
Hajri Nuhu
Diko Zeqo, komandanti famëmadh i një reparti elitë të viteve të socializmit, kur nuk të linte njeri të ngrihje kokën më shumë se “ç’thoshte Partia, u bë i tillë, falë ndërgjegjes së lartë, përgjegjësisë ndaj detyrës, korrektësisë, profesionalizmit të pakonkurrueshëm dhe popullartitetit të jashtëzakonshëm që gëzonte në popull në të gjithë Shqipërinë, të përhapur nga ushtarët e vet në vite, “mblodhi” përsëri një grup ushtarësh skraparllinj për të kujtuar me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Batalionit, Atë si komandant dhe ato vite të bukura që kaluan në atë repart “Spartanësh”, që quhej si një pronë private e sotme, “Reparti i Diko Zeqos”.
Duket sikur i ka thirrur në apel. Dikoja, një emër, një njeri, një ushtarak nga më të mirët e ushtrisë shqiptare.
Kemi dëgjuar shpesh: “Kam bërë ushtrinë tek Diko Zeqo” apo “Jam i Diko Zeqos unë”. Biles emri i batalionit mbështetës të ish-Shtabit të Përgjithshëm duket sikur është shkrirë me emrin e tij.
Ja, për të nderuar komandantin e tyre u mblodhën në Durrës “ushtarët” e tij. Tani në moshën e tretë shumica. Po të mbajtur mirë falë stërvitjes në atë njësi elitë të ushtrisë shqiptare.
Një grup qëndruan tek Vila Aliaj në Plazh. Takimi i parë me Gëzimin. Mësuesi i Matematikës, kuadri dhe veprimtari shoqëror ka qënë ushtar i Diko Zeqos. Se batalioni zgjidhte e merrte djemtë më të mirë, ata me shkollë.
Në fakt vetë ushtria në atë njësi e me atë komandant ishte një shkollë më vete, ishte një akademi e vërtetë. Këtë e thonë të gjithë, edhe ata që bisedat iu sjellin kujtimet e një kohe, historinë e saj.
Thoma Ndreu është njëri prej tyre, gjirokastrit. Si për të vërtetuar bujarinë gjirokastrite dhe për t’u thënë të tjerëve “që e lidhim macen vetëm kur duhet” ai ka sjellë me vete “harxhet”, një mish të pjekur në hell nga lartësitë e çajupit.
Në këtë takim dominojnë skraparllinjtëse edhe në atë batalion ishin ata “të parët” në numur dhe në cilësi.
Ka ardhur Shaban Lajthia, mësuesi dhe drejtuesi aq i njohur e i vlerësuar në Skrapar.
”Kështu ka qënë edhe atëherë pohojnë pjesëmarrësit.Serioz, korrekt, një vlerë shoqërore.
I pranishëm, Ylli Shahu që sjell kujtime plot humor.
“Mbarova për Matematikë. Isha edhe një vit mësues në Therepel. Më pas ushtar dhe vazhdova Shkollën e Bashkuar dhe Akademinë, – thotë Përparim Celibashi.
Kështu ka rrjedhur jeta për të. Arriti e u bë pedagog,deri shef Katedre. Pas viteve ‘90 iu rikthye përsëri mësuesisë duke shërbyer në fshatrat e Tiranës.
Ka në takim oficerë karriere. Ka ardhur edhe djali i Diko Zeqos, Astriti.
“Kam shumë miq skraparllinj. I donte shumë babai, i dua edhe unë. Duket se “stofi i ushtarakut” skraparlliut i shkon. Kjo, sepse jeni atdhetarë, jeni për shtetin…”
Këtë e pohon edhe Luan Talushllari. Ai është nga Zereci, kufi me Korçën dhe kujtojmë së bashku Gurin e Prerë e Qafën e Gjarpërit ku ndahen sinoret e dy rretheve tona.
“Unë nuk kam qënë kur Diko ishte komandant. Isha me Naum Dumën nga Përmeti, por edhe ato vite ai ishte i pranishëm me punën dhe “bëmat” si ushtarak e njeri në atë repart”, – shprehet Abedin Halilaj.
Kujtojnë gjithçka,stërvitjet, sakrificat… Ka humor. Sa shumë treguan.
Po ndalem në dy-tri histori pikante njerëzore.
“Kur do të hidheshim me parashutë, një ditë më parë kishim qetësi, pushim, edhe qendra e zërit pushonte, – kujton Thomai.
Dhe tregon një nga historitë me Përparimin. Ishim gati për t’u hedhur. Ishim përgatitur, por e dinim rrezikun. Shikoj Celibashin. Ai e shtensionoi situatën me humor: “Punë e madhe. De Rada i madh vdiq me dy cironka në xhep e i uritur, ne të paktën jemi të ngopur”.
Qeshëm dhe nisëm të hidheshim nga lartësia. Po humor ishte një histori, ku reparti do të bënte qitje në Dajt.
“U nisëm që në orën 5 të mëngjesit. Mbritëm, po nuk kishim ngrënë. Djem të rinj, kishte koçimare. Hëngrëm. Kur u paraqitëm në poligon ne që i dërgonim plumbat të 10-ta në tabelë, po i dërgonim në drejtim të paditur. Ishim dehur. Të parët… Diko e kuptoi dhe plasi e qeshura.U anulua qitja”.
Ylli kujton kur duhet të kalonin Erzenin në një ditë me shi e kur ai ishte det. “Ura është bombarduar. Duhet të kalojmë lumin!”
Ky ishte urdhëri.
Dhe i pari ishte ai, komandanti emërmadh, Dikoja.
Lere pastaj kur dilnin ushtarët në qytet dhe i kapte kontrollet e asaj kohe. Mjaftonte t’u thoshe “Jam i Diko Zeqos”, problemi mbyllej.
“Me sa shikoj jeni mirë, rreshtoren e bëni si do komandanti – thotë një nga vëllezrit Fejzo. Vetëm se vrapin nga Rrapi i Treshit deri në Kamëz, zor se e bëni dot”.”
Ne krye është një veteran i njohur e i nderuar, Muharremi nga çorrushi i Mallakastrës. Ai këndoi dy balada labe si profesionist i folkut. Por edhe i zoti i shtëpisë, Luman Koxhai befasoi me këngët që shoqëruan këtë festë të bukur.
Ka nga ata që nuk erdhën dot. “E kishim lënë me Hysni Merkon. Na kishte premtuar. Por…
Kishte edhe mesazhe zanore nga ata që nuk erdhën për arsye të ndryshme.
Dhe këta burra “babaxhanë” përloten. Se ushtria ishte shkollë, se asokohe kishte njerëzillëk, dashuri, kishte ushtri, kishte mbrojtje, kishte atdhe.
Po sot?!…
Diko Zano Zeqo
Oficer i lartë, i njohur shqiptar. Lindur më 7 shkurt 1923 në Drizar të Mallakastrës dhe larguar nga kjo jetë më 11.03. 20111
Ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në fillim në Grupin e 3 –të të Mallakastrës dhe më pas, deri në çlirimin e vendit, në Brigadën e 4 –t Sulmuese partizane.
Mbas çlirimit u titullua oficer i ushtrisë popullore. Shërbeu fillimisht në Vlorë, në vitin 1953 u emërua komandant i Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Tiranë, ku punoi për 25 vjet rresht, deri në vitin 1978.
Me aftësitë e rralla organizative dhe komanduese dhe cilësitë e larta morale, kthehet në simbol dhe legjendë që kujtohet edhe sot si i tillë.
Diko Zeqo është vlerësuar me dekorata dhe medalje të shumta. Një rrugë te Rrapi i Treshit, ku ishte reparti, mban emrin “Diko Zeqo”.