Profesor Sulejman Dashi: Ja çfarë ka shkruar me dorën e vet Arkitekt Kasëmi në “Vakufname”
Profesor Sulejman Dashi është një prej emrave më të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ai është njohës i thellë i arkitekturës mesjetare, veçanërisht asaj të kultit islam.
Krahas disa veprave studimore, si “Arkitektura osmane në Shqipëri : 1385-1912” dhe punime të tjera shkecore, ai është i vetmi që është marrë me jetën dhe veprën e Arkiekt Kasëmit, duke përkthyer një pjesë të “Vakufnamesë”, testamenti autentik të shkruar nga vet Arkitekt Kasëmi.
Për fat të keq, ndjesë pastë, profesor Sulejman Dashi ndërroi jetë më 26 maj 1921 dhe “Vakufnameja” nuk është botuar, veçse pjesërisht sa për ilustrim të ndonjë argumentimi shkencor.

Kasëm Koxhaj – kryearkitekt perandorie
Dr. Sulejman Dashi
Mimar Kasemi është një mjeshtër i artit të ndërtimit me përmasa botërore. Në të njëjtën kohë, ai është një personalitet me peshë në historinë e perandorisë osmane, jo vetëm në fushën e arkitekturës, por edhe në jetën e saj shoqërore dhe politike.
Ajo që e ka bërë tërheqëse figurën e Mimar Kasemit, midis historianëve të artit dhe të arkitekturës, është vepra e tij origjinale në fushën e krijimit dhe të ndërtimit, është vendi që ai zë në radhët e mjeshtrave më të shquar të artit dhe të arkitekturës klasike osmane. Veprat origjinale të Mimar Kasemit qëndrojnë përkrah mjeshtrave të mëdhenj të mëparshëm.
Madje, Mimar Kasemit i takoi barra ta mbyllte epokën e artit dhe të arkitekturës klasike osmane, ta mbyllte mbasi e përcolli atë në kulmin e saj, kur, si pasojë e zhvillimit të mëtejshëm të artit osman, nisi jetën e vet periudha e stilit barok.
Një element të ri, krejtësisht të panjohur deri sot, lidhjen e tij të ngushtë me atdheun e vet, Shqipërinë, na sjell Vakufnameja, njëlloj testamenti i redaktuar nga vetë dora e arkitektit të madh shqiptar. Deri sot nuk është botuar asnjëherë, madje është menduar se origjinali i saj duhet të ketë humbur.
Si rrjedhim, askush nuk e ka shfrytëzuar in extenso përmbajtjen e kopjuar në vitin 1339 nga origjinali, i cili ndodhet në Arkivën e Përgjithshme të Tapive dhe Kadastrës në Stamboll. Kopja që kemi ne, e vërtetuar se është njëlloj me origjinalin, ruhet në Arkivin Qëndror Shtetëror të Tiranës.
Përmbajtja e saj tregoi se testamenti i Mimar Kasemit kishte një rëndësi të madhe, jo vetëm për historinë e arkitekturës së perandorisë osmane, por edhe për atë të Shqipërisë.
Nga Vakufnameja e arkitek Kasemit zbulohen plotësisht disa pamje thelbësore të jetës dhe të veprave të tij, të panjohura deri më sot. Pikësëpari, ndriçohet përfundimisht problemi i vendlindjes dhe i kombësisë së tij.
Sikurse shkruan vetë, Mimar Kasemi ka lindur në fshatin Grëmsh (dhe jo Gramsh, siç është thënë deri tani) të krahinës së Tomoricës (sot në rrethin e Skraparit) rreth vitit 1570. Pas rinisë së parë, të cilën mjeshtri e kaloi në vendin e tij (Berat), u dërgua nga i ati Aliu, në kryeqytetin e perandorisë (Stamboll) për studime në fushën e artit të të ndërtuarit. Ka të dhëna që tregojnë se ai ka qenë një nga asistentët më të rinj në moshë të Sinanit të madh, ashtu si edhe Sefedqar Mehmeti nga Elbasani, të dy shqiptarë.
Në vitin 1595 ai u konfirmua si arkitekt i oborrit perandorak. Pak kohë përpara vitit 1627, Kasemi u vendos në postin e kryearkitektit të perandorisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1655 vetëm me një vit ndërprerje (1644-45).
Nga Vakufnameja del se, përveç veprave të shumta që ka krijuar në Stamboll e gjetkë, Kasemi ka qëndruar disa herë radhazi në Shqipëri, i angazhuar me ndërtimin e veprave të tij. Kuptohet se kujdes të veçantë ai ka treguar për qytetin e Beratit.
Veç veprave të tij të mirëfillta që ka ndërtuar në Berat, ai ka udhëhequr për disa dhjetëvjeçarë edhe zhvillimin urbanistik të tij.

Ndryshe nga disa autorë si F.Kuhnel, Z. Orgun, L.A.Meyer, të cilët janë përpjekur ta zbehin krijimtarinë në sferën e artit dhe të arkitekturës të Kasemit, Vakufnameja provon se për më se gjysmë shekulli ai ndërtoi një mori veprash monumentale, jo vetëm si arkitekt, por edhe si inxhinier konstruktor, hidroteknik dhe urbanist i shquar.
Ai, gjithashtu, dha një ndihmesë të madhe për riorganizimin shtetëror të veprimtarisë ndërtimore të të gjithë perandorisë.
Vakufnameja e Kasemit na zbulon diçka tjetër gjithashtu të rëndësishme nëpërmjet vakufimit të pronave që zotëronte, na bën të ditur disa nga veprat e ndërtuara prej tij në Shqipëri. Në vazhdim të kërkimeve mbi mjeshtrat mesjetarë shqiptarë u ndërmor një ekspeditë, nga ana e Institutit të Monumenteve të Kulturës për të gjurmuar veprat e përmendura në Vakufname, në Grëmsh, Berat, Dushnik, Roshnik, Dushar, Xhyrë, Kozarë, Fier-Mimar, Shalc Ferras, Zhalzhan, Murrizë, Avaleas dhe Dragot (Elbasan).
Me interesim të veçantë u ndalëm në fshatin Grëmsh, ku kërkuam banjën publike, xhaminë, imaretin (mensë për të vobektit) dhe dy çezma, të cilat në Vakufname thuhej se ishin vepra të Kasemit për vendlindjen e tij.
Gjithshka u bë e qartë, kur në vendin ku dikur shtrihej lagjia e “Koxhabellinjve” u gjend kompleksi ndërtimor i përbërë nga mbetjet e banjës, imaretit dhe xhamisë. Pak më tutje, në vendin e quajtur Gjonec (sipas Vakufnamesë, gjones) u gjendën dy çezma mjaft të vjetra. Sipas traditës të gjitha këto objekte kishin qenë të vakufuara.
Dihej se “ato i kishte ndërtuar një bashkëfshatar i tyre, një njeri i madh dhe me shumë dije, emrin e të cilit nuk e mbanin mend, por që e dinin se ai kishte ndërtuar faltore edhe në Stamboll. Fisi i tij mbante mbiemrin e Koxhabellinjve pasardhësit e Koxhas (nga koxha i madh, njeri i madh) shtëpitë e të cilëve kishin qenë pranë kompleksit ndërtimor.
Ne u njohëm me rrënojat e këtyre ndërtesave. Sipas traditës gojore, ato ishin ndërtuar në kohën kur “fshati Grëmsh kishte 400 shtëpi dhe 18 dyqane”. Të moshuarit e fshatit ngulnin këmbë se xhamia e vjetër ose xhamia e madhe vinte për nga bukuria e dyta në Ballkan.
Ne mundëm të përfundojmë se kompleksi ndërtimor dhe xhamia janë ndërtuar nga Mimar Kasemi në vitet 1640-1646. Bashkëkohëse me këto ndërtime ishte edhe varreza e vjetër në hyrje të fshatit, e cila, me gjendjen e saj të ruajtur, paraqet një rast origjinal për etnografinë e pasur të kësaj gjinie ndërtimesh të mesjetës në vendin tonë.
Dora dhe mendja e Mimar Kasemit në Shqipëri, ndjehet më tepër se kudo në qytetin e Beratit të shekullit XVII. Cilat janë veprat e këtij mjeshtri në këtë qytet? Kjo është një temë shumë e gjerë por ne do të ndalemi vetëm në ndihmesën hidroteknike.
Përkundrazi Vakufnameja vërteton se, përveç banjos publike me shumë dhoma dhe mullirit me gjashtë gurë të mëdhenj, të cilat ai i kishte në zotërim, Kasemi ndërtoi për dhuratë në pika të ndryshme të qytetit shtatë çezma monumentale.
Por madhështia e këtyre veprave nuk qëndron thjesht në arkitekturën e tyre të zbukuruar me fajancë. Asnjëri nga sundimtarët e derisotëm, që është përpjekur të gjurmojë furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit, nuk e ka përqëndruar vëmendjen tek aorta e këtij rrjeti inxhinierik ujor të përkryer akuadukti me arkada të Beratit, që ende ruan në Lagjen e vjetër të Skurajve (Uzgurllu) fragmente të plota kolonash massive dhe harqesh lidhëse në lartësi.
Kemi përpara kështu një vepër madhështore të Mimar Kasemit, e cila meriton një studim të imët, qoftë për artin e të ndërtuarit të ujësjellësave monumentalë në Shqipëri, ashtu edhe për zhvillimin urbanistik të qytetit të Beratit.
Ky ujësjellës fillonte me mbledhjen e ujërave në kuotat e larta të lagjes Vakëf dhe e përshkonte me anë të një galerie nëntokësore të mbuluar me qemer. Më pas kalonte pranë xhamisë së plumbit, përshkonte lagjen e Skurajve dhe Pazarin e Vjetër, tashmë mbi rrugët e qytetit me anë të një arcade të lartë me harqe të panumërta dhe arrinte deri në lagjen Mangalem. Prej kësaj aorte, shpërndaheshin në të katër anët arteriet ujore të qytetit.
Përveç veprave të tjera ndërtimore si mullinjtë, çezma, faltoret, banjot, shtëpi banimi, etj, në vende të ndryshme të Shqipërisë që përmend dokumenti, ai zbulon edhe rëndësinë që i kushtonte Kasemi komunikacionit nëpërmjet ndërtimit të rrugëve, urave, haneve (bujtinave) për atdhetarët e tij.
Një pjesë të pasurisë del se ai e la për mirëmbajtjen e dy rrugëve të rëndësishme mesjetare që lidhnin Beratin me Korçën dhe Beratin me Elbasanin për në Ohër. Edhe në meset e këtyre dy udhëve, në Dushar të Oparit dhe në Xhyrë të Librazhdit, aty ku sipas traditës ishin vendet e bujtjes së karvanëve, ai ndërtoi dy hane, disa ura dhe çezma.
Kujdesi i veçantë për këto dy rrugë që na zbuloi Vakufnameja si dhe ndërtimi po prej tij i urës dhe kalldrëmit në Egrixhan (Greqi) tregon se mjeshtri e bënte shpesh rrugën nga kryeqyteti i perandorisë, Stambolli, për në atdhe. Ai ishte një nga emigrantët e shumtë shqiptarë që në mesjetë punonin në vendet e perandorisë osmane, por që nuk i humbnin lidhjet dhe dashurinë për atdheun e vet.
Në përgjithësi, xhamitë e kësaj periudhe u ndërtuan me dy lloj tipash. Tipi i vogël monumental me tre volume funksionale në balancë me njëri-tjetrin. Ato kishin portikë arkadash përpara hyrjes, sallën e faljeve në formë katrore e të mbuluar me kupolë dhe një minare të stilit shtizë, në anën e djathtë të hyrjes.
Në planin urban ato nuk ndërtohen më brenda kështjellave, por në lagjet e reja të qyteteve duke ndikuar në rritjen e sipërfaqeve të banuara të varosheve, por edhe në krijimin e qyteteve të reja. Për dy tipat e xhamive pëlqehet sistemi i kullitjes, ndaj shumë xhami kanë pranë tri teqetë e tarikateve alevi medresesë, hamama imarete dhe bujtina. Intensiteti i madh i ndërtimeve në këtë periudhë u kushtëzua nga një orientim që kreu Sulltan Bajazit Veliu në politikën osmane.
Në përgjithësi Rumelia shijoi një periudhë paqeje. Portat bregdetare të Shqipërisë u shpallën të hapura dhe marrëdhëniet tregtare me perëndimin u vendosën sërish. Ndërkohë, kishat dhe manastiret benedikte në Shqipëri të veriut, të braktisura nga klerikët, u morën në përdorim nga frencekanët shqiptarë.
Në këtë periudhë ndikoi së tepërmi formimi i organizatave zejtare në krejt Perandorinë, por që në Shqipëri ato nuk ishin ndonjë formë e re ose e panjohur. Dokumentet tregojnë se në disa qytete të Shqipërisë jugore këto organizata kishin vepruar pa ndërprerje edhe më parë.
Përmendim këtu qytetin e Beratit, të cilit Sulltan Mehmeti II Fatiu, me dekretin e tij perandorak Hatti-Eman, u njihte banorëve të qytetit lirinë e zakoneve, të riteve dhe privilegje të tjera të veçanta si p.sh. përjashtimin nga taksat për mallrat e importit dhe për shpenzimet në veprat filantropike. Të vetmin detyrim ai u caktonte mbrojtjen e qytetit të Vlorës ku ai përgatitej për t’u hedhur në Itali.
Deri tani njihen këto vepra të arkitekt Kasëmit:
Në fshatin e tij, Grëmsh të Tomoricës:
Vakufi, xhamia, imareti, banjat publike dhe çezmat e fshatit
Në Skrapar:
Ura e Kasabashit
Në Berat:
Ujësjellsi i qytetit, Çezma, një pjesë e lagjes Mangalem
Vepra të tjera në:
Dushnik, Roshnik, Kozare, Dushar (Korçë), Dragot (Elbasan)
Në Stamboll:
Çezmat monumentale të Kizlaragait (1623)
Hipodromi i Stambollit
Xhamia e Kelli Ali Pashait
Sebili për Kemankesh Mustafa Pashën.
Rikonstruksioni i xhamisë së Validesë
Hoteli i madh Sepetxhiler
Qoshku Revan
Sarajet e kryevezirit Muhamet Qypyrlyku
Kryevepra të artit oriental:
Qoshku Bagdad në Topkapi Sarai
Ura me Tre Harqe në Babaeski, që lidh Stambollin me Edrenenë.
