
Mbi deshifrimin e shkrimeve mbivarrore të Strikçanit
Julian Jano dhe Stiljan Koçllari, me profesion juristë, por edhe me një “dashuri” tjetër profesionale, historinë e antikitetit dhe arkeologjinë, pasi janë njohur me zbulimet arkeologjike të Striçkanit, me metoda të avancuara logjike dhe kompjuterike, kanë mundur të deshifrojnë mbishkrimet e mbivarrore të këtij zbullimi të madh dhe të jashtëzakonshëm.
Më poshtë po japim materialin e tyre
##”Orakujt…”
Juljan Jano
Stiljan Koçllari
Zbulimi i një varri monumental nga arkeologët e Institutit te Arkeologjisë javët e fundit në Shqipërinë Verilindore përbën natyrisht një ngjarje madhore, për të mos thënë të jashtëzakonshme, një lajm që mori dhenë në mediat ndërkombëtare duke na ledhatuar përsëri krenarinë si pasardhës të një kombi të lashtë e duke nxitur njëherësh fantazinë e shfrenuar të mitomanëve të rrjeteve sociale.
Nuk ka dyshim që të gjitha meritat e zbulimit u takojnë dhe do tu takojnë arkeologëve tanë, (jemi të bindur që e gjithë fusha e Gurrës është një varrezë antike e një vendbanim ilir i kohës romake) megjithë burimet e pakta financiare e joserioze për sipërmarrje të tilla.
Megjithëse nuk jemi as arkeologë e as gjuhëtarë, cdo zbulim arkeologjik në territorin e shtetit shqiptar, në trevat shqipfolëse, madje edhe përtej, në viset ku banonin ilirët në kufi me Norikun antik, ne e mirëpresim dhe e mezipresim si një ngjarje mjaftueshëm të këndshme dhe ikje nga përditshmëria. Arkeologjia dhe gjuha shqipe përbëjnë pjesë të jetës sonë, janë njëherësh kënaqësi, hobi, mani, bast për të fituar përfundshëm debatin shekullor me fqinjët tanë, herë të dashur e herë të padashur, por sidomos bast për të fituar me vetveten.
Në varrin monumental mbishkrimi është në gjuhën greke, kurse të dy emrat e personave janë romakë.
Γ Ε ΛΛ Ι Α Ν Ο Σ
Σ Ε Ι Ο Υ ΕΤΩΝ
Μ
Përkthimi në shqip:
Gellianos i biri i Sejos, vjeç 40
Ndërsa pllaka tjetër që gjetën arkeologët në atë varrezë, ngaqë duket shumë e dëmtuar, është më e vështirë për tu dëshifruar dhe njëkohësisht lë më tepër vend për interpretim. Për t’i qartësuar sa më tepër shkronjat, përdorëm teknikën e hijezimit dhe të përmirësimit të imazhit kompjuterik.
Natyrisht ky dëshifrim nuk është shterues, sado që jemi munduar t’i përafrohemi kuptimit dhe shkrimit origjinal, por ky mund të ndihmojë personat që merren me këtë punë në mënyrë që ta përfundojnë me sukses.
Nga një vështrim i vendosjes dhe përdorimit të gërmave, kuptojmë që skulptori antik nuk ishte zotërues i mirë i greqishtes. Këtu emrat janë ilirë.
ΓΕΝΝΘΑΡΕC – GENTHARES
ΠΑΡΦΘΙΩΝΗC – PARTHIONIS
ΔACΗΜΑ – DASIMA
ΜΝΗΜΗ – MNIMI
ΓΕΝΘΙΝΑ – GENTHINA
ΕΥΠΡΟΓΟΝΕΟC – EVPROGONEOS
ΡΑΓΑ! ΕΤΩΝ ΙΘ – RAGA ETON ΙΘ
ΤΟΝ ΑΝΩ ΟΘ – TON ANO OΘ
ΑΜΜΕΝω – AMMENO
Përkthimi i mundshëm në shqip:
Genthares Parthionis, i biri i Dasimas, në kujtim të së nderuarës Genthina Evprogonit, vjeç 19, e varrosur.
Nga shënimi shohim se Genthares mund të jetë nga qyteti ilir i Parthionit, sot në Maqedoninë e Veriut, cituar nga Prokopi i Cezaresë.
Në greqishten e vjetër fjala ‘’raga’’, ka patur kuptimin e një titulli, megjithëse ne kemi rezervat tona për shkak të dëmtimit nga koha.
‘’Evprogoneos’’ mund të përkthehet në shqip si paraardhësit e mirë, mbiemër që është trashëguar deri në mesjetë.
Megjithatë mendojmë se fjalën e fundit natyrisht do ta japin institucionet e specializuara dhe specialistët e përkushtuar.