Kjo intervistë në formë bisede është realizuar në vitin 1978 kur xha Demiri ishte plot 67 vjeç. Ishte në kulmin e realizimit të tij artistik, kur sapo kishte marrë titullin e lartë Artist i Popullit.

 

Biseda është zhvilluar në Gjerbës, në shtëpinë e tij të thjeshtë, në aneksin e kuzhinës pranë sobës “7 mijëshe” me dru zjarri, tipike dhe karakteristike të asaj kohe, që prodhohehin në Pogradec.

 

Shkrimi është botuar në revistën “Nëntori”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Aristëve të Shqipërisë, kur në krye të saj ishte Xhevahir Spahiu.

 

Më pas ky shkrim është futur në librin “Plaku i Këngës – Demir Zyko Artist i Popullit”, botuar në vitet 1990 të shekullit të kaluar.  

 

Shkrimi gjendet në faqet 237 – 240 të librit dhe mban titullin:

 

 

 

Ku s’e shpuri këngën xha Demiri, por edhe kënga ku nuk e shpuri atë!?

 

Zylyftar Hoxha

 

Nga të gjithë zogjtë, bilbili është ai që ia thotë me të vërtetë. Dhe populli e do dhe e adhuron shumë këtë shpend. Por, kur zëri i bukur dhe i rrallë, me nuance aq të gjalla e shprehëse, aq të fuqishme prekëse, aq nxitëse dhe frymëzuese del nga gjoksi i një njeriu, populli e çmon shumë duke e quajtur bilbil, si një gradë, si një shkallë dhe vlerë më të dallueshme, më të lartë, më të veçantë.

 

 

Dhe, Demir Zyko, plaku 67 – vjeçar nga Gjerbësi e ka meritura pagëzimin “Bilbili i Tomorricës”.

 

 

Në ’73 –in shpura në Gjirokastër, në festival, këngën “Mbeçë, more shokë mbeçë” – thotë virtuozi popullor. E shpura këtë këngë atje se e kisha dert zemre. E kaluara jonë ka qenë helm e shafran, por s’na e uli dot kokën.

 

 

 

“Mbeç, more shokë mbeçë dhe shtatë nizamët e Gjerbësit

 

 

Kur isha djalë i ri, më kujtohet mirë, pleqtë tregonin:

 

Shtatë djem të fshatit të zgjedhur prej çdo dere, Turqia i thirri nizamë për në shkretëtirat përtej Anadollit. Më të dalë të fshatit, kur po iknin, te Lisi i Fejziut, të zhtatë azganët u ulën dhe ia morën këngës, këngës së Qabesë, amanetit të hidhur të atyre që lanë kockat andej.

 

Fshati i dëgjonte i ngrirë, zemrat pikëllonin gjak.

 

 

Dhe xha Demiri vazhdon më tej rrëfimin:

 

Kjo histori e fëmijërisë më kishte ngelur thellë në mendje. Sa herë kaloja me punë apo me shokë nga Lisi i Fejziut, ia merrja këngës së shkretëtëtirave, këngës së atyre djemve që vetë nuk u kthyen dot, por këngën e lanë aty, nën hijen e lisit.

 

Kur këndonim, dilte e këndonte gjithë fshati. Dhe kur bënim dasma e gosti, bashkëfshatarët  më thoshin:

“Merrja, Demir, e di vet kujt”?!…

 

Në është pëlqyer ajo këngë, arsyeja është se unë, pavarësisht se jam në podium festivali, në skenë a kudo tjetër, e quaj veten të ulur te Lisi i Fejziut.

 

 

Gjithë jetën u kam kënduar derteve, halleve dhe maleve

 

 

Kur bisedonim me xha Demirin, me këtë njeri që zemra nuk i rreh në kraharor, por “në zërin” e tij, në vesh ke kumbimin e thellë, zërin aq melodioz të këtij virtuozi popullor.

 

Po u interesove për të kaluarën e xha Demirit do të mësosh se babai e la jetim, dy vjeç. Nëna e rriti me mundime. Për Demirin, nëna dhe kënga ishin dy pasuritë më të çmuara që kishin ngelur.

 

Kur isha i ri, dilja te Shkëmbi i Tundur, ku ruaja bagëtitë, e me lot në sy, ia shundja sa tundej Tomorri:

 

O, ju male me dëborë,

Pse s’qani hallet e mia…

 

U qahesha maleve se s’kisha kujt t’i qahesha tjetër.

 

Kisha kënduar pyjeve, vetëm, por tani këndoj në festivalet tona me shokë.

 

 

Kënga e xha Demirit të ngre peshë e të frymzon. Por sa bukur këndon, aq më të vështirë e ka që ai të flasë.

 

 

Ç’të them unë, ia marrim më mirë, o Gime, – i drejtohet përgjegjësit të kulturës së Gjerbësit. Ia marrim dhe të dëgjojë e të shkruaj ky shoku po të dojë.

 

 

Dhe zëri i tij mbush plot dhomën e shtruar me qilima. Megjithëse 67 vjeç, prapë ai është i fortë, si shkop thane.

 

 

“Oi – oi – a” e xha Demirit, një orkestër e vërtetë!

 

Në një festival në shkallë rrethi, një anëtar i jurisë i tha një kompozitori të njohur: “Kënga jonë e Skraparit humbet, s’ka orkestër ta gjallërojë”.

 

 

Në këtë kohë në skenë këndonte xha Demiri. Kompozitori qeshi: “Oi-oi-së” së xha Demirit nuk ka orkestër t’ia arrijë. Ajo i ngjan oshëtimës së maleve, që s’e nxjerr asnjë instrument muzikor, veç grykës së “Bilbilit të Tomorricës”.

 

 

Trimi i mirë me shokë shumë

 

Xha Demiri nuk e lëshon këngën kot, po nuk i ngjiti zëri, po nuk e ngjiti në taban të sigurt të isos së Shahinit, Tosunit, Agimit, Ademit. Qejfin e ka me Neshatin, me atë i piqet zëri.

 

Nuk i thonë kot asaj fjalës “trim i mirë me shokë shumë”.

 

 

Në Gjerbës ka shumë “ustallarë” të këngës, por “usta i qoshes” mbetet xha Demiri. Dhe xha Demiri lufton që djemtë dhe vajzat e fshatit “të pijnë ujë” në atë burim që ka pirë edhe ai, në burimin e popullit.

 

 

Para se të përfundonim këtë shkrim, do të donim të shtonim edhe diçka tjetër:

 

 

Xha Demiri nuk është vetëm i këngës, por është edhe i punës dhe i pushkës. Megjithëse kaluar nga mosha, ai nuk ndahet nga shokët. Punon, stërvitet dhe këndon bashkë me ta.

 

 

Ku s’e shpuri këngën xha Demiri. Por edhe ajo ku s’e shpuri këtë njeri, deri te titulli i lartë “Artist i Populli”, me të cilin u nderua këto ditë.

 

Gjerbës, tetor 1978