Ndër “dallëndyshet e para vendase” të arsimit në Skrapar
Gëzime Kalemasi (Kapxhiu) lindi në Mëlovë të Skraparit, në fisin e njohur të Kalemasve. Në vitet 1960 vazhdon shkollën shtavjeçare në konvik në Çorovodë dhe më pas të mesmen pedagogjike për mësuese e ciklit të ulët në Berat.
Filloi punë si mësuese në fshatin e lindjes në Mëlovë në vitin 1967. Ka qenë ndër “dallandyshet e para” të kontigjentit të mësueseve nga Skrapari, pasi në atë kohë mësuesit vinin nga rrethet e tjera, kryesisht nga Berati, Korça, Gjirokastra dhe së fundmi edhe nga Vlora.
Duke bërë këtë jetëshkrim të thjeshtë për Gëzimen, duhet të kemi parasysh kontekstin kohor të ngjarjeve.
Mësuesit nuk ishin thjeshtë mësimdhënës, por edhe misionarë të përhapjes së resë, të kulturës në fshat, veçanërisht të kulturës së jetesës, e cila për fat të keq, të luftrave të njëpasnjëshme dhe varfërisë të tejskajshme, ishte mesjetare.

Mësuesi ishte protagonisti i parë dhe figura numër një që do të sillte ndryshimin, me punë dhe propagandë po e po, por edhe me shembullin dhe modelin e tij.
Vetëm kush i ka jetuar ato vite, e di se si ka qenë dhe se çfarë pune heroike bënin mësuesit dhe veçanërisht Gëzimja si vajzë vendi.
Por ajo që bëri diferencën te Gëzimja ishte profesionalizmi i lartë. Ajo arriti të bëhet një metodiste e shquar në fushën pedagogike, një nga mësueset model, ku vinin dhe merrnin eksperiencë mësues të vjetër dhe të rinj nga i gjithë rrethi.
Në vitet 1980 -1984 së bashku me Franceska Meta, ishin mesueset e para që u zgjodhën nga seksioni i arsimit i asaj kohe për përgatitjen e matematikës eksperimentale.

Gëzimja ishte në perfeksion në çdo gjë. Në mënyrën se si fliste me një zë kanarine, me mënyrën se si qeshte, se si ndryshonte mimikën kur komunikonte me fëmijët, me kolegët, me të moshuarit.
Veç vlerave të tilla të rralla njerëzore, ajo ishte një amvisë e shkëlqyer, që gjithçka që shihte, e kthente në vlerë, në art, siç ishin punimet e dorës, thurjet, qëndisjet, gatimi.

E gjithë shtëpia dhe klasa ku ajo jepte mësim ishin kuruar me veprat e bukura të saj të artit të thurjes dhe të qëndisjes.
Vajza e saj, Enrida Kapxhiu (Mekollari), sjell plot detaje nga jeta e përditshme e dikurshme e Gëzimes, që, fatkeqësisht, iku shumë shpejt, fare e re.

“Nëna ime i ngjante një sorkadhe mali, – thotë ajo, – nga mënyra se si ecte në rrugë, në korridoret e shkollës, si lëviste nëpër shtëpi. Si qeshte dhe si qante”!
“Ajo sot është kthyer në engjëll qielli, – vazhdon.Enrida, po unë e ndjej frymëmarrjen e saj, ëmbëlsinë e saj, dlirësinë e saj në çdo çap që hedh dhe në çdo gjë që bëj.
Jam krenare që jam bijë e asaj Nëne! – mbyll rrëfimin Enrida.
Përjetësi për Gëzimen!
