
Korça me Skraparin, aq afër dhe aq larg!…
…Kur do të realizohet ëndrra shekullore e lidhjes së dy krahinave?!
Lidhja e Skraparit me Korçën është një ëndërr që është shfaqur shekuj më parë, sa herë të parët tanë kalonin Qafën ë Martës, Qafën e Beçit, apo Qafën e Gjarpërit për të shkuar në Korçë e Voskopojë për punë pazari. Katër ditë rrugë tutje e tëhu, që mund të bëhej për 3 -4 orë!
Po nuk ishte vetëm pazari që i lidhte këto dy krahina. Lidhjet e Skraparit me Korçën janë të shumëfishta, janë historike:
kujtoni luftërat e përbashkëta kundër pushtimit osman, kundër andartëve, kujtoni çetat luftëtare për liri e pavarësi, kujtoni Luftën Nacionalçlirimtre me përbërje luftëtarësh nga të dy krahinat;
kujtoni Lace Backën, Qamil e Qazim Panaritin, Kajo Babienin, Riza Kodhelin që luftonin bashkë dhe mos shkoni më tutje.
kujtoni se jemi dy krahina etnokulturore të njëjta në zakone, në folklor, në kulturë jetese, në këngë, në dolli, në gjuhë deri në akcente të saj.
Kujtoni se kemi lidhje shumë të thella miqësore dhe familjare për shkak se disa krahina periferike të Korçës, si Lenia, Moglica, Opari, Vakëfet janë një çap larg Zhepës, Grevës, Kuçit, Krushovës, Faqekuqit, Backës, Nikollarës, që i ndajnë Qafa e Gjarpërit, Qafa e Beçit, Qafa e Veshit, Qafa e Martës, Lirëza e Helmësi, Rripat e Staraveckës etj.
Këto krahina për shkak të martesave, janë nip e dajo, siç thotë populli. Ato kanë lidhje të hershme gjaku me njëra-tjetrën.
***
Skraparit dhe Korçës i ka ardhur disa herë luga te goja për rrugën, por i është hequr brutalisht.
Ka vite që magjistrali i gazit TAP premtoi se do të bënte rrugën me asfalt, nuk e bëri, bëri vetëm një platformë për mjetet dhe punët e saj.
Dy ose tre vjet më vonë, një lajm i gëzuar dhe i shumëpritur jepet nga kryetari i Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema.
Ja si shkruante ai në statusin e vetë të Facebook-ut atëhere:
“Sapo kam nënshkruar marrëveshjen e investimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për realizimin e punimeve në segmentin rrugor Backë – Qafa e Martës, të cilat do të nisin së shpejti.
Ndërtimi i këtij segmenti rrugor do të shkurtojë ndjeshëm distancën midis Skraparit dhe Korçës, si dhe do të sjellë avantazhe të shumta sa i takon zhvillimit ekonomik, turizmit, lehtësisë së lëvizjes, e parë kjo edhe në një kontekst rajonal.
Ndërtimi i këtij segmenti përben, po ashtu, një arritje me një impakt të jashtëzakonshëm, ekonomik dhe social për Skraparin, Korçën, madje dhe me gjerë”.
Por ka kaluar shumë kohë që atëhere, të paktën 8 vjet. Çdo vit duken e zhduken për disa ditë disa mjete të rënda. Gërvishin disa metra dhe ikin!…
Dhe rruga po atje! Dhe Skrapari po atje, i dënuar, i ndëshkuar jo vetëm për lidhjet me Korçën, Përmetin apo Gramshin, por edhe me vetë Beratin, me një rrugë mesjetare, të filluar që në vitin 1922 dhe që ende nuk ka pëfunduar!…
Mbreti Zog nuk e solli rrugën në Skrapar për inat të Riza Cerovës;
Enver Hoxha, se e donte zonë të izoluar, “Kryeqytet lufte”, të drejtonte e komandonte pa u shqetësuar që nga Krorëza dhe Qafa e Dëvrisë;
Fatos Nano, ashtu qetë e lehtë: “Ç’duhet rruga, nëse nuk e pijmë dot një gotë raki atje, e pimë këtu në Tiranë se skraparllinjtë e mbajnë faqoren me vete”;
Sali Berisha, ”Lereni, ç’raki, thurini me tela me gjemba të marrin vesh se mua më quajnë Sali Berisha”!…
Ilir Meta, jam skraparlli unë, e di si do “mushka drutë”, ndaj leri ashtu siç janë, fukarenj, budallenj, se vihen më kollaj në zap”!
Edi Rama: Enver Hoxhën e patën 50 vjet, s’ditën!
Ilir Metën, 25 vjet, prap s’ditën,
Ç’duan nga unë!?
“Për inat të tyre, unë vete fle me mullixhinë dhe rrugën nuk u bëj”!…