
Naim Zoto: Një dasmë dhe një foto rifalënderimi pas 40 vjetësh
Në arkivim tim gjeta sot ketë foto që pothuaj e konsideroja të humbur. Është një foto e bërë 40 vjet më parë në fshatin tim, Nikollarë, më 30 shtator 1985, një ditë pas dasmës dhe festës së martesës me Rajmondën apo RAI-in tim, siç i thosha atëherë.
Në këtë foto, përveç çiftit dhe vëllait tim, Ismalit, në fillim të fotos, janë edhe tre persona të tjerë, pikërisht për ata të cilët unë po e bëj këtë postim dhe shkrimin në vijim.
Janë kolegët e mi me të cilët punoja në gazetën “Zëri i Popullit”: I pari, ai me duar të kryqëzuara me njëherë pas vëllait, është Sedat Braja nga Gjirokastra. Pas tij vjen Bashkim Koçi nga Prishta. Në vijim është bashkëshortja ime dhe unë, kurse në fund Sejdin Cekani nga Elbasani, të cilin e kam pasur shok edhe në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Universitetin e Tiranës.
Foto është bërë përpara Gurit të Madh të në mes të fshatit, 3-4 metra i lartë, ku në fëmijërinë tonë shkarëziteshim, kurse në sfond mund të dallohet çatia e shkollës ku kam mësuar abc-në dhe lexuar vjershat e para.
Pas shpinës sonë mund të shihni degët e mëdha të arrave që mbulonin dhe i bënin hije oborrit dhe vetë shkollës. Shkolla jonë kishte një dhomë ku bënim mësim bashkë të katër klasat me rreth 12 nxënës çdo vit mësimor me mësuesin e vetëm për të gjitha klasat, Ganiun, si edhe një aneks të saj gjoja për mësuesin dhe orenditë e shkollës.
Do të doja që në këtë foto të kisha edhe dy miqtë më të afërt që kam pasur si shok fakulteti, por edhe si kolegë të shtypit, Shaban Sinanin dhe Teodor Kekon e ndjerë, të cilët kishin ardhur në Nikollarë dy vjet përpara, në vjeshtën e vonë të vitit 1983.
Ka qenë mes i muajit nëntor dhe në fshatin tim buzë lumit me një mikroklimë e çuditshme, ku rrallë bie e mban dëborë, atë ditë nisi të bjerë një borë e mahnitshme.
U mblodhën atë darkë të mikpritjes pothuaj gjithë njerëzit e mi të afërt edhe atëherë, si për dasmën time. Nuk di se si mund e morën guximin e erdhën në fshatin më të izoluar të vendit, pothuaj i baraslarguar nga të gjitha qendrat urbane dhe rrugët e automjeteve si Çorovoda, Përmeti, Kolonja, Korça.
Ardhja e një veture në ato anë “përbënte lajm”, si themi ne gazetarët, ashtu siç nuk arrijnë ta besojnë disa miq se 5 gazetarë të Zërit të Popullit e kanë vizituar këtë fshat 40 vjet më parë!
E, mirë, pra, kush mund ta besojë se po kaq vite më parë, unë kam përcjellë si nuse motrën e shokut tim, Shaban Sinanit, prej fshatit të tij mes maleve të Lurës, Nërshenës, për në Zall-Dardhë! Madje, hipur në kalë! Apo që Tedor Keko ka pirë raki e ka ngritur shëndete me babain tim 100 a më shumë kilometra larg Tiranës, në Nikollarë, një fshat krejt i izoluar në një natë dimri, kur përjashta binte dëborë dhe askush nuk e dinte nëse të nesërmen do na nxirrte dot Aro-ja rumune e shofer Bertit matanë rripës, ku niste një rrugë të cilën e përshkonte vetëm dy herë në vit traktori shqiptar DT54 me motor kinez, për në lokalitetin më të afërt, ku mund të rastisnin Zisat që transportonin lëndë drusore për në Çorovodë.
Kur e shoh këtë foto dhe risjell në mendje atmosferën e krijuar në fshat dhe të njerëzit e mi nuk di si t’i falënderoj miqtë e kolegët.
Pastaj më kujtohet babai, i cili sa herë që do të shkoja herë të tjera ta shihja e të çmallesha me të dhe me nënën e vëllezërit, do t’i kujtonte emër për emër të gjithë shokët e mi.
Më pyeste për njerëzit e tyre, madje u kujtonte dhe emrat e prindërve të tyre. E, kur ndaheshim do porosiste nënën të shkonte të merrte te sepetja atë që kishte mbluar për shokët e mi; herë ca ftonj, herë një grusht bajame, kurse shishja me raki nuk do të mungonte kurrë. Te porta më përqafonte e më thoshte: “Mbaji shokët se ata ke!”
Ma thoshte me gëzim, por unë dalloja edhe një lloj trishtimi e melankolie te fjalët e tij. Isha fëmija i vetëm të cilin do ta shihte më rrallë nga 8 fëmijët e tjerë; nga mosha 10 vjeç e deri vonë kam qenë e kam jetuar më shumë mes shokësh se sa me prindërit e mi.
Shokët e shoqet e shkollës, të punës, i kam pasur vëlla e motër, nënë edhe babë!
Prandaj e dua shumë këtë foto dhe po e publikoj jo vetëm për këta kolegë e gazetarë që më erdhën në dasmë, as sepse për herë të parë dhe të fundit shoqëruan nga Tirana për në Nikollarën time (që “nuk e gjeti dot as gjermani”) një taksi me nuse, por për të gjithë miqtë e shokët që kam pasur e kam.
Shokët kanë qenë gjithçka për mua!
Shokët dhe shoqet kanë bërë për mua edhe nënën, edhe babain; edhe motrën edhe vëllain. Fati im ka qenë se shokët i kam pasur më të mirë se veten!
Naim Zoto
30 shtator 2025