Po na rrallohen miqtë! Ditët pa ta po na shkurtohen!
Sefedin Çela
Kjo foto më bën të qaj sa herë që e shikoj.
Nuk na bëri rasti bashkë . E kërkonim dhe e gjenin njëri tjetrin! Për një gotë raki e kafe ose pa to, thjesht na haej fjala.
Bardhyl Ylli i muzeut më kish vënë njëherë të pozoja në vend të tim eti, një herë tjetër më kishte dhënë një shpatë muzeale për një ” duel” epik në këmbën e urës te Sorkadhja, me dikë që e kisha qesëndisur në gazetë.
Bardhyli ishte yll vetë.
Ky tjetri në krah Asqeri Jaubelli , kaçurels, kishte si gojën zemrën.
Po ky ” ekstremi”, Tekiu, hante bukë veç! Me të merresha vesh edhe pa folur.
Një jetë të tërë mësues, drejtor i gjimnazit e shef i arsimit për shumë vjet.
Nuk kishte burrë, grua a fëmijë që nuk e njihte në tërë rrethin.
Nuk ishte nga ata që ngrinte zërin, ishte nga ata që dëgjonte e dëgjohej!
Kohët e fundit të jetës nuk ishte mirë me shëndet, si dhe unë, po e shihja me sytë e zemrës, se e kam dashur.

Një ditë mbylli sytë, më la vetëm, në cep të fotos!…
Më duket se kam humbur krahët, kam humbur ekuilibrin!
Nuk kisha ç ‘ti thosha në telefon vajzës së tij të dhimsur: “Mbahu, Loreta, babi Tekiu u rriti e u bëri kaq”, jo si unë, e përralla me mbret…
Babai nuk është kurrë tepër, kushdo qoftë, e jo më një prind si Tekiu, qe e njihnin dhe gurët!
Jeta është e shtrënjtë se ka kufij, lum kush lë gjurmë, kush nuk harrohet!
Të qoftë dheu i lehtë, i dashur Teki!
Për miq si ti nuk ka botë tjetër që të ndan, është vetëm kjo botë, e të paharruarëve!
