u bënë me fëmijë, ai e çoi në Tiranë të përfundonte studimet universitare në mjekësi me kohë të plotë! : ajo e donte profesionin e vet, kishte talent ,donte të bëhej mjeke dhe ai e bëri mjeke!

 

 

Pesë motra u bënë arsimtare. Ishte fat për to që Gjirokastra kishte shkollë pedagogjike., Marjeta së pari e më vonë dhe Landa banuan në shtëpinë e së motrës, pra te Rustemi, katër vitet e shkollës.Vetë Marjeta,kur u martua, mori motrën tjetër LIljanën dhe, kur i shoqi u transferua në Lushnjë, mori vëllanë e vogël, Skënderin, deri në përfundim të gjimnazit. Vasilika e filloi gjimnazin në Berat, ku e motra inxhiniere ,Varvara, punonte ne ndertimin e Kombinatit të Tekstileve…Kur u transferua në Lezhë, se u martua me një inxhinier lezhjan, mori dhe motrën me vete; kiu fiu, Vasilika e përfundoi gjimnazin në Lezhë!

 

 

Është e mrekullueshme fryma e marrdhënieve brenda kësaj familjeje të madhe, përgjegjësia për njëra tjetrën, raportet me punën.Kur u kërkua të ndihmoheshin rrethet e Veriut në disa profesione, Afërdita shkoi mësuese në Pukë; aty vinte e takonte inxhinieri ushtarak i llokacionit, Safeti, derisa u bënë bashkë e ngritën çerdhen e tyre në Tiranë. Dukej se, si njëra tjetra, kishin deri në thonj kultin e punës.

 

 

Më vinte për të qeshur kur Vasilika thoshte shpesh, “ku vajte më gjete mua, unë nuk di të bëj asgjë. Kam qënë e nënta, ore, nuk më vinte radha të gatuaja njëherë, jam tapë topi”.” E zeza unë, nuk e bëj dot mësuesen, do shqyhen gazit nxënësit”. Unë bëja kurajozin, por, si ndodh shpesh, fillimi i duket përherë më i vështirë atij që kërkon më të mirën te vetja. Ajo vinte me një turrë fletoresh të begsave e i koregjonte me durim të madh për orë të tëra. “nxënësit do të lenë kokën për ty, i thosha unë , ke për të parë. Ja unë, edhe pse nuk jam nxënësi yt, lë kokën për ty!”

 

 

Që herët më kanë tërhequr disa ustallëqe, si të rregulloj bravën, të ndrroj rubinetin, të mbush shtëpinë me vegla, po për të gatuar nuk i a kam thënë ndonjëherë, edhe pse nuk kam vuajtur nga oreksi. Gatimi ishte një punë që s’më pëlqente, më dukej më i sikletshëm se larja e enëve.Veç ndihmësin nuk kam përtuar ta bëja. Ishte ora rreth katër një pasdite kur u ktheva në shtëpi i uritur. E gjeta në koridor, ku kishim një Obodin të vogël, ishte e shqetësuar. Nuk ka gjë prej gjëje, tha, thyen kokën miu. Mora djalin nga çerdhja, në dorën tjeter kisha çantën me libra e fletore e s’arrita të marr as një tufë preshë…

 

 

I thashë të vinte tenxheren me ujë e dy majë gisht kripë në zjarr. Në ushqimoren poshtë shtëpisë mora një pako makarona. I hodha në ujin që valonte. Ndërkohë ajo treti gjalpë , i shtoi salcë domate. Tani më duket se e di çdo të hamë, tha ajo. Po nuk di si do ta hamë , thashë unë. “Kjo gjëja është për gojë të guximshme”. I derdhëm në kullonjëse dhe ashtu të përvëluara si ishin i rihodhëm në tenxhere e iu përziem salcën e përpunuar me gjalpë.

 

 

Vite më parë, kur isha mësues në fshat disa shokë flinim në një dhomë në shkollë ; Kostandin Gjika, që bënte kuzhinierin, na vinte shpesh para kësaj alternative, të hanim makarona në një tenxhere, ashtu të nxehta siç ishin, ndryshe mbeteshe pa gjë. Na digjeshin buzët, qiellëza, i rufisnim pa patur kohë t’u frynim, po guxonim e hanim. Kësaj mënyre të gatuari e të ngrëni i vumë emrin “gjëja për gojë të guximshme”.

 

 

Asnjëri prej ne të dyve nuk e harroi atë drekë kur provuam të hamë me gojë të guximshme. E treguam në fis e në farë ç’kish ngjarë. Në të vërtetë, ne mësonim përditë diçka të re si të duam. Të mësosh si të duash është gatimi më i mirë, gjëja më me shije për gojë të guximshme e për të shijuar jetën.Secili prej nesh mundohej të bënte familjarin e mirë, pa qënë të sigurt se ishim familjarë të mire. Fundja gjithçka ka një fillim.

 

 

Po të mos jenë motra gratë, nëntë burra mund të mos e njihnin kurrë njëri tjetrin. Fjala baxhanak më është dukur më e huaj se çdo fjalë tjetër e huaj. Po ja nëntë motra burrat e tyre i bëjnë baxhanakë, le të jenë ç’të duan, ortodoksë, katolikë a myslimanë, mjafton të jenë burra të denjë e gra të denja. Fëmijët e këtyre baxhanakëve e kunatave kanë një lidhje gjaku, janë kushurinj të parë, njëlloj si djali i Rustemit, të parit prej nesh, dhe fëmijët e mij, që jam i nënti, i vogli, që sipas gojëdhënës, dërgohet për të mbushur ujë.

 

 

Unë po tregoj këtë histori, duke kujtuar datën 12, që ndërpreu 40 vjet jetë bashkë, po jo nga kujtesa : një njeri, qoftë dhe një popull e historia e tij vdesin nëse harrohen.Historia e prindërve të mij e vëllait, motrave e fisit tim, e fëmijëve të mij , historia e gruas time, e nuses me nëntë kunata, e fëmijëve të tyre, na mbajnë gjallë. Kemi shumë për të parë e për të gëzuar. Jemi rrënjë të thella që nuk na tund e na shkund e na shkul asnjë tërmet.Them se prej këndej zë fill për mua familja e madhe, – Atdheu .