
Mulliri i Çoros në lumin e Tomorricës, që tani, më shumë se bereqet, “bluan” legjenda dhe histori!…
Belul Kryemadhi
Në lumin e Tomorricës ka patur shumë mullinj, të cilët funksiononin së shumti në stinën e dimrit kur kishte ujë të bollshëm, ndërsa në verë lumi thahej dhe ata mbylleshin. Gjatë verës mbijetonin vetëm pesë mullinj, ku kishte edhe burime natyrore uji, si mulliri i Kërpicës, Dobrenjit, i Ujanilut, i Gjerbësit dhe mulliri i Çoros në Strafickë.
Mulliri i Çoros, për të cilin do të flasim pak më gjatë më poshtë, u ndërtua nga fisi i Çorove shumë herët. Ai punonte dimër dhe verë. Mirëmbahej nga mjeshtrat e këtij zanati, të cilët në zonën tonë ishin të pakët. Fillimisht ai ishte një një kasolle me gardh, me një çati të mbuluar me kashtë thekre, kurse më pas u ndërtua me mure guri dhe çati me dërrasa guri.
Dy gurët, një lartë dhe një poshtë ishin prej stërralli, boshtet ishin prej druri, zëmër pishe, për t’i mbijetuarë lagështisë së ujit ndër vite. Guri i poshtëm ishte i palëvishëm, kurse guri në anën e sipërme rrutullohej nga presioni i ujit që derdhej me forcë në fletët e çarkit, i cili i krijonte një shpejtësi rrutulluese 400, deri ne 800 rrutullime në minutë.
Në vënd të tubave, për të krijuar presionin e duhur ata gëdhëndnin korita prej druri në formën e një kadeje po me dimesion ku fillonte nga 80 centimetra, në krye, dhe përfundonte me një dimesion në 10 centimetra i gjerë te fundi ku derdhej uji në çark. Koritat që krijonin presionin e ujit ishin në 10 deri në 15 metra të gjata.
Në vitin 1961, kur unë isha 12 vjeç dhe ishte viti i tretë që ishte krijuar kooperativa bujqësore, mulliri ishte bërë prona e kooperativës. Guri rrotullues i sipërm i mullirit kishte dalë jasht funksjonit. Vetë fshatarët kërkuan mos gjenin gurë stralli, por ata ishin shumë larg, në zonën e Oparit. Menduan mos gjenin aty afër. Diku gjetën gurë të fortë, të ngjashëm me strallin, por jo stall. E punuan në vend, i shpuan edhe vrimën.
Problem ishte transporimi i tij për ta sjellë te mulliri. Është dashur një punë sizifiane, ku mobilizuan gjithë burrat e fshatit.
Pasi e vendosën, guri shkërrmoqej dhe nuk ishte për atë punë. Kështu që shkoi dëm gjithë ai mundim.
Më pas ai bë dhe funksionoi deri në vitet 2000, pasi të zotrit e tij u transferuan në Durrës, por një arsye tjetër ishte se, në vëndin e quajtur Thanas, në afërsi të Konakut, u ndërtua një fabrikë për pastrimi, dhe bluarjen e drithrave të bukës.
Pas viteve 2020 njëri nga djemtë e fisit Çoro, i quajtur Veli, u rikthye përsëri në shtëpinë e tij në vëndin e quajtur Gralishta, dhe e vuri mullirin përsëri në funksion, për të bluajtur, por më shumë për ta ruajur si një relikte, që mban në vetvete shumë histori dhe legjenda, të cilat nuk kanë për t’u harruar kurrë.