Dashnor Dosti
Murat Dyrmishi ka lindur në 17 korrik tè vitit 1925. Në vitin 1943 mbaroi Normalene e Elbasanit për mësues. Pasi mbaroi shkollën, la qytetin e Elbasanit per të ardhur né Koprënckë bashkë me nënën e tij Shirina, një zonje e nderuar dhe e respektuar nga e gjithë krahina e Potomit.
Pra Koprëncka, fshati në të cilin lshte hapur shkolla shqipe prej vitit 1908, e cila është edhe shkolla e parë shqipe e hapur në Skrapar, do të kishte fatin të krenohej edhe për atë se mbante edhe një aset si Murati, një mësues normalist, diçka e rrallë për kohën.
Shumë shpejt, pas viteve 1945, Murati do të shërbente si mësues, por jo për shumë vjet. Edukata e mirësjellja paksa mondane e tij, nuk ishin të pranueshme për revolucionin. Shumë shpejt do të mënjanohej me anë të një përjashtimi të sforcuar nga radhët e PPSH.
Në vazhdim provoi çdo punë në administratë apo edhe në drejtimin e sektorëve bujqësorë të kooperativës, por mësuesia për të ngeli gjithmonë një ëndërr.
Ishte i vetmi i rritur ato kohë që kur takonte fëmijë si ne i puthte në ballë. Me ato puthje donte të shprehte dashurinë për profesionin që e ushtroi aq pak.
Kur u riktheva mësues në Koprënckë në vitin 1988, ai ishte pensionist, por disa prej ne mësuesve i shkonim shpesh tek shtëpia e bisedonim me orë të tëra.
Në një rast na tregoi për kohën kur ishte nxënës në Nornale. I kishte vdekur njëri nga prindërit dhe tregimi i tij vazhdoi:
“Më thirri drejtori në zyrë. Drejtori ynë atë kohë ishte Aleksandër Xhuvani. Më pyeti si shkoja me mësime e më pas nëse kisha ndonjë shqetësim lidhur me shkollën apo konviktin.
Më pas më pyeti për familjen në Skrapar dhe vazhdoi aq gjatë sa e kuptova se diçka duhej të kishte ndodhur. Pastaj më ftoi të tregohem i fortë. Po ashtu dha urdhër që shkolla të interesohej për të më shoqëruar tek autobusi që nis
ej për në Berat dhe më paguan edhe biletën. Më lejuan të rrija shumë ditë pranë familjes me atë rast…”
Edhe pse punoi pak vite në arsim, Murat Dyrmishi gjithmonë është konsideruar si modeli se si duhet të jetë një mësues.
Xhaxhai im Resmiu, 80-vjeçar, mësues në pension e dikur nxënës i tij, thotë shpesh se Murati ngeli përjetësisht si mësuesi i tij i preferuar, pavarësisht se ka patur të bëjë me shumë të tjerë në jetë.
Nëse në fillim të këtij statusi e kam quajtur Murat Dyrmishim “të harruarin e paharruar”, desha të thosha se ndërsa kontributi e vlerat e tij janë shpërfillur sistematikisht nga shteti e pushteti, emri i tij vazhdon e do të vazhdojë të tregohet gjithmonë me respekt prej banorëve të Koprënckës kudo që ndodhen.
