Sot Vladimir Hysi, një personalitet i njohur i Skraparit, që nuk jeton më, ka ditën e lindjes.

 

Në shenjë repekti dhe homazhi, po sjellim edhe një herë në vëmendje të lexuesve dhe ndjekësve tanë një shkrim të botuar para disa kohë në gazetën “Dita”

 

 

 Zylyftar Hoxha

 

Fatet e njerëzve janë të çuditshëm, qëndrojnë të fshehur dhe shfaqen kur nuk ta pret mendja kurrë. Mund, në një çast  të kapësh qiellin, por mund të ndodhë edhe e kundërta,  që, në kulmin e qetësisë dhe të realizimit, në mënyrën më të beftë dhe më të pakuptimtë, mund të humbësh edhe jetën!  Gjëmë e madhe, natyrisht?…

 

 

Por, dale! Ndodhka që ndonjë herë vdekja qenka më universale se jeta; sepse jeta fizike qenka një gjë, por ajo eterikja qenka një gjë tjetër; sepse të gjithë vdesin një ditë, por jo të gjithë jetojnë, siç “jeton”, fjala vjen, Vladimir Hysi, që këtë radhë është objekt i këtij shkrimi.

 

Jeta e pasvdekjes varet nga ajo që ke bërë dhe si e ke bërë, varet nga gjurmët që ke lënë pas. Dhe Ladi ka qenë nga ata njerëz që ka lënë gjurmë të tilla, të thella dhe të pashlyeshme.

 

 

Le të mundohemi t’i zbulojmë ato pak nga pak:

 

Vladimir Hysi rrjedh nga një familje historike, ajo e Hysajve në Vërzhezhë të Skraparit, me të parin e tyre, që nga viti 1909 e deri pas çlirimit, Pasho Hysin. I ati i Vladimirit, Refiti, partizan në Luftë dhe oficer në paqe, fillimisht u vendos në Vlorë, ku më 17 tetor 1950 lindi dhe Ladi. Si oficer karriere i asaj kohe, që shtëpinë e “mbanin në kurriz, pasi ku ngryseshin, nuk gdhiheshin”, Refiti  nga Vlora, në vitin 1958, u transferua në Kuçovë dhe më pas në Tiranë, ku, fatmirësisht i buzëqeshi fati dhe nuk lëvizi më nga Tirana.

 

 

Shkollën e mesme, natyrisht të preferuarin e kohës, Teknikumin e Naftës, Ladi e përfundoi në Kuçovë, ku ishte edhe me familje në vitin 1968. Në periudhën 1971-1972, pas një kualifikimi të plotë, të cilin e ka kryer me rezultate të shkëlqyera u titullua “oficer i Policisë Popullore”.

 

 

Filloi karrierën në detyrën e inspektorit të Policisë Kriminale në Rajonin e Policisë Nr.3, në Tiranë; më 1974 ka filluar studimet në Fakultetin Juridik, pa u shkëputur nga puna, të cilin e mbaron me rezultate shumë të mira.

 

 

Në vitin 1976 emërohet zëvendësshef për ndjekjen e krimeve në Rajonin Nr.2 të Policisë dhe njëkohësisht kryen shkollën e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, profili “Polici”.

 

 

Në vitin 1984, tashmë me një kulturë profesionale dhe eksperiencë të lakmueshme ngjit shkallë karriere të tilla si, shef i Policisë Kriminale në Rajonin e Policisë Nr.2, në Tiranë; në vitet 1984-1987, shkon shef i Rajonit të Policisë Nr. 4; më pas punoi si zëvendëskryetar dhe shef i policisë në Degën e Punëve të Brendshme në Elbasan. Në vitin 1990 u caktua në postin e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme; gusht-dhjetor 1991, ka kryer detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë…

 

 

…Dhe, së fundmi, karrierën profesionale zyrtare e mbyll si Ministër i Brendshëm i Qeverisë së Stabilitetit, që, pavarësisht kohës së shkurtër, është  e shkruar në një kapitull të veçantë të Historisë së Shqipërisë.

 

 

Pra Ladi, ndryshe nga shumë kolegë analogë të vetë, është një ministër me një kurorë historike.

 

 

Vitet e mëvonshme ai nuk i kaloi qetë. Provoi edhe histori të hidhura nga politika, deri në privim të lirisë…Madje, për hir të familjes dhe nevojave të saj, u detyrua të bëjë e dhe punë të ndryshme të papërshtatshme për staturën dhe formimin e tij profesional, por ato nuk e përulën asnjë herë.

 

 

Ai ishte dhe do të mbetet një ushtarak idealist dhe ëndërrimtar, një personalitet i veçantë i fushës së vetë, një njeri me karakter të fortë që e kuptoi kohën dhe punoi për të.

 

 

Ministër i Brendshëm në ditët më të vështira për vendin

 

Mund të jesh ministër në të njëjtin dikaster edhe për 10-15 vjet a më shumë, siç ka ndodhur me të tjerë, dhe të mos lësh as një gjurmë. Por mund të jesh ministër edhe me ditë, dhe të të marrë, si i thonë fjalës, historia. Kështu ka ngjarë me Vladimir Hysin, që edhe pse vetëm 100 e ca ditë ministër i Brendshëm, ka lënë gjurmë të pashlyera pune dhe përkushtimi në një nga periudhat më të vështira të vendit tonë, në Qeverinë e Stabilitetit të vitit 1991, kur më shumë se çdo herë tjetër vendi kërkonte rend e qetësi publike, pasi ishin të parat zgjedhje pluraliste.

 

 

Dhe këto gjurmë pune i di dhe i numëron më shumë dhe më mirë se kushdo, shefi direkt i tij, Kryeministri i asaj kohe, Vilson Ahmeti:

 

 

“Ladin e kam njohur në një kohë delikate, kur ai mori përsipër dhe pranoi detyrën vështirë të ministrit të Brendshëm në Qeverinë e Stabilitetit. Ai ishte një person që ndihmoi shumë Qeverinë e Stabilitetit me maturinë dhe profesionalizmin tij të lartë. Ai e drejtoi këtë dikaster në kushte shumë të vështira të asaj kohe, kur kishim shumë probleme. Veçoria e tij ishte maturia dhe qetësia në punë.

 

 

Mendoj se ai ishte dhe do të mbetet një personalitet i veçantë, tamam teknicien i fushës së vetë. Unë jam krenar që e kam patur pranë Ladin, një njeri që e kuptoi kohën dhe e zbatoi më së miri detyrën ngarkuar. Ai ishte një idealist që kërkoi të realizonte reforma të rëndësishme në Polici, por koha qe mjaft e shkurtër për të bërë këto gjëra.

 

Megjithatë, ai mundi të ngrinte struktura të hetimit brenda policisë. Po kështu futi në strukturat e policisë profesionistë civilë të fushave të ndryshme për të rritur cilësinë e punës hetimore ndaj krimit ekonomik dhe financiar”.

 

 

Familja, pjesë e suksesit

 

Në vitin 1980 krijon familjen e tij të re. Martohet me Valentina Vilën, vajzën e një oficeri karriere, si dhe ai, nga Panariti i Korçës. Frut i dashurisë së çiftit të ri qenë dy fëmijë si yje, Genta dhe Eri që kanë gjetur rrugët e tyre të jetës, me familje harmonike, me norma dhe edukatë morale që ata i kishin marrë, veç të tjerash, edhe nga prindërit e tyre. Dhe, s’kishte si të ndodhte ndryshe, se, si i thonë…“dardha gjithmonë bie nën dardhë”!

 

Do të ndalemi edhe pak më shumë në këtë pjesë, në pjesën familjare të Ladit. Nëse ai ka qenë një njeri i përkushtuar ndaj detyrës, idealist dhe i suksesshëm, merita nuk ka qenë e gjitha e tij.

 

Në kuptimin më të mirë dhe më pozitiv të kësaj fjale, Vali dhe shumë shoqe të saj me të njëjtin fat si ajo, gra oficerësh, kanë merita në suksesin e burrave, në cilësinë e punës së tyre, pasi kanë sakrifikuar shumë duke mbajtur edhe peshën e tyre në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Pra, nëse nderohen dhe respektohen ata për punën që kanë bërë, një pjesë e këtij vlerësimi duhet të shkojë për gratë. Në këtë rast, për Valin!…

 

 

 

“Njeriu, guximi dhe shpirti”, një film për Ladin

 

 

Veç forcës për të përballuar dhimbjen e madhe për vete, për t’ua bërë atë të lehtë dhe të pandjeshme edhe dy fëmijëve të mrekullueshëm, Gentës dhe Erit, Valentina Hysi, bashkëshortja e Vladimir Hysit, ka marrë përsipër që të rindërtojë në një film jetën e bashkëshortit, për ta sjellë atë ashtu siç ka qenë, me atë profil fisnik, të bukur po e po, por edhe me kompletin tjetër, profilin intelektual, profesional dhe njerëzor.