Pse u munduam? / Për kë lëftuam? / Neve ç’fituam?

Mbajtmë Tyrqinë, / Ngjallmë Greqinë, /Ndihmuam Italinë…

Po Shqipërinë? / Ç’kemi taninë?

 

 

Naim Frashëri

 

 

Ishte një ditë

Që pellasgjitë

Posi një dritë

Mbuluan dhenë

Duall ng’ Asia

Si mizëria

Dhe me ania

E hodhë denë.

 

Pas pakë herë,

Duke përzjerë

Ca me të tjerë,

Bënë elinët,

Dhe duke ndarë

Syresh një farë,

Si ka të ngjarë,

Bëri llatinët.

 

Edhe të tjerët

E më të ndjerët,

Të papërzjerët,

Pellasgjinj mbenë

Maqedhoninjtë

E ilirinjtë

E mollosinjtë,

Gjith’ ata qenë.

 

Dhe ata janë

Prindërtë tanë,

Pastaj na thanë

Na shqipëtarë

Mundim të themi

Ne ata jemi,

Atë gjak kemi,

Si dhe shtyparë.

 

Thot’ Herodoti,

Në Tomor zoti

Shtëpi qëmoti

Kishte Dhodhonë

Eshtë m’e vjetër

Ngaha çdo tjetër,

Shumë më tepër,

Kjo gjuha jonë.

 

Ne kurdoherë

Burra të ndjerë

Edhe të vlerë

Jemi treguar;

Me grekërinë

Dhe me Persinë,

Me gjith’ Asinë

Kemi lëftuar.

 

Me Lekën vamë,

Muntmë Daranë,

Datën i dhamë

Gjithë Asisë

Burr’ u dëftyem,

Të gjith’ i thyem,

Përmbys e kthyem

Fron’ e Persisë.

 

Të tërë dhenë,

Den’ e sterenë,

Sa kombe qenë

Në këmb i vumë

Dhe mbretëruam

Kudo që shkuam,

Tekdo lëftuam,

Vëndin e zumë.

 

Me Pirron vamë

Romës i ramë,

Llatint’ i vramë

E i tmeruam;

Me Skënderbenë

Tyrqve sa qenë

U dhamë dhenë

Dhe i dëbuam.

 

Kush i goditi

Posi petriti

E i cfiliti

Tyrqit, barbarët?

Bota s’kuxonte

Që t’u qëndronte,

Po kush lëftonte?

Ne shqipëtarët.

 

Pastaj u ndruam,

Se s’kupëtuam

Dhe nuk e çquam

Të mirën tënë

Gjaknë për botë

E derthmë kotë,

Njeri ç’të thotë?

Nuk ishte thënë!

 

Mbajtmë Tyrqinë,

Ngjallmë Greqinë,

Ndihm’ Italinë.

Po Shqipërinë?

Pse u munduam?

Për kë lëftuam?

Neve ç’fituam?

Ç’kemi taninë?