Këtë radhë po botojmë disa anekdota të të ndjerit Niko Tyto, mësues nga Malëshova e Përmetit, mik i skraparllinjve.  

 

Anekdotat janë shkëputur nga vëllimi i tij, “249 anekdota”.  

 

Niko Tyto (1936 – 29 nëntor 2014) ishte studiues, folklorist dhe shkrimtar shqiptar.

 

Ka botuar nëntë libra për fëmijë, gjashtë me materiale folklorike, katër me studime. Shumë aktiv në shtypin e kohës së vetë me shkrime letrare dhe gjuhësore.  

 

Le të shërbejë ky postim si një homazh nderimi për Të.

 

## “Orakujt…”#

 

 

 

Dy inspektorë shkuan për kontroll në një shkollë fshati. Në mbrëmje u strehuan në familjen e një fshatari, i cili i priti me përzemërsi. Kur ranë për të fjetur, njëri i tha të zotit të shtëpisë:

 

 

-Unë vuaj nga prostati, të lutem lidhe buçen, të mos më hajë, kur të ngrihem natën

 

 

-Buçja ime nuk të ha, mos ki frikë,-  i tha i zoti i shtëpisë.

 

 

Natën ngrihet inspektori dhe, sa doli jashtë, ju hodh buçja dhe e kafshoi.

 

 

Kur u kthye në dhomë shoku e pyeti…

 

 

-Të hëngri buçja?!

 

 

-Jo, i tha kolegu, më hëngri  i zoti i shtëpisë…

 

 

 

***

 

 

Në vitet ’50 të shekullit të kaluar, një mësues ishte transferuar në një fshat të largët nga qyteti i tij, ku jetonte me familjen. Kërkoi ndihmë nga një miku i tij që në ato vite ishte me përgjegjësi. Mjerisht, miku kishte pak ditë që ishte shkarkuar nga këto detyra, por mësuesi nuk e dinte.

 

 

-Të lutem,i tha mësuesi mikut, ndihmomë që të afrohem, se kam edhe nevoja familjare.

 

 

Miku, si e dëgjoi mirë e mirë, i tha:

 

 

-Nuk jemi ata që ishim, na ngordhi balua që kishim…

 

 

 

 

***

 

Gjatë muhabetit, të zotit të shtëpisë i shpëtoi një pordhë, miku që ishte ftuar për darkë, bëri sikur s’dëgjoi. Ndërsa e shoqja e plakut kujtoi se miku nuk e dëgjoi dhe ajo filloi të qeshte nën buzë.

 

Plaku e përsëriti veprimin e parë dhe përsëri mësuesi heshti…

 

 

Mësuesi ngrihet në këmbë dhe i thotë të zotit të shtëpisë:

 

 

-Zotrote shëndoshë, mjerë ato që u ndanë nga shoqet, mbaj të tjerat…

 

 

 

***

 

 

Mësuesja pyeti Mirin, nxënësin e klasës së tretë, për të zgjedhuar foljen “eci”. Miri fillon ngadalë-ngadalë të zgjedhojë foljen:

 

 

-Unë eci, ti ecën…

 

 

-Më shpejt, më shpejt, ndërhyn mësuesja.

 

 

-Unë vrapoj, ti vrapon…, vazhdoi Miri.

 

 

 

 

***

 

 

Dy fshatarë shkuan në një klub për të pirë kafe, njëri mori kafe turke dhe tjetri ekspres. Ai që piu kafe turke, i shijoi, ndërsa tjetri, që piu ekspres, u shtrembërua nga që nuk i pëlqeu dhe nuk piu më.

 

 

-Pse e ke lënë kafen, i thotë kamerierja.

 

 

-Ishte shumë e hidhur, zonjë.

 

 

-Po unë ta solla sheqerin!

 

 

Një qytetar nga tavolina përbri, që ndoqi veprimet, i thotë fshatarit:

 

 

-Nga ç’fshat je zotrote?

 

 

-Po ty nuk të mjafton që e dhjeva unë, po kërkon të dhjesë edhe fshatin!…

 

 

 

***

 

Kur u çlodhën në Sheshe, një nga burrat, si ndezi një cigare, iu drejtua një bashkëfshatari që kishte lënë mustaqe:

 

-Të lumtë, o Zylfo, e shpëtove shpirtin…

 

-Pse e shpëtoi Zylfua shpirtin, tha në nga bashkëfshatarët.

 

-E po, që sot e tutje, nuk do t’i thotë njeri të dhjefsha shpirtin, por të dhjefsha mustaqet!

 

 

 

***

 

 

Një plak i moshuar shiste në anë të rrugës paketa cigare. Një zonjë e bëshme blinte pothuajse çdo ditë aty cigare.

 

Një ditë plaku i thotë:

 

-Zonjë, ku i ke rritur ato mollë aq të mira, që i mban në gjoks?

 

-Po ty ç’të duhet, mor ditëzi, ti s’ke as dhëmbë, i përgjigjet gruja!…

 

-Se mos do të thyej arra, zonjë e nderuar, iu përgjig plaku me qesëndi, pa e prishur terezinë fare.

 

 

***

 

Vjehrra i ankohej një herë nuses se ajo gati në çdo dy vjet lindte nga një fëmijë, natyrisht me burrin e saj.

 

-Po ç’bën kështu, moj nuse, nuk i shikon shoqet, nuk bëjnë siç bëni ju…

 

-Hesht nëne, mos fol ashtu, janë punët e zotit këto.

 

-Mos, moj, pse zoti te shalët tuaja e ka mendjen!?…

 

 

 

***

 

 

Një kalorës shkoi në pazar dhe lidhi kali në një pemë në të hyrë të qytetit. Kur mbaroi punë u kthye te kali, por i kishin vjedhur kapistrën. Në moment thirri me zë të fortë:

 

-O më dorëzoni kapistrën ose do të bëj atë që bëri babai im në Romë.

 

Hajduti i trembur i solli kapistrën:

 

-Urdhëro i tha, por dua të di çfarë bëri babai yt në Romë?

 

-Bleu një tjetër, tha kalorësi…