“Cili, vili, vili, / S’dinja ta fillonja, / Do t’u ngre një këngë / skraparlleshave zonja…”
Në disa fletore me shënime të lëna në dorëshkrim nga i ndjeri Shefit Koprëncka, krahas shumë ngjarjeve e ndodhive të kohës, ai përshkruan edhe historinë e mëposhtme:
Në burgun e Beratit disa të burgosur skraparllinj në kohën e Turqisë, nga që mërziteshin dhe s’kishin çfarë të bënin, ngrinin këngë dhe bejte. Njëri nga ata krijoi edhe këto vargje për karakteristikat e grave të secilit fshat. Ja ç’thotë ai:
Cili, vili, vili,
si t‘ia bëj më parë?
Do këndoj një këngë,
o përmbi Skraparë.
Cili, vili, vili,
S’dinja ta fillonja,
Do t’u ngre një këngë
skraparlleshave zonja:
Baldosa në pyll
janë këto selanlleshkat,
me salltanet vinë
këto therepelleshkat,
Mare na mbledhin
Këto stroralleshkat,
Nga lajthitë e malit
Këto dobrushkalleshkat,
Stopanlleshka
Këto vërzhezhalleshkat,
Porsi mollë e kuqe
Këto mollaslleshkat,
Linjë bardhë janë
Këto radëshlleshkat,
Rrëngëllisin gurë
Këto gradeclleshkat,
Me llafe të mira
Këto zhabanlleshkat,
Baresha në pyll
Këto munushtirlleshkat,
Sehir ç’na bëjnë
këto kalalleshkat,
Mblidhen kuvendojnë
Këto veleshnjalleshkat,
Kunadhe në pyll
Janë nishicalleshkat,
Arrë seç na çajnë
Këto slatinjalleshkat,
Dhi të egra janë
Këto grepckalleshkat,
Hiqen si të bukura
Këto rovickalleshat,
Dardhë dimërore
Këto prishtalleshat,
Nikoqire janë
Këto çepanlleshat,
Me qibër, me naze
Këto zabërzanlleshkat,
Dushk seç na mbajnë
Këto muzhakalleshkat,
Mjalt i pavënë në zjarr
Këto sevranlleshkat,
Linja, byrzylykë
Këto malindlleshkat,
Hiç njeri s’i pyet
Këto lapanlleshkat,
Me dyfek në dorë
Këto koprënckalleshkat,
Si mushka inglizi
Këto gjorgjovalleshkat,
Nurësëska janë
Këto potomlleshkat,
Me furkë në dorë
Këto backalleshat,
Mollë të egra mbledhin
Këto helmëslleshkat
Kokën lartë mbajnë
Këto kapinovalleshkat,
Gorrica na mbledhin
Këto qafalleshkat,
Dhen të leshta janë
Këto vëseshtalleshkat,
Nën hijet lisit
Këto osojalleshkat,
Thëllënxa në gur
Këto vlushalleshkat,
Më të madh mbahen
Këto leshnjalleshkat,
Koçkulla ç’na mledhin
Këto gostënckalleshat…
