Erti Saliasi, “Çapajevi” i “Orakujve…”
Kur isha në shkollën e mesme, në Berat, më ka pëlqyer shumë një tregim i Fatmir Gjatës, një nga shkrimtarët shumë të ndjekur dhe të lexuar në atë kohë.
Në një tregim të tij bëhej fjalë për një djalë 12 – 13 vjeçar nga fshatrat e Maliqit të Korçës, që pasi kishte parë në auto -kinemanë shëtitëse nga fshati në fshat filmin “Çapajevi”, kushtuar një heroi legjendar rus, ditën e dytë shkon në fshatin, ditën e tretë në tjetrin…
Kino-operatorit i bëri përshtypje dhe i tha djalit: “Ti e ke parë disa herë filmin, pse vjen prapë”?
“Do të vij derisa Çapajevi të kalojë lumin”! – i tha djaloshi.
Kino-operatori qeshi me lot.
Ç’kishte ndodhur?
Siç veprohet në veprat artistike, romane, tregime, filma, teatro që autori ia lë lexuesit, spektatorit ta përjetojë emocionalisht ngjarjen, “të vrasë mendjen” dhe të nxjerrë vetë përfundimin. Kështu kishte ndodhur edhe me Çapajevin.
Regjisori e mbyllte filmin kur ai, hipur mbi kalë, shkon deri në mes të lumit.
Kino-operatori e puthi në ballë djaloshin, i tha që të mos e ndiqte më pas dhe u mundua ta sqaronte se Çapajevi në të vërtetë e kishte kaluar lumin, madje kishte luftuar akoma, por në film do të ngelej gjithmonë aty në mes të tij.
Triumfi i tij nënkuptohej.
Më vjen ndërmend ky tregim, sa herë bëj postime të reja në portalin “Orakujt e Tomorrit”. Me një herë, me sekonda vjen reagimi nga Erti Saliasi, një djalë i ri, pasionant dhe i malluar për Mëlovën, Tomorricën dhe tërë Skraparin, vendin e të parëve të tij.

Erti banon në Lushnje, lerë e rritur atje. Është më origjinë nga Mëlova, por nuk e ka parë ndonjë herë Mëlovën.
Stërgjyshi i tij, Nevruz Saliasi kishte lindur në Mëlovë. Shkollën e mesme e kishte mbaruar në Korçë. Ishte martuar ne Vokopolë të Beratit.
Në vitin 1961 transferohet dhe vjen në Karbunarë të Madhe të Lushnjes me gjashtë fëmijë, katër djem dhe dy vajza.
I madhi i fëmijve ishte gjyshi i Erit, Shezaiu. Të dy brezat kanë vdekur në Lushnje. Babi i Erit ishte i dyti i fëmijve, i lindur në 1970, brezi i parë i familjes i lindur në Lushnje.
Në vitin 2001 ka lindur Erti, brezi i dytë i lindur në Lushnje.
Nëna e Ertit është nga fshatrat e Lushnjes, nga Ngurrëza. Ka një motër më të vogël.
Në 2016-2020 Erti ka bërë shkollën e mesme profesionale në degën e elektroteknikës dhe prej 12 gushtit 2024 punon në OSHE, në nënstacionin elektrik të Plasmasist, 10 minuta larg nga shtëpia e tij në Karbunarë.
Kanë 64 vjet të larguar, por Erti e di që tokat janë atje, në Mëlovë, ku nxirret mermeri.
“Para ca kohësh dolën kushërinjtë e mi, kishin 740 hektarë me fshatarët e tjerë atje, por nuk po i gëzojnë dot, – thotë Erti se është një kompani greke e perpunimit të mermerit aty. Dhe kur u ndanë tokat në ’91-in, nuk kemi qenë aty”.
“Kam disa kushërinj të mbetur ne Çorovodë, po nuk është se i njoh shumë. Stërgjyshi im ishte dhe fëmijë i vetëm dhe nuk jemi shum fis i madh.

Jam i djegur për Skraparin. E përpiva librin e Elmaz Gugës për Tomorricën. Gjeta emrin e stergjyshit tim te lista e kryefamiljarëve.
Aplikacioni e “Orakujve.. e kam të parin në celular, nuk lë postim pa ndjekur te ai. Faleminderit për informacionet dhe materialet historike që na jepni”!
“Orakujt” i kam si bukën që ha, nuk rri dot pa i lexuar. Madje, mezi pres postimin e radhës” – mbyll ai bisedën”!
Ndërsa kam përpara Ertin, më shkon edhe një herë nëpër mend djaloshi i Fatmir Gjatës që priste të shikonte “Çapajevin” kur kalonte lumin…
Se edhe Erti, si ai, është një Çapajev tjetër që mezi pret postimin e radhës në “Orakujt…” (Z. Hoxha)
