Doktor Gianbatista D’Alesio, heroi italian i spitaleve partizane
Zylyftar Hoxha
Në mbledhjen e parë të përbashkët midis dy qeverive, Shqiptare dhe asaj Italiane të para ca ditëve, një ndër pikat e shumta që u diskutuan dhe u morën vendimet përkatëse, ishte edhe rikthimi në histori të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, e Italianëve që mbetën në Shqipëri pas kapitullimit të ushtrisë fashiste.
Është një histori interesante dhe e dhimbshme, ku mijra ushtarë italainë ngelën në mëshirë të fatit, maleve dhe rrugëve të Shqipërisë, ku një pjesë u inkuadruan në Batalionin Partzan “Antonio Gramshi”, i gjithi me italianë, dhe një pjesë tjetër u strehua dhe u mbajt nga populli, i cili edhe pse fukara, ndau me ta bukën e gojës.
Rikthimi i kësaj çështje, është një nga vendimet dhe marrëveshjet më të mira dhe më të drejta të dy qeverive.
Del detyrë për institucionte përkatëse shtetërore, historianët, mediat dhe artistët shqiptarë, t’i kushtojnë një vemendje të shtuar këtij vendimi, për ta ndriçuar sa më shumë dhe sa më mirë atë periudhë, pasi kemi të bëjmë me një nga vlerat më të çmuara të popullit tonë, siç është mikpritja.
Pasi ata, edhe pse pushtues dhe armiq, në fund u mbajtën si miq.
Në arkivin e “Orakujve të Tomorrit” ndodhen të ruajtura disa ngjarje dhe episode, siç është shkrimi i mëposhtëm, të cilat do t’i botojmë herë pas here.
Shfrytëzojmë rastin, t’u bëjmë thirrje dhe ftesë miqve dhe bashkëpunëtorëve tanë, të na dërgojnë për botim matëriale të kësaj natyre.
Falenderojmë për mirëkuptimin!
***
Doktor Gianbatista D’Alesio rridhte nga një familje nga më të famshmet fisnike të Italisë, siç ishte dinastia D’Alesio.
Kishte studiuar në Romë për mjekësi të përgjithshme dhe më pas kishte marrë titullin profesor doktor në kirurgji.
Me pushtimin fashist të Shqipërisë, i mobilizuar në ushtri, u gjend në frontin e luftës në vendin tonë. Pak para kapitullimit të Italisë fashiste hidhet në radhët e partizanëve shqiptarë që vepronin në zonat Berat dhe Skrapar.
Veprimtarinë më të madhe e ka në Skrapar ku ishin ngritur ose kishin lëvizur nga një fshat në tjetrin për arsye sigurie nëntë spitale partizane, në Dobrushë, Zaloshnje, Strenec, Zabërzan, Visockë, Vlushë, Çepan, Mëlovë dhe më i madhi, spitali i përgjithshëm kirurgjik i Nikollarës, ku vinin të plagosur rëndë edhe nga zova e Parë Operative e Gjirokastrës, nga Përmeti, Kolonja dhe Korça.
Në këtë spital janë bërë operacione të vështëira dhe të çuditshme, të egra, nga mungesa totale e mjetëve dhe e narkozave. Mjeku italian habitej me durimin e partizanëve shqiptarë dhe shprehej shpesh, se “këta njerëz fitojnë dhe meritojnë të fitojnë çdo luftë”.
Herë i stacionuar, herë në lëvizje nga një spital në tjetrin, ai punoi me përkushtim deri në ditë e fundit të çlirimit të vendit tonë. Formoi ekipe kirurgjikalë me kolegët mjekë shqiptarë, Petro Cani, Emil Cimbi, infermierin Oresti Duka dhe infermierë të tjerë. Ngriti kurse kualifikimi për infermierë dhe sanitarë.
Por ajo që ngriti famën e tij, dhe që përmendet edhe sot që kanë kaluar 80 vjet që atëhere në familjet fshatare të Skraparit, ishte gatishmëria dhe humanizmi i tij i lartë për të hyrë dhe për të shpëtuar jetë në këto familje dhe përshtatja e tij me traditat dhe zakonet shqiptare, sa ishte e vështirë ta dalloje që ai ishte i huaj.
Pas lufte D’Alesio iku në atdheun e tij, vërtet mes një ushtrie humbësish, por, i vlerësuar, më shumë se grada zyrtare major i Ushtrisë Nacionalçlirimtare që mori në Kongresin e Përmetit, nga një mirënjohje e pakufishme e mijëra partizanëve të plagosur që i kishte shpëtuar nga vdekja, por edhe të civilëve, burra, gra dhe fëmijë që kishte shëruar në familjet fshatare të asaj ane.
Megjithëse meritonte një vlerësim më të madh, si hero, si një pjesëz e shndritshme në historinë shqiptare, sepse, fatkeqësisht, më vonë u harrua krejt, ai përsëri mbeti i kënaqur me ato kujtime e mbresa të pashlyera të një populli luftarak dhe me vlera të larta njerëzore, të cilat i mori me vete në mendje dhe në zemër.
Mbeti i kënaqur edhe për diçka tjetër kur iku, që në fund të çantës së shpinës mundi të merrte nga spaletat e majorit të Ushtrisë Nacionalçlirimtre shqiptare, për t’i vendosur si relikte krahas objekteve dhe relikteve të parardhësve të tij, dukë, kontë dhe fisnikë të tjerë të dinastisë D’Alesio.
