Pse Skrapari ka qenë zona më e militarizuar në Shqipëri?
Skrapari para vitve ’90 të shekullit të kaluar ka qenë dhe mbetet zona më e militarizuar në Shqipëri, jo vetëm për faktin se aty ndodhej një nga ish-kryeveprat e industrisë ushtarake, kombinati i Poliçanit, por edhe për shkak të terenit të thyer dhe strategjik në rast të një sulmi armik.
Shifra e sasisë së armatimeve dhe municioneve në tunelet dhe depot ushtarake të Skraparit ka qenë marramendëse. Se sa ka qenë kjo shifër e tregon vetëm një fakt: Kur ndodhi ngjarja e Gërdecit, megjithëse ishte evaduar mbi gjysma e materialit ushtarak, inventari pas kësj ngjarjeje nxorri se aty ndodheshin edhe 15 mijë tonë municion, që përbënte 15 për qind të sasisë që kishte e gjithë republika. Thënë ndryshe, çdo banori në Skrapar i takonte, jo “një top i Mato Grudës”, por një ton e gjysmë arsena ushtarak, me anë të të cilit mund të bënte tre vjet luftë.
Shifra alarmante e sasisë së madhe të municionit që ndodhej brenda tuneleve e depove të municioneve përbënte një rekord historik për këtë zonë. Në rrethin e Skraparit gjendeshin komplekse tunelesh nëntokësorë që shërbejnë si depo municioni për armë të këmbësorisë dhe artilerisë të gjitha llojeve në zona shkëmbore dhe të izoluara mirë.
Pas shpërthimit të Gërdecit më 15 maj 2008, në tunelet-depo të Guhakut, që ndodhen vetëm 1 kilometër larg nga qendra administrative e rrethit, qyteti i Çorovodës, gjendeshin ende 4 352 tonë armatime. 4 kilometra nga ky kompleks deposh ndodhen tunelet e Radëshit, në të cilat në këtë kohë ishin magazinuar një sasi municioni prej 2 280 tonësh. Jo më shumë se 8 kilometra nga qyteti i Çorovodës, në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Osum ishin depot e Pigazit, me një sasi municioni prej 3 000 tonësh.
Sipas specialistëve ushtarakë, nëse në këto komplekse tunelesh mund të ndodhte ndonjë aksident që do të provokonte shpërthimin e municionit, atëherë fuqia e tij do të ishte gati dhjetë herë më e madhe se ajo e Gërdecit dhe Çorovoda nuk do të ekzistonte më.
Kjo për shkak të përqendrimit të madh të municionit dhe faktit që ai ndodhet nën tokë, gjë që çon në rritjen e fuqisë shkatërruese të tij.
Për fat të mirë komplekset e tuneleve të Skraparit, të ndërtuara në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, nuk kanë regjistruar asnjë aksident me pasojë humbje jetësh njerëzore. Ato janë të ndërtuara në masive të fuqishme shkëmbore, përgjatë vargmalit Tomorr-Ramije-Mali i Leshnjes.
Nëse do të përdoreshin për strehimin e popullsisë, siç po ndodh aktualisht në Ukrainë, në këta tunele, me gjithë ata që ishin ndërtuar nga vetë poullsia pranë pallateve dhe fshatrave, strehohej pa frikë e gjithë popullsia e Qarkut të Beratit. (Z.H)